Topalli: Paralajmërimi i Ramës për krizën energjetike, si ai i Ylli Bufit për bukën

Konferencën dyditore të socialistëve me temë ”Shqipëria, gjenerata tjetër”, e ka komentuar dje edhe kryeparlamentarja në ikje, Jozefina Topalli, duke e cilësuar atë si një ngjarje që një herë i ngjante një komedie, dhe një herë një show. Duke komentuar në “Facebook”, Topalli do të shkruante se parodia e mbledhjes së qeverisë në Vlorë vijoi kësaj here në Tiranë. Sipas saj, dy ditët e kësaj konference treguan se vizioni i kësaj qeverie nuk shkon përtej Piramidës dhe vilës së diktatorit dhe se të pranishmit në këtë aktivitet rrëzuan të gjitha premtimet e Ramës të bëra gjatë fushatës elektorale. “Në ditën e parë dëgjuam ide “inovatore”, si: fëmijët do të rrëshqasin mbi Piramidë apo se si në vilën e diktatorit do të flenë artistë dhe legjislatorë inovatorë, për të ndarë jo vetëm ide e frymëzime. Në ditën e dytë të seminarit, ekonomistët e mendimit botëror, siç i quajti vetë rilindësi, ftohën çdo premtim të Ramës të bërë në fushatë, përveç atyre për shëndetësi falas dhe për legalizimet falas, sepse për këto nuk flitet më prej kohësh”, shkruajti Topalli. Më tej, duke iu referuar paralajmërimit që dhanë përfaqësuesit më të lartë të qeverisë së ardhshme lidhur me krizën energjetike, Topalli deklaroi se ajo i përngjante paralajmërimit të ish-kryeministrit Ylli Bufi, se Shqipëri kishte edhe vetëm 6 ditë bukë. “Në mbyllje të show-t, rilindësi bëri një premtim, që nuk e kishte artikuluar asnjëherë gjatë fushatës: “Pas 3 muajsh nuk do të ketë drita!” Një personazh që i thotë vetes kryeministër, edhe pse ende nuk është dekretuar nga presidenti, edhe pse ende nuk është votuar në parlament, edhe pse ende nuk ka bërë betimin, jo për kryeministër, por as për deputet, u premtoi shqiptarëve se “pas 3 muajsh nuk do të keni drita”, tamam si 20 vite më parë, kur paraardhësi i tij u tha shqiptarëve se “vetëm për 6 ditë ka bukë”, shkruante më tej Topalli. Duke i cilësuar si antikushtetuese të gjitha përgatitjet e qeverisë së re, Topalli jepte edhe një mesazh për të djathtët, se kishin për detyrë që të bënin një opozitë të fortë. “Ne tani kemi detyrën e shenjtë të bëjmë opozitë të fuqishme, të ngrihemi e të mbrojmë interesat e shqiptarëve nga këta donkishotë, që kërkojnë të kthejnë të shkuarën, nga këto që kërkojnë revansh!”, – theksonte Topalli.
MAPO

Add new comment