Topalli: Opozita të sjellë tre emrat për KQZ-në dhe ne mbledhim Kuvendin. Meta: Mazhoranca duhet të reflektojë

Postuar në 25 Maj, 2013 03:36

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, deklaroi se mazhoranca është e gatshme që të mbledhë Kuvendin për të miratuar tre emrat e opozitës për vendet e lëna bosh në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Deklaratat e saj u bënë gjatë një takimi me zotin Roberto Battelli, koordinator special dhe kryesues i misionit të vëzhguesve afatshkurtër të OSBE-së, i caktuar nga Kryetari i OSBE-së.

“Kemi miratuar me konsensus kuadrin zgjedhor, duke reflektuar në të, të gjitha rekomandimeve të OSBE/ODIHR, bazuar mbi propozimet e opozitës”, tha Topalli.

“Jemi të gatshëm të mbledhim Parlamentin në çdo moment për të votuar tre emrat për vendet e lëna bosh nga Partia Socialiste dhe opozita”, vijoi kryetarja e Kuvendit.

Batelli zhvilloi një takim edhe me kreun e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta.

Duke diskutuar mbi situatën e krijuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Meta tha se integriteti i këtij institucioni është cenuar në mënyrë të dhunshme dhe të padrejtë nga ana e mazhorancës aktuale.

Sipas tij, për LSI-në është e rëndësishme që të rivendoset konsensusi dhe besimi te Komisioni Qendror i Zgjedhjeve duke i rikthyer legjitimitetin këtij institucioni.

Meta tha se i takon mazhorancës të tregojë reflektim, të tregojë përgjegjshmëri në këtë drejtim, ndërkohë që ai garantoi delegacionin e OSBE-së që opozita shqiptare është e gatshme të kontribuojë në këtë drejtim.

Sipas delegacionit të OSBE-së, plotësimi i standardeve më të larta në këto zgjedhje është një mundësi e artë që Shqipëria të avancojë në rrugën e saj drejt bashkimit Evropian duke treguar në këtë mënyrë funksionim të institucioneve demokratike në vend./ep

 

 

TEMA

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.