Tkurren bizneset e mëdha

Postuar në 10 Qershor, 2013 15:10

Të dhënat zyrtare nga Ministria e Finanacave tregojnë se kriza ka ulur numrin e bizneseve të mëdha aktive që kontribuojnë në buxhetin e shtetit. 

Sipas një raporti zyrtar të Financave, në tremujorin e parë të vitit numri i kompanive që paguan tatimin mbi fitimin ra me 5 për qind krahasuar me vitin e kaluar. 

Ky është viti i dytë me radhë që tatimet përballen me tkurrjen e numrit të bizneseve të mëdha, ndonëse në 2012 rënia ishte më e ulët. Sipas ligjit, detyrimin për të paguar tatimin mbi fitimin e kanë të gjitha kompanitë që realizojnë një xhiro mbi 8 milionë lekë në vit. 

Tkurrja e kësaj kategorie të biznesit, që është dhe ajo më e rëndësishmja për buxhetin por edhe punësimin, lidhet me gjendjen e vështirë të ekonomisë. 

Kriza ka detyruar një pjesë të ndërmarrjeve që të ndalin aktivitetin, veçanërisht në sektorin e ndërtimit, atë prodhues dhe në tregti. Në ndërtim, shifrat tregojnë se numri i bizneseve fitimprurëse është ulur me mbi 15 për qind në harkun kohor të dy viteve. 

Një pjesë e tyre janë mbyllur, ndërsa të tjerat edhe pse mund të jenë aktive kanë regjistruar rezultate negative financiare duke dalë me humbje. 

Sektori i vetëm që ka shënuar rritje të bizneseve që paguajnë tatimin mbi fitimin është ai i shërbimeve, ku vitet e fundit janë dyndur një sërë ndërmarrjesh të huaja, që shfrytëzojnë krahun e lirë të punës në Shqipëri.

 

 

 Top Channel

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.