Tirana prangos atentatorët e të “fortit” të Kukësit

Tirana prangos atentatorët e të “fortit” të Kukësit Ardian Trota qëllohet nga dy persona në lokalin e tij në Kukës. Policia e Tiranës arreston dy atentatorët. Sajuan atentatin. Policia: Autorët, me precedentë penalë nikoleta kovaçi Një atentat i ndodhur orëve të vona të së enjtes ka rezultuar, jo vetëm me pesë persona të plagosur, por është zhvendosur në dy qytete, Kukës dhe Tiranë. Ngjarja është zbuluar vetëm në ambientet Spitalit Ushtarak, kur palët janë paraqitur për mjekim. Fillimisht është dyshuar për dy atentate të ndara njëra nga tjetra, por personat e shënjestruar ishin të gjithë kuksiane dhe ngjarja e dytë ishte përzier me të parin,
Lidhja mes sulmeve me armë
Ngjarja e Kukësit ka ngritur në këmbë ekspertët e Krimeve të Rënda. Është qëlluar mbi Ardian Trotën, 43-vjeçarin, i cili ka qenë në lokal bashkë me kunatin e tij. Plumba ka marrë edhe roja i karburantit aty pranë, ndërkohë që orëve të pasdites së djeshme është saktësuar se në atentatin ndaj Trotës kanë marrë pjesë jo dy, por tre persona. Madje policia ka pranuar se në lokalin e Trotës ka pasur shkëmbim zjarri, ç`ka dyshohet se njëri prej atentatorëve të tyre, ka marrë plagë pikërisht në vendin e ngjarjes. Ndërkohë, në atentatin e Tiranës, nuk ka rezultuar të ketë gëzhoja në vendin që pretendojnë kuksianët që janë plagosur. Policia ka nisur të hetojë në bazë të dyshimeve për një atentat të stisur prej dy personave, aq më tepër kur kanë mësuar emrat e protagonistëve, të cilët janë të njohur për policinë e Tiranës. Hetimet po vijojnë në koordinim edhe me policinë e Kukësit, ndërsa priten dëshmitë e të plagosurve, të cilët janë në gjendje të rëndë, por jashtë rrezikut për jetën.
Ngjarja në Kukës
Sipas të dhënave që vijnë nga policia e Kukësit, ngjarja në të cilën është qëlluar mbi lokalin që shikoni në foto dhe që është në pronësi të Ardian Trotës, ka ndodhur në kohën që po luhej ndeshja mes Spanjës dhe Italisë. Mësohet se kanë qenë duke u luajtur shtesat e ndeshjes, kur është qëlluar me breshëri automatike mbi Trotën dhe kunatin e tij, Besnik Axhamin. Plumbat kanë rënë edhe mbi Osman Vokën, roje në objektin e Trotës, në të cilin, përveç lokalit ka edhe një pikë karburanti. Ngjarja ka ndodhur në lagjen nr 2, ose siç njihet ndryshe, në dalje të qytetit të Kukësit. Policia që ka shkuar në vendin e ngjarjes ka marrë të dhënat e para ku është mësuar se në drejtim të lokalit është qëlluar nga rruga dhe se në vendin e ngjarjes dyshohet se kanë qenë dy persona. Ata kanë lëvizur me motor, ndërsa policia saktëson se ka patur edhe shkëmbim zjarri. Nuk bëhet ende me dije se kush ka qëlluar nga brenda lokalit, por saktësohet se në vendin e ngjarjes janë gjetur dy lloje gëzhojash. Tre të plagosurit janë sjellë me urgjencë në Spitalin Ushtarak, ndërsa ende nuk bëhet me dije motivi i përplasjes me armë
Hetimet
Oficerët e Krimeve të Rënda në Kukës kanë nisur hetimet dhe në bazë të verifikimeve të para është saktësuar se personat që kanë kryer atentat ndaj Trotës kanë ikur në drejtim të Morinës. Për disa orë me radhë është bërë krehje e zonës pa mundur dot të kuptonin se në të vërtet, autorët ishin nisur në drejtim të Tiranës. Pas sinjalit se në Tiranë është qëlluar mbi nip e dajë, rezultoi të ishin Vladimir Gjuta, 31 vjeç, bashkë me nipin e tij Baftjar Bruka, 23 vjeç. Policia sapo ka mësuar emrat e dy personave, të cilët u tha se ishin plagosur në një tjetër atentat në afërsi të “vilave të gjermanit”, siç njihet ndryshe vendi në të cilin është pretenduar që është qëlluar mbi ta, ka zbuluar se këta ishin personat që kanë qëlluar mbi Trotën dhe Axhamin. Gjithashtu emrat e dy të rinjve janë të njohur për policinë e Tiranës pasi akuzohen për disa ngjarje, por që për asnjërën prej tyre nuk është vërtetuar se ata rezultojnë të jenë të përfshirë, për pasojë janë akuzuar, hetuar gjykuar dhe më pas kanë fituar lirinë. Dajë e nip mbrëmë janë vënë në pranga nga policia e Tiranës për llogari të policisë së Kukësit dhe materialet në ngarkim të tyre janë përcjellë pikërisht për në prokurorinë e këtij rrethi. Sipas të dhënave të rezervuara të policisë, shënjestra e këtij atentati ka qenë pikërisht Ardian Trota, një emër mjaft i njohur në Kukës.
MAPO
Add new comment