Tiranë, grabiten 12 milionë lekë në Njësinë Bashkiake Nr.5, kapet një nga autorët

Një vjedhje ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në zyrat e Njësisë Bashkiake Nr.5 të Tiranës tek zona e ish-Bllokut.
Persona të armatosur, kanë plagosur rojën e Njësisë Bashkiake dhe kanë hyrë brenda zyrave ku tek ajo e financës kanë marrë të paktën 12 milionë lekë të rinj ose mbi 100 mijë USD.
Burime zyrtare policore e konfirmuan lajmin, duke shtuar se roja i lënduar është dërguar në QSUT për mjekim, pa rrezik jete.
Sakaq burimet policore pohojnë se nuk ka patur thyerje të kasafortës për të vjedhur shumën e madhe të parave.
Sipas grupit hetimor kasaforta kishte qenë bashkë me çelësat në tavolinën pranë, tek zyra e financës. Për këtë shkak, policia ka shoqëruar dhe marrë në pyetje disa punonjës të Njësisë Bashkiake.
E paqartë është sesi autorët që besohet të ishin dy, kanë pasur sinjale se në kasafortë ishin futur mbi 12 milionë lekë, e për më tepër, paradoksal fakti se autorët kur u futën në zyrën e kasafortës, i priste mbi tavolinë çelësi i arkës metalike. Kështu nuk u duhej fare të lodheshin për ta thyer, sepse thjesht i duhej ta hapnin e të merrnin paratë duke u larguar qetësisht në terrnin e natës.
Sakaq, kryetarja e Njësisë Bashkiake nr 5, Jeta Seitaj, e kandiduar nga PS-ja, ka kryer denoncim në policinë e Tiranës duke sinjalizuar mbi vjedhjen.
Ajo ka pohuar se ishin rrëmbyer pikërisht paratë e asistencës sociale planifikuar për t’u shpërndarë në ditët në vijim.
SHEKULLI
Add new comment