Tiranë, biznesmeni i shpëton atentatit të dytë me eksploziv.

Policia e Tiranës deklaroi se po kryen hetime në lidhje me ngjarjen e rëndë ku tre persona u plagossën nga shpërthimi i një sasie eksploziv që dyshohet se ka qenë në masën prej 500 gramësh i llojit C4 e vendosur në një lokal tek rruga e Elbasanit në Tiranë.
Njoftohet se dy prej të plagosurve të shpërthimit të orës 10:00 në rrugën “Budi” në kryeqytet, janë nëgjendje të rëndë.
Shpërthimi ka ndodhur në momentin që tre të plagosurit kanë hapur derën e lokalit dhe policia beson se eksplozivi ka qenë i telekomanduar.
Sipas të dhënave zyrtare të plagosur janë biznesmeni i ndërtimit, Armando Ceka, truproja e tij, Artur Sharra si dhe juristi i firmës së Cekës, 28-vjeçari, Julian Çela. Ky i fundit sipas policisë dhe mjekëve ndodhet në rrezik për jetën.
Bëhet e ditur se ky është atentati i dytë që i bëhet biznesmenit Ceka. Në shtator të vitit 2013, kur në rrugën “Siri Kodra” në Tiranë, Armando Cekës iu vendos eksploziv në bagazhin e makinës së tij, tip “Volvo”.
Nga shpërthimi u dëmtua vetëm makina, ndërsa biznesmeni nuk pati lëndime pasi lënda plasëse ra nga automjeti para se të aktivizohej shpërthimi.
Add new comment