Thaçi-Daçiç, përkushtim për zgjedhje të suksesshme

Postuar në 28 Gusht, 2013 08:15

Takimi i 15-të mes Kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe atij serb, Ivica Daçiç, ka përfunduar dje pasdite në Bruksel pa asnjë marrëveshje të re, përveç rënies dakord mbi nevojën për pjesëmarrje të lartë të serbëve në zgjedhjet e 3 nëntorit.

Takimi ishte trepalësh mes kryeministrave të Kosovës dhe Serbisë, si dhe kryediplomates së BE-së, baroneshës Katerin Ashton. Fokusi i takimit ishin zgjedhjet lokale të 3 nëntorit, por edhe diskutimet mbi telekomunikacionin dhe energjetikën. Për këto dy çështje nuk pati afrime të reja në qëndrime dhe Kryeministri Thaçi tha se do të jetë i nevojshëm një tjetër takim në nivel ekspertësh teknikë. Ndërsa takimi i radhës në nivel kryeministrash mes Kosovës e Serbisë pritet të mbahet deri më 8 shtator. Thaçi është shprehur para gazetarëve në Bruksel se “Zgjedhjet do të jenë historike, meqë do të zhvillohen edhe në pjesën veriore të vendit, ku serbët përbëjnë shumicën”. Ai shtoi se ato do të mbahen sipas ligjeve të Kosovës dhe se në to do të marrin pjesë sa më shumë serbë. Ndërsa Ashton ka deklaruar se “të dy kryeministrat e kanë përsëritur përkushtimin e tyre për zgjedhje të suksesshme me pjesëmarrje sa më të gjerë të mundshme dhe konfirmuan se ata do të vazhdojnë përgatitjet intensive për proces të qetë zgjedhor”. 

TELEKOMUNIKACIONI DHE ENERGJETIKA
Rreth telekomunikacionit mediat serbe njoftuan se është arritur kompromis i dyanshëm, por jo për energjetikën. Ashton nuk dëshiron që gjatë bisedimeve të këtij raundi të zgjidhet vetëm një çështje. Sipas agjencisë serbe të lajmeve, B92, “shqiptarëve të Kosovës kjo qasje e Ashton po u shkon për shtati, sepse pas kompromisit të bërë në lëmin e telekomunikacionit në favor të Serbisë, presin kompromis nga Beogradi në lëmin e energjetikës”. Ndërkohë, gazeta serbe “Danas” shkruan, bazuar në burime diplomatike, se Serbia ka pranuar që Kosova të ketë kod të veçantë telefonik ndërkombëtar, i cili do të përdoret në Kosovë pas vitit 2015. Ndërsa është njoftuar se Beogradi ka pranuar që sistemi transmetues energjetik në Kosovë të jetë i përfshirë në kuadër të KEK-ut.

Sipas “Express”, nga Brukseli bëhet e ditur se Kryeministri i Kosovës Thaçi dhe ai serb, Daçiç, për herë të parë në Bruksel kanë realizuar edhe një takim bilateral, ku nuk ka qenë e pranishme përfaqësuesja e lartë, Katerin Ashton. Thaçi e Daçiç kanë mbërritur rreth orës dhjetë të paradites në zyrat e BE-së, ku kanë zhvilluar takime veçmas me baroneshën, dhe para takimit trepalësh që ka nisur në orën 14:00, kanë mbajtur një takim “kokë më kokë”.

 

 

 

PANORAMA

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.