Test me letër nën derë nëse shtëpitë ishin bosh

-Policia e kryeqytetit në aksion për arrestimin e grabitësve të banesave. Komisariatet e policisë numër.1, 2 dhe 3 në bashkëpunim me blutë e Drejtorisë së Policisë së Tiranës kanë nisur prej dy ditësh tashmë punën për arrestimin e hajdutëve dhe verifikimin plotë të vjedhjeve. I pari në prangat e bluve është kapur paraditen e djeshme, ndërsa vijon të jenë në kërkim dy persona të tjerë. Bëhet me dije se grabitësit janë të rinj në moshë, ndërsa emrat e tyre nuk bëhen publik për arsye hetimore. Nga të dhënat e para të policisë mësohet se rezultojnë në total rreth 30 objekte të grabitura, përfshirë këtu banesa dhe klinika private. Nga denoncimet dhe zbardhja e ngjarjeve është arritur në krijimin një identikitit dhe zbulimin e identitetit të tre autorëve, të cilët prej pak kohësh ishin kthyer në tmerrin e banorëve të disa zonave të kryeqytetit. Ende nuk ka një shifër të saktë të vleftës financiare e përfituar nga këto grabitje. Prej gati 48 orësh blutë po vijojnë aksionin për arrestimin e dy grabitësve të tjerë. Burime nga policia bëjnë me dije se njëri nga grabitësit ka pësuar dëmtime dhe kjo do të thjeshtojë arrestimin e tij. Ndonëse grabitja është një ndër krimet më të përhapura, në të shumtën e rasteve është e vështirë identifikimi i autorëve, të cilët largohen duke humbur gjurmët. Sipas të dhënave pjesa më e madhe e grabitësve të banesave, sendet e përvetësuar i shesin në tregun e zi, duke i kthyer në para dhe kjo e vështirëson pak identifikimin. Grabitja e banesës është në kategorinë e krimeve të rrugës, të cilët ia vështirësojnë punën policisë për të arritur në identifikimin e saktë të autorëve.
Skema
Janë në total 30 denoncime në komisariatet e policisë për grabitje. Nga verifikimet e para dhe dokumentimet e ngjarjeve është arritur në identifikimin e tre autorëve, prej të cilëve njëri është arrestuar dhe dy janë të shpallur në kërkim. Prej gati 48 orësh ka nisur operacioni i policisë për të prangosur autorët dhe po vazhdon verifikimi i plotë i grabitjeve. Ndërsa zbulohet skema se realizmit të grabitjeve. Objektivi i hajdutëve ishin banesa që gjatë paradites nuk ka njeri, ose banesa të boshatisura për shkak të pushimeve verore. Për tu siguruar që nuk ndodhej njeri në shtëpi, hajdutët fusnin një letë të bardhë poshtë derës dhe trokisnin. Prisnin 10 minuta për të parë se çfarë do të ndodhte me letrën nën derë, e cila në rast se nuk lëvizej, atëherë ishte sinjal që shtëpia ishte bosh. Letra nën derë ishte drita jeshile për hajdutët, të cilët me anë të një mekanizimi thyenin bravën e derës dhe futeshin brenda. Ata grabisnin çdo gjë të mundeshin, para, bizhuteri, ose sende elektro- shtëpiake dhe largoheshin me shpejtësi. Kjo ishte skema e grabitjes që është përdorur në gati 30 objekte. Ndërsa blutë po vijojnë nga puna për dokumentimin e plotë të rasteve, po vijon paralelisht kërkimi për dy hajdutët. Pritet që pas përfundimit të aksionit të ketë një njoftim për shtyp nga policia e kryeqytetit.
Shekulli
Add new comment