Tema TV/ ODIHR: Procesi i 23 qershorit tregoi pjekurinë e demokracisë në Shqipëri

Postuar në 02 Korrik, 2013 16:27

Kryeministri në detyrë Sali Berisha, e cilësoi procesin zgjedhor të 23 qershorit me standarde të larta dhe të civilizuar. Gjatë takimit në përmbyllje të misionit në Shqipëri të shefes së misionit ndërkombëtar të vëzhguesve ODIHR Conny McCormack, Berisha veçoi si arritje pjesëmarrjen e lartë në votim.

Kryeministri Berisha tha se “numri i vogël i ankesave, i cili i dedikohet një procesi numërimi jashtëzakonisht transparent dhe të rregullt, është tregues për cilësinë e lartë të këtyre zgjedhjeve”.

Shefja e misionit të ODIHR, Conny McCormack vlerësoi pozitivisht organizimin e ditës së votimit, duke theksuar se“zhdukja e radhëve në votim, si pasojë e uljes së numrit të zgjedhësve për qendër votimi, ishte një përmirësim i dukshëm”.

Zonja McCormack theksoi se është i rëndësishëm fakti që ky proces tregoi pjekurinë e demokracisë në Shqipëri. Ajo u shpreh se procesi i numërimit shënoi gjithashtu përmirësim.

Në orët e pasdites, drejtuesja e misionit ODIHR pati një takim me kryetaren e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Lefterie Lleshi tha se “KQZ-ja realizoi me sukses zgjedhje të lira, transparente dhe të pakontestueshme”.

Por një pikëpyetje e madhe dhe pa përgjigje për vëzhguesit ndërkombëtarë, shprehur në intervistat për mediat vendase nga zonja McCormack, është mënyra dhe rruga që do të ndjekë KQZ për të certifikuar procesin e 23 qershorit dhe shpërndarë mandatet e deputetëve. Kodi Zgjedhor është i prerë në këtë pikë, kur parashikon një shumicë të cilësuar në këtë vendimmarrje prej të paktën 5 anëtarësh. Ndërsa në KQZ, pas shkarkimit të njëanshëm të anëtarit të propozuar nga LSI-ja, Ilirjan Muho, u tërhoqën edhe 3 anëtarët e tjerë të propozuar nga partitë opozitare duke e lënë këtë institucion me 4 anëtarë.

 

 

 

TEMA

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.