"The Telegraph" për Shqipërinë: Koha për të investuar në perlën e harruar të Europës

Postuar në 02 Tetor, 2012 14:50

“Shqipëria, dikur një moçal i paarritshëm, sot është e hapur për biznes”.Kështu shkruan gazeta britanike “The Telegraph”. Në shkrimin e Christopher Middleton, vendi ynë konsiderohet një perlë e harruar e Evropës ku duhet investuar. 

“Jo keq, duke pasur parasysh që 15 vjet më parë, ishte e vështirë ta imagjinoje Shqipërinë si një vend me të ardhme. Që prej vitit 1997 kur Shqipëria kontrollohej nga gangsterët e armatosur vendi ka ndryshuar shumë", - thuhet në shkrim. 

Gazetari Middleton shpjegon se në Shqipëri një apartament me pamje nga deti mund të blihet për 30 mijë paund, ndërsa një gotë birrë kushton përgjithësisht 1 paund dhe një shishe verë në restorant vetëm 4 paund. 

Megjithatë, thuhet më tej, atje ka ende një nivel të lartë korrupsioni. 48% e firmave raportojnë se japin ryshfet. “Mund të ketë probleme rreth pronësisë së tokës, ku mund të lindin ende mosmarrëveshje. Por kryeministri i vendit, Berisha është i përgatitur për të ofruar garanci.”- thuhet në shkrim. 

Në artikull thuhet se Shqipëria është ende një vend i paprovuar, por kjo nuk e ka penguar Chris Esdale-Pearson, 65 vjeç, një pilot në pension nga Harwich, të blejë një apartament në Gjirin ne Lalzit dhe ka ndërmend të investojë në Shqipëri. 

Shqipëria ka shumë potencial të pazhvilluar, thotë Kate Stinchcombe-Gillies, e faqes, Holidaylettings.co.uk. Ajo shton se, çmimet e apartamenteve të pushimeve shkojnë nga 285 paund deri në 490 në javë. “Ka plazhe të bukura, jetë nate si dhe trashëgimi kulturore e mbrojtur nga UNESCO.”- shton ajo. 

“Është e qartë, ditët e Shqipërisë së pazbuluar janë të numëruara. Për investitorët, tani mund të jetë koha e duhur për të qëlluar”, - shkruan Middleton. 

Në shkrim jepen edhe disa këshilla për investitorët britanikë, se çfarë duhet të dinë para se të marrin hapin për të investuar në vendin tonë. 
-Kush është pronari i tokës? Sigurohuni që personi që po ju shet tokën është pronari i vërtetë i saj. 
-Kujdes nga titujt e falsifikuar. Duhet të punësoni një avokat të pavarur, i cili e njeh mirë legjislacionin shqiptar për pronën. Rreth 15% e pronave nuk janë të legalizuara nga shteti. 
-Sa katëshe është shtëpia juaj? Ndërtesat e reja me më shumë se katër kate janë të paligjshme në shumë vende të Shqipërisë rurale dhe bregdetare. 

 

Ballkanweb.com

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.