Tatimet sollën defiçit buxhetor katastrofik

Postuar në 27 Shtator, 2013 03:01

Defiçiti buxhetor në fund të 8 mujorit arriti në 53 miliardë lekë. Ështe më shumë sesa dyfishi i të njëjtës periudhë të vitit të kaluar ( rritje me 129%), duke iu afruar kufirit të rishikuar të buxhetit vjetor (të rishikuar me të ardhurat e privatizimeve). Ky parashikohet në 61 miliardë lekë, ndërkohë që parashikimi fillestar kishte qenë 49 miliardë lekë. Arsyeja kryesore e rritjes së lartë, gati katastrofike të defiçitit është rritja marramendase e shpenzimeve buxhetore, por edhe  performanca tejet e dobët e të ardhurave tatimore.

Tatimet janë në nivelin më të ulët të 23 viteve tranzicion. Performanca e tyre është më negativja e të gjitha kohërave. Kanë dështuar si në raportet me biznesin (e kanë mbytur në gjoba dhe në kontrolle selektive), ashtu dhe në mbledhjen e të ardhurave. Në raport me Produktin e Brendshëm Bruto, këtë vit kanë arritur të mbledhin si tetëmujor më pak se sa edhe në vitin 1992! Drejtuesit e “sapomërguar” të 1500 tatimorëve janë sjellë si në mall të babait. Kanë larguar shumicën e specialistëve me mbi 10 vite pune në tatime dhe kanë sjellë njerëz që nuk kishin punuar në këtë sektor as edhe një orë të vetme të jetës së tyre. Këta kanë qenë të mirë për të shkuar nëpër mitingjet elektorale të partisë në pushtet deri më 23 qershor 2013, por jo të kryenin detyrën. Borxhi tatimor (paratë që i kanë borxh Shtetit taksapaguesit) është rritur edhe ai në kufij të frikshëm.

Tatimet vitet e fundit as që edhe u munduan të bëjnë reformë. Dështuan “me sukses” amnistinë fiskale. Në të gjitha vendet e botës, kur zhvillohet një amnisti, borxhi tatimor ulet, pse kompanitë i kthejnë paratë e papaguara Shtetit. Vetëm tek ne, pas zhvillimit të së ashtuquajturës amnisti, për të blerë vota nga sipërmarrja, borxhi tatimor gati u dyfishua, në krahasim me tre vite më parë. Fryma e punës tek tatimet shqiptare gjatë këtij viti ishte: ”shko në mitingje, shko në qendrën zgjedhore të PD-së në qytetin dhe lagjen tënde, ndryshe humbet punën!”. O me ne, o kundra nesh, ishte mendësia e punës e imponuar për 1500 punonjësit tatimorë.

Tatimet shqiptare nuk kanë qenë kurrë ndonjëherë më parë më të politizuara, se sa në këta tre vitet e fundit. Asnjëherë më parë injoranca dhe përulësia ndaj drejtuesve të tatimeve që edhe ishin aktivistë të flaktë të PD-së, nuk ishin ngritur në nivel të tillë. Kjo periudhë do të mbahet mend si më e zeza në historinë e tatimeve shqiptare. Jo vetëm për performancën negative të mbledhjes së të ardhurave, por edhe për raprezaljet ndaj biznesit dhe përdorimit të inspektorit tatimor si kobure partiake, për të trembur sipërmarrjet simpatizante të PS-së dhe për t’u zhvatur para abuzive, në këmbim të heqjes apo uljes së gjobës.

Tatimet shqiptare mbajnë rekordin e trishtë të përqindjes më të lartë në kontinent për të ardhura të marra nga hetimi tatimor, pra nga kërbaçi tatimor. Kjo fushë, që i solli tatimet 20 vite prapa, ishte parajsa e gjobvënësve ndaj biznesit, që kishin mbrojtjen e drejtpërdrejtë të drejtuesve më të lartë të kësaj strukture, pse me ta ndanin përqindjet e gjobave vënë biznesit. Mund të quhen me plot gojën “vitet e mesjetës” së tatimeve shqiptare, ku inkuizicioni partiak arriti kulmin. Tani që koka e këtij inkuizicioni nuk është më, drejtuesve të rinj të financave tona publike dhe të tatimeve u bie barra të bëjnë një reformë të thellë e të plotë.

 

 

DITA

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.