TAP, vendet e rajonit nënshkruajnë marrëveshjen e mirëkuptimit

Firmoset në Tiranë memorandumi i Bashkëpunimit në realizimin e gazsjellësit TAP mes Shqipërisë, Malit të Zi, Bosnje dhe Hercegovinës dhe Kroacisë. Memorandumi u nënshkrua në ambientet e kryeministrisë nga katër ministrat e Jashtëm, Aldo Bumçi, Igor Lukshiç, Zlatko Lagumdzija dhe Joshko Klisoviç, në prani edhe të Kryeministrit Berisha.
Në fjalën e tij shefi i qeverisë shqiptare, vlerësoi edhe një herë rëndësinë e projektit TAP, duke e vlerësuar si një urë të shkëlqyer bashkëpunimi mes vendeve të rajonit.
“TAP ka të gjitha shanset për të qenë projekti fitimtar. Krahasuar të dyja projektet çdo njeri e gjen TAP me një projekt fizibël dhe më të avancuar. Projekti tjetër është produkt i mossuksesit dhe në vetvete nuk ka sigurinë që ka ky projekti trans-Adriatik. Dua të theksoj dhe një faktor tjetër, fuqinë bashkëpunuese që mban në vetvete ky projekt mes vendeve. Pak kohë më parë qeveritë e Italisë, Greqisë dhe Shqipërisë firmosën një marrëveshje, e para e këtij lloji që i angazhon ato tu përmbahen rregullave të rëndësishme. Besoj se vendimmarrësit do ta kenë parasysh edhe këtë faktor”, tha ai.
Berisha tha se drejtim kryesor i gazsjellësit është tregu i madh italian dhe grek, por rajoni me dinamizmin e tij sjell një treg të shtuar në hapësirën e furnizimit me gaz.
Ndërkaq Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme i Bosnje Hercegovinës, Zlatko Lagumdzija e vlerësoi si një perspektivë të ndritur për të ardhmen e përbashkët ekonomike dhe energjetike të rajonit.
“Do ta falenderoja kryeministrin Berisha për udhëheqjen e tij. Ne ndajmë të njëjtat bindje, mirëkuptimin e përbashkët. Jemi këtu se besojmë në të ardhmen tonë, të rajonit, të BE dhe të projektit TAP. Besojmë që edhe vendimet që do merren do të jenë në bazë të ekonomisë dhe teknologjisë. Po e mbyll me një thënie që përdoret në Bosnje, ‘Na ndihmoftë Zoti, por në fillim duhet të ndihmojmë veten’”,- tha ai.
Ndërsa Ministri i Punëve të Jashtme e Integrimit Europian i Malit të Zi Igor Lukshiç ka vlerësuar se: “Ndërtimi i projektit do ndihmojë edhe në përmirësimin e infrastrukturës energjetike, është një projekt europian rreth sigurisë energjetike që ata promovojnë. Kjo është mundësi edhe për vendin tonë”.
Nga ana tjetër edhe Zëvendësministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kroacisë, Joshko Klisoviç, shprehu mbështetjen e vendit të tij ndaj TAP.
Vendimi përfundimtar për projektin fitues pritet të merret në javët në vazhdim nga Konsorciumi Shah Deniz 2 në Azerbajxhan. Zgjedhja do të bëhet mes dy projekteve TAP, i cili kalon nëpërmjet Shqipërisë, dhe Nabucco West.
SHQIP
Add new comment