Takimi Thaçi-Daçiç cilësohet i suksesshëm

“Të rëndësishëm dhe të dobishëm”. Të tillë e ka cilësuar zyra e shtypit e shefes për politikë të jashtë në BE Ketrin Eshton,takimin më të fundit mes kryeministrit të Kosovës Hashim Thaçi dhe homologut serb Ivica Daçiç. Pas darkës së punës në Bruksel, edhe vetë zyrtarët e lartë të Prishtinës dhe Beogradit, u shpehën se biseda ishte konstruktive. Kreu i ekzekutivit të Kosovës, Thaçi deklaroi se në bazë të marrëveshjes me Serbinë për lëvizje të lirë, asnjë zyrtar i Beogradit nuk do të pengohet të hyjë në Kosovë, qoftë edhe gjatë fushatës për zgjedhjet lokale.
“Lufta e ftohtë ka mbaruar. Ne jemi për bashkëpunim, për fqinjësi, komunikim, lëvizje të lirë dhe pa qasje diskriminuese.”
Daçiç e cilësoi takimin, si një nga më të suksesshmit, në dialogun dy palësh.
“Kemi diskutuar për çështje që për kohë të gjatë kanë qenë aktuale dhe kanë paraqitur pengesë në zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit, përkatësisht në organizimin e zgjedhjeve lokale në Kosovë. Shpresoj që ajo për të cilën jemi pajtuar, të realizohet deri në fund të javës dhe me këtë të krijohen kushte për zgjedhje të ndershme lokale.”
Ditët e fundit, në Prishtinë ishte diskutuar për mos lejimin e krerëve shtetërorë serbë që të marrin pjesë në fushatën zgjedhore në komunat në veri të Kosovës, veçanërisht kryeministri Daçiç. Kjo bëri që Beogradi të kërcënojë me braktisje të dialogut. Zgjedhjet vendore të 3 nëntorit në Kosovë janë të rëndësishme, pasi në bazë të marrëveshjes së 19 prillit, në to do të marrin pjesë për herë të parë edhe serbët e veriut.
MAPO
Add new comment