Tahiri: Ta riformatojmë Policinë e Shtetit me kontributin e qytetarëve

Deputeti i Partisë socialiste Saimir Tahiri dhe njëkohësit ministri i ri i Ministrisë së Brendshme sot i ka kërkuar qytetarëve për të marrë të gjithë së bashku përgjegjësinë e institucionit që ai drejton. Ai ka thënë në një reagim në rrjetin social “Facebook” se qytetarët duhet të shprehin ankesat dhe sugjerimet në lidhje me Policinë e Shtetit.
“Dhe dua që përgjegjësinë time ta ndaj me çdonjërin prej jush për aq sa është e mundur! Me cilindo që qoftë dhe një herë të vetme, ka menduar çfarë nuk shkon sot në Policinë e Shtetit e si duhet ndrequr. Duke filluar nga komunikimi, etika dhe sjellja, uniforma, siguria ne komunitetin/qytetin/ fshatin që banoni, vendin e punës apo çfarëdolloj çështje që keni hasur ose ndjeni se duhet trajtuar. Policia e Shtetit duhet të jetë policia juaj! Ndaj nisni që sot e ndjehuni të lirë të më shkruani çdo sugjerim, çdo mendim, çdo eksperience tuajën personale prej të cilës mund të mësojmë diçka më shume nga ç’dimë sot, çdo iniciativë që në vlerësimin tuaj Policia e Shtetit duhet ta ketë ne axhendën prioritare. Pra gjithçka e vlerësoni të nevojshme për ta implementuar bashkë nga shtatori e tutje!. Ne kemi program për reformimin e thellë të Policisë së Shtetit bazuar në angazhimet tona para zgjedhjeve. Program që vazhdon të detajohet me ekspertët më të mirë”, shprehet Tahiri.
Ai tha se është vlerësim dhe përgjegjësi e madhe që kryeministri Rama i besoi këtë post. Gjithashtu sipas Tahirit, “akoma dhe më e madhe pritshmëria e ligjshme e qytetareve për të marre mbrapsht prej nesh siguri dhe paqe, të lirë nga frika e krimit dhe kriminelet”.
Tahiri në mesazhin drejtuar qytetarëve i ka shprehur falënderimet e tij dhe në të njëjtën kohë i ka kërkuar ndjesë pasi i duhet të heq dorë nga posti i deputetit për të qenë ministër i Brendshëm.
“Me pranimin e përgjegjësisë së ministrit të Brendshëm, do heq dorë nga mandati i të zgjedhurit në Parlament! Ndaj e ndjej detyrim t’i drejtohem zgjedhësve të mi në Njësinë 6 e në gjithë Tiranen, miqtë e mi, jam e do jem gjithmonë aty me ju”.
Shekulli
Add new comment