Tahiri: Rritje page për 93% të efektivëve të policisë. Rama:Mbajtëm premtimin

Postuar në 16 Dhjetor, 2013 03:22

Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, në një konferencë për mediat, ka paralajmëruar se do të rriten pagat për 93% të efektivëve të Policisë së Shtetit.

“Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit ka filluar procesin e auditit të përgjithshëm, ashtu si ka filluar dhe luftën kundër korrupsionit në radhët e Policisë së Shtetit.

Ka zhvillime të cilat nuk mund ti komunikoj tani, por në të gjithë procesin e transparencës nuk kemi ndër mend të kursejmë askënd që ka përgjegjësi. Kjo nuk ka lidhje me emrat, as me detyrat e ish-funksionarëve por me të gjithë ata që mbajnë përgjegjësi. Ajo që është më e rëndësishme është lajmi për 93% të punonjësve të Policisë së Shtetit që janë punonjës që kanë sakrifikuar për të ruajtur rendin dhe qetësinë publike. Qeveria dhe Kryeministri Rama e mbajtën premtimin për të rritur rrogat në polici në mënyrë drastike. Ky lajm vlen më shumë se transparenca për disa njerëz që në qoftë se e meritojnë do të shkojnë përpara drejtësisë”, u shpreh Ministri Tahiri duke iu referuar padisë ndaj ish kreut të Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj dhe 9 ish-zyrtarëve të tjerë.

Në deklaratën e tij, Ministri i Brendshëm, vlerësoi se buxheti për policinë dhe Ministrinë e Brendshme për vitin 2014 është buxheti më i madhi në historinë e vetë.

“Qeveria e shkuar u ka lënë shqiptarëve për trashëgimi një institucion të rrënuar nga pikëpamja financiare, infrastrukturore dhe buxhetore, një institucion të dërrmuar nga pikëpamja e kapacitetit për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin, për të garantuar barazi para ligjit për të gjithë shtetasit dhe kapacitetin për të shembur murin e imunitarëve dhe të paprekshmëve, murin e pandëshkueshmërisë.

Kemi trashëguar oficerë policie të cilët nuk guxonin as ti shihnin me sy ata që fshiheshin pas çdo lloj imuniteti, dhe jo më ti ndalonin dhe të ushtronin detyrën e të përmbushnin misionin e Policisë së Shtetit. Kemi trashëguar në Policinë e Shtetit një institucion me oficerë policie që më përpara bënin llogaritë me kurajon e frikës dhe dilnin të humbur, se tradhtoheshin edhe nga shefat e tyre. Trashëguam rraskapitjen morale të punonjësve të shtetit. Trashëguam mentalitetin se siguria publike vjen falas ose pa kosto se përfitimet shkonin në xhepat e pushtetarëve. Sot policia e Shtetit dhe Ministria e Brendshme hedh një hap themelor dhe solid për ndërtimin e modelit europian të policisë së shtetit.

Gjatë periudhës 2010 deri në shtator 2013 janë transferuar nga detyra në detyrë në Policinë e Shtetit 8866 punonjës ose  90% e efektivit të shtetit, duke cënuar qëndrueshmërinë në detyrë, kapacitetin për të përmbushur detyrën dhe sigurinë publike për qytetarët shqiptarë. Ky operacion, Policisë së Shtetit së bashku me përjashtimet i ka kushtuar me pagesa në 1.6 herë. Nga njëra anë është cënuar siguria publike me transferime të pabaza dhe nga ana tjetër ka pasur kosto financiare, 2.9 milionë dollarë vetëm për familjet e efektivëve të transferuar.

Punonjësit e Policisë së Shtetit marrin pagën më të ulët sesa punonjësit e policisë në vendet fqinje për mos folur për vendet e BE sepse jemi shumë larg. Rreth 70% e punonjësve të policisë kanë të ardhura për frymë nën pagën minimale të vendit. Mund t’ju them se qeveria dhe kryeministri Rama dje kanë miratuar paketën më të plotë të mbështetjes financiare dhe buxhetore për Policinë e Shtetit në të gjithë historinë e policisë së shtetit dhe ministrisë së brendshme.

Dje është miratuar rritja e pagës për 93% të punonjësve të policisë së shtetit. Rritja e pagës konsiston në përfitimin nga taksa progresive me 5% dhe rritjen buxhetore nga 15-20% pra rritje e pagës në masën 20 deri 25%. E shoqërua kjo me një vendim që presim të merret në ditët në vijim lidhur me sigurimin e jetës dhe sigurimin shëndetësor të efektivëve të policisë. Në pemën strukturore të rritjes së pagave që me buxhetin vitit të parë kemi përmbushur më shumë se 60% të premtimit të qeverisë. Po rikthejmë nderin e punonjësve të policisë së shtetit në vend”,- tha Tahiri.

Rama: Rriten rrogat e policëve, mbajtëm premtimin

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se rritja e pagave për efektivët e policisë, është një nga premtimet e mbajtura nga qeveria.

Në një postim në rrjetin social “Facebook”, Rama ka deklaruar se: “Rritja e lartë e rrogës për policët një nga hapat e qenësishëm drejt Rilindjes që garanton buxheti 2014! 60% e zotimit qysh vitin e parë”.

 

 

 

SHQIP

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.