Tahiri: Belle Air po përdoret për fushatë, do e hetojmë pas 23 qershorit

Postuar në 04 Qershor, 2013 15:19

Deputeti socialist, Saimir Tahiri, ka denoncuar faktin se PD, në bashkëpunim me kompaninë Belle Air, janë duke ofruar bileta falas për emigrantët dhe studentët jashtë shtetit, me kusht që ata të votojnë Berishën. Për të vërtetuar këtë gjë, atyre u kërkohet që të fotografojnë votën e tyre.

“Djemtë dhe vajzat, motrat, vëllezërit, kunetërit, baxhanakët e pushtetit të Saliut të në selitë diplomatike shqiptare, në bashkëpunim me kompaninë Belle Air, monopoli më spektakolar i Lul Bashës, kanë filluar të ofrojnë bileta falas për emigrantët e studentët shqiptare, duke i detyruar të votojnë për Sali Berishën dhe ta provojnë këtë duke fotografuar votën e tyre.

Sali Berisha bën mirë ta ketë të qartë se PS, unë dhe kolegët e mi, trupa e komisionerëve dhe vëzhguesve të PS, vetë mbështetësit dhe votuesit e PS, nuk do lejojnë asnjë votues të fotografojë votën.

Ndërsa ata sekserët e votave që kanë dyndur ambasadat, bëjnë mirë ta shënojnë që sot se pas 23 qershorit, iu vjen dita të bëjnë hesapet me drejtësinë për rrjepjen e parave të emigrantëve dhe për çdo veprim të paligjshëm që duke menduar se sot i bëjnë nder pushtetit të Saliut, do i hapin punë të mëdha vetes”, ka thënë Tahiri.

Deputeti socialist ndërkohë ka premtuar edhe se pas 23 qershorit, Belle Air do të hetohet për përfshirjen në këtë manipulim, por edhe për shkak të faktit se është kthyer në një kompani monopol, falë Lulzim Bashës.

“Sa për Belle Air, aksionerët dhe drejtuesit e kësaj kompanie, përfshirjen e tyre në këtë skemë manipulimi duke vazhduar rrjepjen e parave të shqiptarëve për shkak të pozitës monopol në treg, ta kenë të sigurtë se pas 23 qershorit do çmontojmë pozita monopol duke kryer një hetim kapilar që nga çmimi i biletave, deri te shërbimi ndaj klientit, pagesën e detyrimeve fiskale dhe lidhjet e saj me pushtetin, përfshirë dhe përfshirjen në skemën e dëshpëruar për të manipuluar votat”, u shpreh Tahiri.

Ai ka thënë se Berisha nuk mund ta mbajë pushtetin me bileta të blera, pasi më 23 qershor atij do t’ia presë biletën PS-ja.

“Sali Berisha nuk mund të blejë një biletë për 4 vjet të tjera në pushtet, me koston e lartë që i lë vendit dhe qytetarëve, këtu në Shqipëri apo jashtë kufijve. Në 23 qershor do ia presim ne biletën, me çmimin e drejtësisë përpara qytetarëve dhe ligjit”, tha deputeti socialist.

Ndërkohë, ai e ka mbyllur me një thirrje gjithë drejtuesve të shkollave dhe institucioneve të tjera, që të mos bëjnë presion, pasi do të përballen me ligjin.

“Dhe përfitoj nga ky rast, për t’ju kujtuar edhe njëherë të gjithë drejtorëve të shkollave apo militantëve në administratë, në Policinë e Shtetit, që po abuzojnë me asetet publike apo duke shantazhuar qytetarët, se pas 23 qershorit do të përballen me të gjithë forcën e ligjit. Dhe ky nuk është premtim por angazhimi ynë përpara qytetarëve shqiptarë”, përfundoi Tahiri./b.l

 

 

TEMA

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.