Swoboda: Zgjedhje të kontestuara, katastrofë

“Të jenë të lira, e rëndësishme për integrimin. Sot mbërrin në Tiranë një mision vlerësimi nga ODIHR
Parlamenti Europian rrit presionin ndaj Tiranës zyrtare për zgjedhje të lira dhe të ndershme më 23 qershor. Numri një i socialistëve dhe demokratëve europianë, Hannes Swoboda në një prononcim për “AS TV” deklaron se “politikanët shqiptarë duhet t’u japin fund, njëherë e përgjithmonë, problemeve me zgjedhjet e kontestuara. Përsëritja në qershor e këtij skenari negativ do të ishte katastrofë për Shqipërinë”. Ai vë theksin se në Shqipëri duhet të zhvillohen zgjedhje të lira, pasi kontestimi i tyre do të sillte probleme për çështjet e procesit të integrimit. “Shqipëria duhet të bëjë tani zgjedhje të lira e të ndershme. Nuk ka rrugë tjetër, përndryshe shtyrja përsëri e çeljes së negociatave do të ishte një katastrofë për Shqipërinë. Unë mendoj se të gjithë drejtuesit politikë duhet të punojnë së bashku që këto zgjedhje të jenë të lira e korrekte. Kjo është shumë e rëndësishme në radhë të parë për vetë qytetarët shqiptarë, por edhe për të ardhmen e Shqipërisë në Europë. Ne do të ndihmojmë Shqipërinë, sepse ne kemi një vlerësim të madh për qytetarët shqiptarë, të cilët meritojnë një politikë më të mirë”, tha Swoboda. Organizmat dhe institucionet ndërkombëtare e kanë vënë theksin në realizimin e zgjedhjeve sipas standardeve. Në këtë kuadër, mësohet se misioni i ODIHR-it pritet të mbërrijë në Tiranë sot për t’u njohur nga afër me procesin zgjedhor, përgatitjet e tyre. Zyra e shtypit e Ministrisë së Jashtme bën të ditur se “me ftesë të Misionit tonë të përhershëm në OSBE, mbërrin sot në Tiranë një ekip vlerësues i ODIHR, ‘Needs Assesment Mission’, i cili do të qëndrojë në Tiranë nga data 11 deri më 14 mars, për të vlerësuar nevojat e vëzhgimit të zgjedhjeve në Shqipëri”. Pas takimeve në Tiranë, ky mision do të bëjë një raport për të vlerësuar se cilat janë nevojat për vëzhgues, për numrin e tyre etj. “Sqarojmë se sipas rregullave të procedurës së Organizatës OSBE, ODIHR-i është ftuar me notë verbale (në dhjetor 2012) të Misionit të Republikës së Shqipërisë pranë Organizatave Ndërkombëtare në Vjenë për të dërguar një mision vëzhgimi në zgjedhjet parlamentare në Shqipëri të 23 qershorit 2013. Kjo ftesë është bërë menjëherë pas dekretimit të zgjedhjeve nga Presidenti i Republikës”, thuhet në njoftimin e MPJ-së.
Zgjedhje të lira
“Nuk ka rrugë tjetër, përndryshe shtyrja përsëri e çeljes së negociatave do të ishte një katastrofë për Shqipërinë”
SHQIP
Add new comment