Supervjedhje në tunelet e ushtrisë, zhduken 40 tonë gëzhoja tankesh

Postuar në 18 Korrik, 2013 04:14

Kreu i Policisë Ushtarake, Ylli Zyla, nuk e kundërshton ngjarjen. Dëmi kap shifrat e 120 mijë eurove

Skandalet e ushtrisë së Arben Imamit nuk kanë të sosur. Forcat e Armatosura përfshihen në një tjetër skandal, ku nga territoret ushtarake, që teorikisht ruhen nga trupa të armatosura, janë transportuar brenda natës rreth 40 tonë gëzhoja të predhave të tankeve dhe të artilerisë së rëndë, duke i shkaktuar shtetit një dëm ekonomik prej 120 mijë eurosh. Ngjarja vjen pas një sërë skandalesh të njëpasnjëshme të denoncuar publikisht jo vetëm nga media, por edhe nga vetë Partia Socialiste, që kanë të bëjnë me keqadministrimin e pronave dhe të mjeteve të ushtrisë shqiptare.

Ngjarja

Në repartin e Njësive Autonome të Forcave Tokësore në Babrru, Tiranë, në ditët e para të muajit prill të këtij viti, pak para nisjes së fushatës zgjedhore për zgjedhjet e 23 qershorit, është konstatuar “zhdukja” nga tunelet e ruajtjes së armatim-municionit e rreth 40 (dyzet) tonë gëzhojash tankesh dhe artilerie të rëndë, të grumbulluar këto ndër vite, nga Komanda e Forcës Tokësore, që aktualisht drejtohet nga gjeneral-major Zyber Dushku. Bëhet fjalë për një ngjarje të rëndë, e cila prej afro tre muajsh mbahet e fshehur edhe nga drejtuesit e Forcave të Armatosura, ku vjedhja apo spostimi në destinacion të paditur e kësaj sasie gëzhojash, kap një vlerë rreth 120 mijë euro, nisur dhe nga përbërja e materialit të gëzhojave, për të cilën ekspertë të ushtrisë shqiptare theksuan dje se gëzhoja është prej bronzi, e cila është kryer brenda territorit të repartit që ruhet nga roja të armatosura, pikërisht në hyrjet e këtyre tuneleve. Dhe për më tepër, burime nga Forcat e Armatosura, të cilët denoncojnë këtë vjedhje të hapur, bëjnë me dije se këto gëzhoja janë transportuar me mjete të tonazhit të lartë, të cilat mësohet të jenë futur natën në repartin që ‘mbrohet’ me roja armatosura në të gjithë perimetrin e tij, dhe sidomos në objektet e rëndësisë së veçantë. Ndërkohë, sa i përket ngjarjes, e vetmja masë ndëshkimore që është marrë, është pezullimi nga detyra i magazinierit të këtyre materialeve. Sa u përket hetimeve të rastit në fjalë, nga të njëjtat burime, mësohet se futja në këtë tunel ku ishin depozituar gëzhojat, rezulton se është bërë pa i dëmtuar vulat e hyrjes së tunelit. Njëkohësisht nga ekspertë të FA-ve mësohet se vetëm për ngarkimin e një sasie të tillë nevojiten të paktën 10 persona. Gjë që nënkupton se kjo vjedhje duket se është bërë me pjesëmarrje të gjerë, dhe në dijeni të plotë të organeve drejtuese, të paktën të këtij reparti. Nga ana tjetër, të kontaktuar nga gazeta, ekspertë të tregut të zi të skrapit theksojnë se një kilogram bronz kushton rreth tre euro, ose rreth 400 lekë të reja për kilogram. Dhe e llogaritur në shifra, kjo vjedhje i kushton buxhetit të shtetit një dëm prej 120 mijë eurosh, destinacioni i të cilave mbetet ende i pazbuluar.

Nga po të njëjtat burime mësohet se menjëherë, pasi është njoftuar për ngjarjen, reparti i Njësive Autonome të Forcave Tokësore në Babrru është vizituar nga komandanti i Forcës Tokësore, gjeneral Zyber Dushku, por edhe nga vetë shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA-ve, gjeneral Xhemal Gjunkshi.

Policia Ushtarake

Nga ana tjetër, gazeta kontaktoi dje me kreun e Policisë Ushtarake (PU), Ylli Zyla, pasi PU-ja është struktura përgjegjëse për ruajtjen e rendit ushtarak në FARSH, zbulimin, parandalimin, ndjekjen e veprimtarisë kriminale, si dhe mbrojtjen e pronës shtetërore në administrim dhe përdorim të FA-së nga veprimet e kundërligjshme. Në një bisedë telefonike të zhvilluar paraditen e djeshme në lidhje me “zhdukjen” e kësaj sasie gëzhojash, Zyla theksoi për gazetën “Shqip”, se nuk i kujtohej si rast, kjo për shkak të numrit të madh të çështjeve. “Më kujto për çështjen në fjalë”, tha Zyla, duke marrë kohë për të dhënë një përgjigje përfundimtare. Duke mos e mohuar për asnjë çast ngjarjen në fjalë, ish-kreu i SHIU-t theksoi se “kjo çështje mund të jetë në hetim dhe do të ishte joprofesionale nga ana ime që të prononcohem për një çështje në hetim”, u shpreh Ylli Zyla, duke mos dashur të prononcohej më tej me detaje të tjera për këtë ngjarje. Pak ditë më parë, pas hetimeve të bëra nga Prokuroria Ushtarake, u arrit që të kapen në flagrancë dy ushtarakët e garnizonit “Dajti”, Ervin Osmanllari dhe Ermir Telha, të cilët u dënuan nga gjykata me nga 8 muaj burg secili për vjedhje të telave në laboratorin e ushtrisë, duke i shitur më pas për skrap në vlerën e 1 milion lekëve.

Kreu i PU-së

“Kjo çështje mund të jetë në hetim dhe do të ishte joprofesionale nga ana ime që të prononcohem për një çështje në hetim”

http://gazeta-shqip.com/lajme/wp-content/themes/gazeta-e-re/...); background-color: rgb(255, 255, 255); color: rgb(85, 85, 85); line-height: 19px; background-position: 0px 20px; background-repeat: no-repeat no-repeat;">

Të kontaktuar nga gazeta, ekspertë të tregut të zi të skrapit theksojnë se një kilogram bronz kushton rreth 3 euro, ose rreth 400 lekë të reja për kilogram

 

Nga ekspertë të Forcave të Armatosura mësohet se vetëm për ngarkimin e një sasie të tillë nevojiten të paktën 10 persona

 

Gjykata: 20 vjet burg magazinierit të ushtrisë

Më 13 maj të këtij viti, Gjykata e Tiranës vulosi një vendim me 20 vjet heqje lirie në përfundim të rishqyrtimit të dosjes ndaj Dëfrim Bacellarit, ish-magazinierit të Repartit ushtarak nr. 100 në Mullet. Bacellari akuzohej për vjedhjen e sasive tejet të mëdha të municioneve dhe armatimeve nga ky repart, të cilat i kishte në ngarkim, duke i shkaktuar shtetit një dëm ekonomik prej gati 673 milionë lekësh. Sipas gjykatës, Bacellari, i cili ka pasur funksionin e magazinierit në ushtri në vitet 1983-2001, e ka realizuar vjedhjen duke stisur një lëvizje të armatimeve dhe municioneve nga një repart në tjetrin, përmes fletëdaljeve dhe fletëhyrjeve të falsifikuara. Në këtë mënyrë, çështja e njohur si “skandali i Repartit 100″ përfundoi me deklarimin fajtor të Bacellarit për akuzat e “vjedhjes së armatimit luftarak”, “vjedhjes së municionit”, “falsifikimit të dokumenteve” dhe të “falsifikimit të vulave”. Bacellari është dënuar më herët nga Gjykata Ushtarake e Shkallës së Parë Tiranë në mungesë në vitin 2004, vendim i cili u bashkua me atë të pak ditëve më parë. Në vitin 2007, ai u ekstradua nga Italia në Shqipëri për llogari të dënimit të dhënë ndaj tij.

 

Ushtarët e garnizonit “Dajti” dënohen me 8 muaj burg

Dy ushtarakë profesionistë të garnizonit “Dajti” kanë mundur të vjedhin tri herë një sasi kabllosh me material plumbi, dhe më pas ta shesin atë kundrejt një shume financiare prej 1 milion lekësh të vjetra. Ermir Telha nga Skrapari dhe Ervin Osmanllari nga Korça, shërbenin pranë garnizonit “Dajti” Tiranë, ku dhe ndodhet laboratori qendror i Ushtrisë Shqiptare. Pikërisht në këtë repart ndodhej një sasi e madhe kablloje me material plumbi dhe se në dy raste, dy ushtarakët kanë mundur të vjedhin nga 277 kg dhe më pas e kanë shitur te një pikë skrapi. Për vjedhjen e kabllos, dy ushtarakët shfrytëzonin gjithmonë natën kur merrnin shërbimin në vendrojë dhe se duke vënë në punë dhe aparatet celularë, njoftonin njëri-tjetrin. Për të mbuluar shokun e tij Ervin Osmallari, gjatë momentit të vjedhjes ushtaraku tjetër, Ermir Telha, mbante me muhabet një ushtar tjetër në një vendrojë pak më larg, me qëllim që ai të mos ishte i përqendruar në sigurinë e repartit, ku ndodhet laboratori i Ushtrisë Shqiptare. Pas konstatimit të rastit të vjedhjeve, Prokuroria Ushtarake ka nisur hetimet, ku falë dëshmive, por edhe dyshimeve të arsyeshme, është arritur që të kapen në flagrancë dy ushtarakët Ervin Osmanllari dhe Ermir Telha. Këta dy të fundit, pak ditë më parë, u shpallën fajtorë duke u dënuar nga gjykata me nga 8 muaj burg secili.

 

 

SHQIP

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.