Sulmohet nënoficeri i Ushtrisë, e plagosin me thikë

Postuar në 04 Maj, 2013 14:20

TIRANË- Sulmohet me armë nënoficeri i Ushtrisë, dyshime për grabitje. Dy persona e plagosin me thikë në shpinë, ndërsa policia nis hetimet për ngjarjen e ndodhur në afërsi të Shkollës së Bashkuar në kryeqytet. Altin Selami, 33 vjeç, banues në Tiranë, me profesion nënoficer i Ushtrisë, mbrëmjen e së enjtes ishte duke shkuar në banesën e tij në afërsi të Alliasit, kur dy persona ende të paidentifikuar e sulmuan atë duke e goditur dy herë me thikë në trup. Lajmi u bë i ditur për mediat dje nga burime të policisë së Tiranës, të cilat thanë se Altin Selami, 33 vjeç, mori një plagë të rëndë në shpinë dhe një tjetër më të lehtë në trup, pasi u sulmua nga dy persona të panjohur. Këta të fundit, sipas burimeve të policisë mësohet se kanë tentuar ta grabisin gjatë konfrontimit fizik me dy të rinjtë, por nënoficeri Selami është munduar të reagojë me armë ndaj personave. Ndërsa ai u mundua të reagonte, ata e goditën me thikë në shpinë dhe më pas u larguan në drejtim të paditur. I plagosuri është ndihmuar nga disa kalimtarë, të cilët njoftuan policinë, ndërsa i plagosuri u dërgua në spitalin “Nënë Tereza” në kryeqytet, ku edhe iu dha ndihma e parë. Pas mbërritjes së policisë në vendin e ngjarjes hetuesit morën disa dëshmi të personave të ndryshëm, të cilët rrëfyen se si e kishin gjetur të dëmtuarin në rrugë dhe të plagosur. Ndërkaq, nga veprimet e para hetuesit kanë ngritur dy pista të mundshme në lidhje me krimin, atë të vrasjes së mbetur në tentativë, për shkak të ndonjë konflikti të çastit, si dhe të një grabitjeje të mundshme. Sipas hetuesve, autorët dyshohet se vendosën të largoheshin pasi kishin mësuar se personi me të cilin po përballeshin kishte armë zjarri, ndërsa ata vendosën ta plagosnin me qëllim që ai të mos kishte mundësi të reagonte. Gjithsesi policia mësohet se po heton në të dyja këto pista, për të sqaruar rrethanat apo motivet e krimit. Mbrëmjen e së enjtes, në bulevardin “Bajram Curri” dy persona me armë sulmuan një pikë bastesh dhe lotarish sportive. Policia mbërriti në vendin e ngjarjes dhe fillimisht u krijua ideja se rasti ishte vetëm një tentativë grabitjeje, ndërsa autorët nuk kishin arritur të merrnin asgjë. Më vonë policia dhe pronari i pikës së basteve konstatuan se autorët kishin marrë një shumë prej rreth 500 mijë lekësh të vjetra.

 

 

 

MAPO

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.