Studimet, si t’i transferoj në një universitet tjetër?

Postuar në 19 Shkurt, 2013 03:27

 

Jeni i pasigurt në zgjedhjen e universitetit?Doni një degë të re që nuk ofrohet në universitetin ku jeni aktualisht? Nuk jeni të kënaqur nga ana akademike? Universiteti nuk ju duket aq përmbushës? Ndoshta eksperienca e re e transferimit të studimeve mund t’i jepte një perspektivë të re jetës studentore  

 

Në mënyrë ideale, duhet të jeni në shkollën që ju përmbush profesionalisht, ju siguron degën e studimeve që dëshironi dhe ju mbështet gjatë gjithë rrugës. Por një faktor i zakonshëm në përvojat universitare të shumë studentëve është transferimi. Pasi keni bërë gjithçka për të hyrë në universitet, transferimi mund të duket ndonjëherë si mundësia e vetme kur gjërat nuk funksionojnë ashtu siç e kishit planifikuar. Disa arsye të mira për transferim përfshijnë; ambicie më të mëdha akademike, programe studimi që nuk i ofron universiteti aktual, kosto të pamenaxhueshme, situata familjare apo thjesht dëshirë për ndryshim. Pasi kanë mbërritur në universitet, disa studentë zbulojnë interesa të reja për karrierën, të cilat nuk i kishin marrë në konsideratë më parë. Lajmi i mirë është se tani këta studentë e dinë tamam çfarë të kërkojnë në një universitet tjetër.

 

Vera Ahmati, pas një përvoje të mëparshme në Universitetin e Nju Jorkut në Tiranë, vendosi të bëhej studente e Universitetit Europian të Tiranës në degën Marrëdhënie Ndërkombëtare. “Ishin disa kritere që unë i kërkoja dhe nuk i gjeta aty ku po studioja, kështu që vendosa të shoh diku tjetër”, – tregon Vera, e cila shton se si studente e transferuar nuk e pati aspak të vështirë të ambientohej me mjedisin e ri akademik, për shkak se UET ia bënte të thjeshtë përshtatjen me sistemin. “Gjeta cilësinë që kërkoja në një universitet”, – vijon Ahmati, që aktualisht pas transferimit të krediteve është në vitin e dytë të studimeve. “Jam e kënaqur nga kushtet dhe mundësitë që më jep për më shumë punë kërkimore në fushën e studimeve të mia për të arritur objektivat që unë synoj nga karriera ime. Tani në universitet shkoj me dëshirë edhe më të madhe dhe ndjehem shumë më e përmbushur”, – përfundon ajo.

Ka shumë studentë që ashtu si dhe Vera nuk ndihen të përmbushur në shkollën aktuale dhe janë në kërkim për një universitet që ka kritere sfiduese për ambiciet akademike të të rinjve. Në të tilla raste, transferimi do të ishte ide e mirë për ata që gjenden mes këtyre dyshimeve. Një universitet më prestigjioz mund të të ofrojë mundësi më të mira arsimimi dhe karriere.

 

Për disa studentë, zakonisht ata që zgjedhin të studiojnë shumë larg shtëpisë, situata në familje mund të ndryshojnë ndërsa ata janë duke studiuar. Një prind mund të humbasë punën apo një anëtar i familjes mund të jetë sëmurë. Këto situata mund të paraqesin një arsye të mirë për t’u transferuar.

Elvi Shehu vendosi t’i transferonte studimet nga “Universita degli studi di Piemonte” drejt Universitetit Europian të Tiranës, pikërisht për arsye familjare. Pas një qëndrimi 15-vjeçar në Itali, vendosi të rikthehej në Shqipëri bashkë me familjen. Ndaj ende pa u kthyer, vendosi të marrë masat në kërkim të një universiteti që do i përafrohej cilësisë së atij që po linte në shtetin fqinj dhe që do i njihte sa më shumë kredite dhe do i ofronte programin e njëjtë të studimeve. “M’u desh një kohë për të kërkuar. Pyeta shumë, vizitova disa dhe një profesor italian, i cili kishte kontakte me universitetet në Shqipëri më sugjeroi UET-in”, – tregon Elvi, i cili tani është në vitin e tretë të studimeve për Menaxhim Biznesi. Ia nisi procedurave të transferimit me dosjen e tij, ku përfshinte të gjitha kreditet dhe lëndët që kishte kryer në universitetin italian. “Unë kisha rreth 170 kredite dhe në UET m’u njohën 90 të tilla. Ishte universiteti që ofronte një program studimi të ngjashëm me atë që ndiqja në Itali”. Elvi i transferoi studimet në fillim të vitit akademik 2012-2013 dhe rrëfen se për rreth dy javë stafi i specializuar akademik i UET mori në shqyrtim të gjithë dosjen e programit të studimeve, duke vendosur cilat lëndë i njiheshin dhe cilat ishin lëndët që ai do të ndiqte në UET.

Pas kaq muajsh, e ndjen se është përshtatur më së miri jo vetëm me Shqipërinë, por edhe me universitetin e ri, që është shumë i përngjashëm në nivelin akademik dhe infrastrukturor me universitetet italiane.

Janë të shumtë studentët shqiptarë që çdo vit aplikojnë për të transferuar studimet nga shtete të ndryshme të Europës drejt universiteteve shqiptare, publike dhe private.

 

Nuk janë vetëm studentët që vijnë nga jashtë ata që preferojnë të transferojnë studimet, por edhe studentë që vijnë nga universitetet publike drejt atyre private dhe anasjelltas.

Bora Borishi është një tjetër studente që, në një pikë të caktuar të karrierës universitare vendosi të bënte një lëvizje vendimtare. Pas vitit të parë akademik, transferoi studimet nga Fakulteti i Shkencave të Natyrës ku ishte regjistruar për Informatikë, drejt Universitetit Europian të Tiranës. Tanimë është studente e vitit të dytë në degën Informatikë Ekonomike. “Arsyeja pse vendosa t’i transferoj studimet është e thjeshtë: universiteti publik nuk ishte ai që kisha menduar dhe punuar shumë për arritur deri aty. Atje, nuk ndihesha komode me mënyrën si zhvillohej mësimi apo edhe burokracitë e procedurat që kishte shkolla”. Kështu vendosi të largohej, e megjithëse ende nuk e kishte qartësuar idenë për universitetin ku do të transferonte studimet , do e ndihmonte marketingu i mirë i disa universiteteve për t’i përqendruar opsionet e saj. “Duke qenë se UET-i ofronte një nga degët e mia të preferuara, nuk u lëkunda por vendosa menjëherë” . Ndoqi të gjitha procedurat për transferim duke u informuar në sekretarinë mësimore dhe ekuivalentimi i njohu të gjitha lëndët e kryera në universitetin publik të Tiranës. “Gjatë gjithë kohës këtu jam ndjerë shumë mirë, me ambiente që ofron universiteti me studentë dhe më e rëndësishmja me stafin akademike të cilët më kanë mbështetur në çdo hap. Eksperienca e ndërrimit të shkollës kur je në mes të studimeve mund të duket pak e vështirë apo e pamundur por nëse vjen në UET është e lehte dhe frytdhënëse për arsimimin e çdokujt”,- përfundon Bora.

Nëse për një arsye apo tjetër, të mirëmenduara vendos që transferimet janë hapi i duhur për t’u hedhur, universitetet i kanë dyert e hapura në çdo fillim viti akademik por edhe në çdo fillim semestri si tani për të mirëpritur studentë të rinj dhe për t’ia bërë të mundura të gjitha ato pritshmëri që i bënë të ndryshonin mjedis universitar….

 

 

 

Vera Ahmati

Nga NYUT në UET

 

“ Ishin disa kritere që unë i kërkoja dhe nuk i gjeta aty ku po studioja, kështu që vendosa të shoh diku tjetër. Me transferimin në UET gjeta cilësinë që kërkoja në një universitet”

 

 

Elvi Shehu

Nga “Universita degli studi di Piemonte” drejt UET

Pas një qëndrimi 15-vjeçar në Itali, vendosi të rikthehej në Shqipëri bashkë me familjen. “M’u desh një kohë për të kërkuar. Pyeta shumë, vizitova disa dhe një profesor italian, i cili kishte kontakte me universitetet në Shqipëri më sugjeroi UET-in, i cili është mjaft i ngjashëm në standarde me universitetet italiane”

 

Bora Borishi

Nga Fakulteti i Shkencave të Natyrës, në UET

 “Arsyeja pse vendosa t’i transferoj studimet është e thjeshtë: universiteti publik nuk ishte ai që kisha menduar dhe punuar shumë për arritur deri aty. Atje, nuk ndihesha komode me mënyrën si zhvillohej mësimi apo edhe burokracitë e procedurat që kishte shkolla.

 

5 arsye për t’u transferuar në një universitet të ri

Kjo listë shpjegon pse një transferim studimesh ka kuptim

 

Kushtet financiare

Fatkeqësisht ka studentë që nuk e përballojnë tarifën në universitetin ku janë. Nëse ndjeni presionin e parave, flisni një herë më zyrën e ndihmës financiare dhe familjen dhe pastaj merrni vendimin e transferimit. Ndonjëherë shpërblimi në terma afatgjatë i një diplome cilësore mund të dalë mbi problemet financiare afatshkurtra. Gjithashtu kuptoni se transferimi në një shkollë më pak të kushtueshme nuk do të thotë se po kurseni para. Njihuni edhe me kostot e fshehta të transferimit.

 

Rritje akademike

Ka shumë studentë janë në kërkim për një universitet që ka kritere sfiduese për ambiciet akademike. Në të tilla raste, transferimi do të ishte ide e mirë për ata që gjenden mes këtyre dyshimeve. Një universitet më prestigjioz mund të të ofrojë mundësi më të mira arsimimi dhe karriere.

 

Diplomë e specializuar

Nëse zbuloni në vitin e parë të studimeve se doni të jeni një biolog detar, do duhet t’i transferoni studimet pranë oqeanit. Por edhe nëse mendoni se asgjë nuk ju shkon më shumë sesa një karrierë si fizioterapist , duhet të transferoheni në një nga shkollat e vendit që e ofrojnë këtë studim të specializuar.

Detyrimet familjare

Ndonjëherë familja duhet të marrë përparësi mbi studimet. Nëse duhet të jesh pranë shtëpisë, për shkak të një anëtari të sëmurë të familjes, një transferim në një shkollë tjetër mund të marrë kuptim.

 

Situata sociale

Jeta sociale nuk do të thotë vetëm festa dhe evenimente, por edhe sesi këndvështrimet e ndryshme tolerohen sesi studentë, fakulteti dhe stafi e trajtojnë njëri-tjetrin dhe sesi kampusi mbështeti të mësuarit, zhvillimin dhe shëndetin e kujtdo në komunitet.

 

Ja rregullat për t’u transferuar në UET

*UET-i, në përputhje me parimet e Kartës së Bolonjës, pranon transferime të studentëve në vitet ndërmjetëse nga shkollat e tjera universitare, vendase ose të huaja, publike ose jopublike, dhe lejon transferimin e studentëve të tij në shkolla të tjera. Procedura e transferimit, nga bërja e kërkesës me shkrim nga studenti, deri në njohjen e lëndëve dhe regjistrimin e tij në këtë program studimi, rregullohet me udhëzim të veçantë.

*Studentëve mund t’u njihen kredite të fituara në programe të tjera studimi në fusha të njëjta ose të përafërta, si edhe njohuri dhe aftësi profesionale të certifikuara

*Studenti ka të drejtë të transferojë vetëm lëndë të vlerësuara me notë përfundimtare kaluese. Në rast njohjeje studenti bart notën me të cilën është vlerësuar në programin e mëparshëm të studimit.

*Studenti regjistrohet në vitin e dytë nëse i janë njohur jo më pak se 30 kredite, dhe në vitin e tretë nëse i janë njohur jo më pak se 60 kredite.

*Në çdo rast, studenti që transferon studimet nga një shkollë tjetër në UET, duhet të frekuentojë aq disiplina të programit sa të fitojë të paktën 50% të krediteve teorike të programit të studimit, si dhe praktikën dhe diplomën.

*Procesi i vlerësimit të kurrikulës dhe njohjes së lëndëve bëhet nga Komisioni i Njohjes i Fakultetit.

 

 

Udhëzim i MASH mbi transferimet

Transferimi i studimeve nga Institucionet Publike të Arsimit të Lartë në Institucionet

Private të Arsimit të Lartë dhe anasjellas të behet, sipas kritereve të përcaktuara në

statutet e institucioneve dhe rregulloren e njësisë kryesore ku bëhet transferimi i

studimeve. IAL-të i dërgojnë një listë të studenteve të transferuar, në formë shkresore dhe elektronike (hardcopy dhe ne CD), AKP-së. AKP bën përditësimin e të dhënave dhe transferimin e numrit individual të matrikullimit.

  MAPO

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.