Stresi nga qelia apo shkolla në mes, si u liruan 7 të dënuar për krime të rënda

Tiranë Shtatë të dënuar për krime të rënda janë liruar nga Gjykata e Durrësit në këto kohë tranzicioni pushtetesh. Alarmi vjen nga prokuroria e Durrësit, e cila hedh dyshime mbi gjykatën e këtij rrethi për lirimin e disa të dënuarve për krime të rënda, përgjatë 15 ditëve të fundit. Arsyet e cituara nga gjykata janë nga më të ndryshmet, gati dhe të pabesueshme. Ankthi apo stres i shkaktuar nga ambientet e mbyllura si burgu, kujdesi për bashkëshorten dhe fëmijët, apo prindërit në gjendje jo të mirë shëndetësore janë disa nga arsyet që kanë bërë gjykatën të krijojë bindjen se këta të dënuar duhet të lirohen nga qelitë. Rasti më flagrant, sipas prokurorisë është lirimi i të dënuarit M. Gj, i cili duhet të vuante një dënim prej 23 vitesh burg për akuzën e vjedhjes me pasojë vdekjen. Ky i dënuar duhet të qëndronte edhe për tetë vite në qeli, por gjykata ka pranuar kërkesën për lirimin e tij, duke argumentuar se qëndrimi në burg mund t’i rrezikojë jetën. Lidhur me këtë rast, prokuroria thotë se ky i dënuar paraqet rrezikshmëri të lartë shoqërore duke patur parasysh veprën penale për të cilën është dënuar si dhe problemet që ka shfaqur kohët e fundit. Por rasti të dënuarit M. Gj nuk është i vetmi, pasi referuar të dhënave të prokurorisë, vetëm gjatë 15 ditëve të para të muajit korrik Gjykata e Durrësit ka liruar të paktën shtatë persona, një pjesë e mirë e të cilëve janë dënuar për vepra të rënda penale, si trafik droge, mbajtje narkotikësh, apo grabitje me pasojë vdekjen. Pjesa më e madhe e të dënuarve tashmë të liruar kanë përfituar nga neni 59/a i Kodit Penal, i cili parashikon një sërë kriteresh, sipas të cilave një i dënuar mund ta vuajë në shtëpi pjesën e mbetur të dënimit. Por kushti specifik është dënimi i mbetur, i cili duhet të jetë më pak se dy vite burg, ndërsa më pas përcaktohen edhe kategoritë e të dënuarve që mund të përfitojnë “qëndrimin në shtëpi”. Lidhur me këtë dispozitë të zbatuar nga Gjykata e Durrësit, burime pranë prokurorisë thonë se është marrë për bazë vetëm kriteri ligjor, pra dënimi i mbetur është më pak se dy vite burg. Më tej, Prokuroria pretendon se nuk është zbatuar asnjë prej rregullave të tjera që parashikohen në këtë nen. “Theksojmë se për caktimin e vuajtjes së dënimit me “qëndrim në shtëpi”, gjykata në secilin rast ka marrë parasysh thjesht kriterin ligjor, që ka mbetur pa vuajtur edhe dy vjet burgim, siç parashikon neni 59/a i K.Penal, ndërsa nuk janë marrë parasysh asnjë nga kriteret e tjera që duhet të plotësohen në çdo rast”- tha një burim i prokurorisë. Madje, prokuroria shkon më tej kur thotë se shkaqet e cilësuara nga gjykata për lirimin e këtyre të dënuarve nuk janë aspak ligjore dhe aq më tepër kur diskutohet për ashpërsimin e politikave penale. “Vlen të theksojmë se pranimi i të gjithë kërkesave, është për persona të dënuar për vepra penale të rënda, vepra penale, që paraqesin një rrezikshmëri të theksuar, dhe shkaqet për të cilat gjykata bazohet, nuk janë aspak ligjore dhe të drejta”- thanë burime nga prokuroria e Durrësit. Të kontaktuar lidhur me problematikën e hasur së fundmi në Gjykatën e Durrësit, burime zyrtare pranë Prokurorisë së Përgjithshme thanë se të gjitha rastet do të ndiqen në rrugë ligjore. “Për disa nga vendimet për të cilat prokuroria konstaton se janë jo të drejta, tashmë është bërë ankim në Gjykatën e Apelit. E njëjta procedurë do të ndiqet edhe për vendimet ende të pazbardhura nga gjykata”- thanë burime zyrtare pranë Prokurorisë së Përgjithshme.
MAPO
Add new comment