Statusi kandidat, Tirana “përballet” me Athinën në fillim të vitit 2014

Postuar në 30 Korrik, 2013 02:31

Kalendari - Në tetor pritet që Komisioni Europian të marrë një vendim për dhënien e statusit kandidat për Shqipërinë. Nëse çështja do të mbyllet këtë vit, lehtëson Tiranën, pasi nuk do të duhet të kalojë në “filtrin helen”

Analizë

Qeverisë “Rama” do t’i duhet të normalizojë marrëdhëniet, duke nisur nga pakti i ujërave

Qeveria e re e drejtuar nga Edi Rama, do të jetë e “detyruar” të ristabilizojë marrëdhëniet me Athinën, pasi në janarin e vitit të ardhshëm, Greqia do të ketë presidencën e radhës së Bashkimit Europian, nga e cila hartohet axhenda e zhvillimeve sa u takon marrëdhënieve Tiranë-Bruksel. Siç duket, kreu socialist këtë kishte parasysh, kur në fund të muajit të shkuar, gjatë një interviste për të përditshmen greke “Kathimerini”, deklaroi se “ka marrë fund dimri i marrëdhënieve mes dy vendeve dhe vera do të vijë shpejt në këto relacione”. Në programin e presidencës lituane të Bashkimit Europian që nisi më 1 korrik, ka një kapitull të vogël për çështjen e zgjerimit dhe nuk përmendet fare Shqipëria. Për qeverinë e re të drejtuar nga Edi Rama, nëse gjërat për statusin kandidat mbyllen këtë vjeshtë, atëherë situata do të jetë më e lehtë dhe pa kushtëzimin e pritshëm të Athinës, që e merr drejtimin e BE-së më 1 janar të vitit 2014. Marrëdhëniet mes Tiranës dhe Athinës kanë prej 4 vjetësh një impas dhe nuk kanë avancuar më tej që prej kohës së rrëzimit nga Gjykata Kushtetuese të marrëveshjes së ujërave. Kohët e fundit, pas evidentimit si faktor në parlamentin grek të Partisë ekstremiste “Agimi i Artë”, janë rritur edhe tonet e deklaratave ultranacionaliste dhe raciste ndaj shqiptarëve. Situata pritet të rinegociohet nga e para, pra te marrëveshja e ujërave, për të cilin Edi Rama ka qenë kundërshtari kryesor i saj, duke e dërguar çështjen në Gjykatën Kushtetuese. Në intervistën e dhënë për të përditshmen “Kathimerini”, për caktimin e kufirit detar, deklaroi se “do të duhet të diskutojmë dhe të gjejmë mënyrën e duhur për ta riaktivizuar, me respekt të plotë ndaj pikëpamjeve të njëri-tjetrit, por, nga ana tjetër, me gjithë vullnetin e mirë që kërkon, nga të dyja palët, e ardhmja e përbashkët. Jetojmë në kohë shumë më të ndryshme nga para disa viteve dhe nuk ka mënyrë tjetër veçse të jemi të dobishëm për popujt tanë, pasi duhet të ndryshojmë dhe të ecim bashkë me kohën që edhe ajo ndryshon kaq shpejt. Ajo që emërtohet si ‘lojë energjetike që u hap në rajonin tonë’, është një lojë që nuk mund të luhet mirë, nëse nuk synojmë shpirt skuadre, një shpirt skuadre si rajon”. Në fakt, rruga e Ramës për të lehtësuar marrëdhëniet me Athinën lehtësohet disi, pasi prej qershorit në krye të diplomacisë greke është emëruar kreu i PASOK-ut, Evangelos Venizelos, një aleat i PS-së dhe një parti që ka qëndrime më të ekuilibruara sa u përket emigrantëve dhe marrëdhënieve me fqinjët. Sipas të gjitha gjasave, menjëherë me miratimin e qeverisë së re, pritet që Ramës t’i vijë ftesë qoftë dhe nga Athina apo nga Roma për vizita zyrtare, siç ndodh rëndom për të parë se ku do të orientohet politika e Tiranës. Edi Rama, në fakt, ka dhënë një sinjal, duke vizituar Italinë para se të marrë detyrën e kreut të qeverisë, ku është takuar me Kryeministrin Enrico Leta, por edhe shefen e diplomacisë Emma Bonino. Vizita e Ramës në Itali nuk pati ndonjë reflektim nga Athina, por, nga ana tjetër, duket se nuk është pritur fort mirë, përderisa nuk është ftuar në Greqi fituesi i zgjedhjeve të 23 qershorit. Po t’i kthehemi traditës së marrëdhënies mes dy vendeve, në vitin 1997 kur socialistët fituan zgjedhjet, kryetari i asaj kohe, Fatos Nano, që do të zgjidhej më pas kryeministër u ftua në Greqi, ku iu rezervua një pritje “mbretërore”, që përcaktoi piketat e prioriteteve të marrëdhënieve diplomatike të Tiranës zyrtare. Së shpejti në Shqipëri do të vijë një delegacion i trojkës së BE-së, ku pjesëtar do të jetë edhe një përfaqësues i qeverisë greke, si vend që merr presidencën pasardhëse të Bashkimit Europian. Që në këtë vizitë pritet të shihen shenjat drejtimit, që do të marrë zhvillimi i marrëdhënieve dhe sjellja e Athinës për çështjen e statusit kandidat të Shqipërisë.

 

 

SHQIP

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.