SOT VENDOSET PËR ENERGJINË DHE TELEKOMIN

Në raundin e trembëdhjetë të bisedime mes Kosovës dhe Serbisë, që mbahet sot në Bruksel mes dy kryeministrave Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiç, autoritetet e BE’së pritet të prezantojnë draft- marrëveshjet për çështjet e Telekomit dhe Energjetikës.
Burime të Express bëjnë të ditur se palët kanë afrime sidomos sa i përket çështjeve të energjetikës, por kanë po tentojnë të vendosin në nivel kryeministrash për telekomin respektivisht kodin telefonik dhe licencimin e një operatori serbë mobil në Veri.
Nga Zyra e lehtësueses së dialogut, Baroneshës Catherine Ashton, Express i është thënë se Thaçi dhe Daçiç do të bisedojnë për zbatimin në praktikë të marrëveshjes së prillit, pa hyrë në detaje tjera.
“Ata do të diskutojnë për hapat e mëtejmë në implementim:”, ishte përgjigja e Maja Kocijancic dhënë për Express të dielën.
Përderisa më konkret ishin zyrtarët e Prishtinës rreth takimit të nesërm.
Kryenegociatorja kosovare në bisedimet teknike për çështjet e implementimit të marrëveshjes Edita Tahiri bëri të ditur për Express disa pika të draft marrëveshjeve në fushën e telekomit dhe energjetikës për të cilat palët do të bisedojnë nesër (sot).
“Sa I përket konkretisht për telekomin dhe energjinë mund t’iu informojë që tashmë për të dyja këto çështje ekzistojnë draft- marrëveshjet, të cilat BE’ja I ka hartuar në bazë të diskutimeve tre-paleshe në gjithë këtë periudhë të bisedimeve dhe fakti që ekzistoj ë këto nënkupton që janë afruar qëndrimet mes palëve mirëpo ende ka çështje që duhet të drejtohen në nivel të takimit të kryeministrave të të dyja shteteve dhe baroneshës Ashton”, tha Tahiri.
Sipas saj parashihet që për çështje të telekomit të dyja palët të pajtohen për fillimin e bashkëpunimit. Përderisa tha se sa i përket Kodit telefonik, i mbetet BE’së që të aplikojë në emër të Kosovës në ITU për kod shtetëror.
“Ajo kryesorja që gjithmonë që e kemi thënë është se është pranuar që Kosova të ketë kodin telefonik shtetëror të cilin do t’ia ndajë ITU dhe që BE do të ndihmojë në procesin e marrjes së kodit shtetëror për Kosovën, duke shuar dilemën e përparshme që Serbia ka tentuar të bëjë aplikimin në emër të Kosovës dhe ju e dini që ne e kemi kundërshtuar këtë fakt pra zgjidhja është që BE’ja si ndërmjetësuese të bëjë veprime të cilat shkojnë në drejtim të komunikimit me ITU’në për t’ia dhënë Kosovës kodin shtetëror”, tha Tahiri për Express.
Ajo po ashtu tha se pala kosovare ka ofruar edhe zgjidhje për licencimin e ndonjë kompanie të re serbe në Kosovë si operatorë mobil.
Por, Tahiri theksoi se assesi nuk do të pranohet që të licencohet një operator aktual i Serbisë siç është përmendur nga pala serbe, Telekomi serb.
“Ka mundësi që në bazë të kornizës ligjore të Kosovës për Telekomin për licencime më të kufizuara dhe që nuk kërkojnë tenderim dhe për këto zgjidhje të kufizuara ne kemi themi të gatshëm të ofrojmë zgjidhje. Por dua të sqarojë se këtu nuk është fjala për të bërë një licencim për ndonjë kompani telekomunikuese të Serbisë kjo nuk është e saktë ndonëse kështu ishte deklaruar pala serbe se telekomi serb do të licencohet. Do të jetë kompani e re që regjistrohet në Kosovë dhe do të regjistrohet pranë Ministri së Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës”, tha Zëvendëskryeministrja Tahiri.
Çështje të tjera të cilat pritet të diskohet sot mes kryeministrave janë edhe ato të energjisë por edhe të drejtësisë dhe sigurisë.
Sipas Tahirit edhe në këto fusha ka përparime.
Një prej tyre tha se është pajtimi për bashkëpunim në fushën e energjisë.
“Pas korrikut 2014 sipas marrëveshjes,operatori rregullues i Kosovës do të mundtë hap tregun për energji dhe të licencojë edhe operatorë tjerët të energjisë pra bëhet fjalë për liberalizimin e tregut pas korrikut 2014 por ta kemi të qartë operator publik mbetet vetëm KEC’i”, tha Tahiri.
“Një çështje tjetër është ajo e fillimit të rregullimit të pagesave të energjisë elektrike nga konsumatorët e pjesës veriore. Në këtë rast marrëveshja është që një kompani serbe e cila themelohet në Republikën e Kosovës por me veprim në pjesën veriore mund të ketë aktivitet komercial për t’i bërë këto shërbime. Por për ta bërë këtë veprim kjo kompani duhet të hyjë në bisedime me KEC, operatorin publik të Kosovës i cila tashmë është operatori i vetëm publik për furnizimin dhe distribucion”, shtoi ajo.
Sa i përket çështjes së gjykatave në veri, Tahiri tha se nuk do të ketë Gjykatë të Apelit sipas kërkesës së serbëve në veri por vetëm divizion.
“Në veri do të ketë vetëm divizion të Gjykatës së Apelit dhe në asnjë rrethanë nuk do të ketë në pjesë tjera, tendencat e palës serbe në këto bisedime ka qenë gjithmonë të krijohet diçka etnike por ne e kemi kundërshtuar plotësisht dhe për këtë e kemi edhe përkrahjen e Bashkimit Europian”, tha ajo.
Ndryshe ky është raundi i 13’të i bisedimeve Kosovë-Serbi në nivel kryeministrash dhe me lehtësimin e Bashkimit Europian me ndërmjetësuesen Catherine Ashton.
EXPRESS
Add new comment