Sondazhi: PS fiton me 57.3 për qind të votave

Përafërsisht 48% e shqiptarëve nuk e ndjejnë veten afër me asnjë parti, rreth 23% e ndjejnë veten afër me PD-në, rreth 20% me PS-në.
Vetëm një fije peri i ndan dy forcat kryesorepolitike, sipas sondazhit të Fondacionit Soros publikuar dje në Tiranë. Partia Socialiste ka për momentin shumicën e votuesve në rang vendi me 57.3 % të votave, PD ka 56.7 % të votave dhe blloku i qendrës (ku hyjnë LSI, AK, FRD, PBDNJ, PDIU) marrin së bashku 14.4 për qind. Por ajo që befason nga të dhënat e studimit të Sorosit, është përqindja e lartë zonës gri. Përafërsisht 48% e shqiptarëve nuk e ndjejnë veten afër me asnjë parti, rreth 23% e ndjejnë veten afër me Partinë Demokratike, rreth 20% me Partinë Socialiste, dhe 4% refuzojnë t’i përgjigjen kësaj pyetje. Për partitë e vogla, 1% e qytetarëve shprehen afër me PDIU-në dhe po kaq me LSI-në, 1.2% me Aleancën Kuqezi dhe 1.3% me Frymën e Re Demokratike. Partia Demokratike dhe Partia Socialiste kapin pak më shumë se gjysmën e elektoratit potencial sipas përkatësisë ideologjike. Konkretisht, 56.7% e qytetarëve që shprehen djathtas, shprehen edhe më të afërt me Partinë Demokratike, dhe 57.3% e qytetarëve që shprehen majtas ideologjikisht, shprehen më të afërt me Partinë Socialiste. Rreth një e treta e qytetarëve si djathtas, si majtas, nuk ndihen afër me asnjë parti.
Sondazhi
Në pyetësorin e fondacionit SOROS shtrohet pyetja se cila është partia me të cilën ndihen më afër shqiptarët? Sipas këtij sondazhi, 47.8 % të tyre janë përgjigjurse nuk ndihen afër një partie si , PS, PD, LSI, FRD. PBDNJ, AK dhe PDIU. Janë përgjigjur pozitivisht për PD-në, 22.7 % e të kontaktuarve, në vend të dytë është PS-ja me PS 19.6 %, më pas, FRD-ja e Bamir Topit me 1.3 %, AK-ja e Kreshnik Spahiut me 1,2% dhe në fund preferencat e shqiptarëve kanë qenë për LSI-në dhe PDIU-në me nga 1,0% të të anketuarve. Fenomeni “Grillo” me lëvizjen “5 Yjet” që tashmë ka pushtuar Italinë fqinje rrezikon të infektojë dhe Shqipërinë, kjo pasi dy partitë e mëdha Partia Socialiste dhe Partia Demokratike, pra Edi Rama dhe Sali Berisha, tashmë nuk janë më të preferuarit e shqiptarëve. Kjo tregohet edhe nga grafiku tjetër ku fondacioni jep perceptimin e anketuesve për atë çka kanë votuar dhe atë çka pritet të votojnë. Sipas sondazhit, qytetarët, pyetjes: majtas, në qendër apo djathtas, i janë përgjigjur në mënyrë gati të barabartë, ku të majtët e PS-së marrin 57,3%, të qendrës (ku futen AK, FRD, PBDNJ, LSI, PDIU etj.) marrin 14.4 % të votuesve dhe të djathtët e PD-së 56,7%. Gjatë këtij perceptimi diferenca mes PS-së dhe PD-së është rreth 1% e votuesve që do të votojnë për socialistët, por një përqindje shumë e madhe e tyre janë me partitë e qendrës. Një tjetër pyetje që i është bërë publikut shqiptar nga fondacioni SOROS është se për cilën parti kanë votuar në 2009-n dhe cila është partia më të cilën ndihen më afër sot? Rreth këtij perceptimi shqiptarët në shumicën e tyre dërmuese janë përgjigjur se kanë votuar për PS-në dhe rreth 63,3% e tyre do ta votojnë përsëri, por nga të njëjtët votues rreth 30,6% e tyre nuk do ta votonin më këtë subjekt politik. Në vend të dytë të këtij perceptimi vjen PD-ja me 54,5% të votuesve që do ta votojnë përsëri, por me një përqindje shumë të lartë të të pakënaqurve që nuk do ta votojnë përsëri, me rreth 36,7%. Rënien më të madhe të votuesve, sipas sondazhit të SOROS, do ta ketë në këto zgjedhje LSI-ja dhe Ilir Meta, ku sipas perceptimit të sondazhit, vetëm 33,3% e votuesve do ta votojnë përsëri këtë subjekt politik, 60,0% e tyre nuk do ta votojnë përsëri. Parti që do të jenë pothuajse në të njëjtat kuota në këto zgjedhje do të jenë PBDNJ-ja e Vangjel Dules dhe PDIU-ja e Shpëtim Idrizit. Për PDIU-në 75 % e votuesve do ta votojnë përsëri dhe vetëm 25,0% e tyre nuk do ta votojnë sërish, ndërsa për PBDNJ-në e Dules, 80,0% e votuesve do ta votojnë përsëri dhe vetëm 20,0% nuk do ta rivotojnë
atë.
Arsimi dhe shëndetësia
Dy nga sektorët më të diskutuar në vend, por të publikuara nga qeveria shqiptare dhe PD-ja si dy nga reformat dhe arritjet më të mëdha si arsimi dhe shëndetësia, kanë ngelur në klasë për shqiptarët. Sipas raportit të SOROS, perceptimi i shqiptarëve të pyetur për këto dy çështje ka qenë negativ duke mos marrë notë kaluese. Nga vlerësimi që i bëhet sipas Fondacionit, nota 0 deri në 10, shqiptarët e kanë vlerësuar sistemin arsimor me notën 4.9, ndërsa më keq ka qenë sistemi shëndetësor ku shqiptarët e kanë vlerësuar me notën jo-kaluese 4.0.
Funksionimi i demokracisë
Shqipëria merr notën shumë të ulët, 3,8, sa i përket funksionimit të demokracisë në vend, ku renditet pas Rusisë dhe Sllovakisë dhe në vend të parë është Zvicra. Gjatë sondazhit të fondacionit, shqiptarët i janë përgjigjur pyetjes, ‘se sa demokratike është Shqipëria?’ duke dhënë një notë jo-kaluese 4.5, dhe duke e vlerësuar rëndësinë e demokracisë në vend me notën 8.9, një note që tregon se shqiptarët e duan demokracinë në vend, por ata po privohen gjithnjë e më shumë gjatë këtyre viteve.
Qeverisja dhe besimi
Qeverisja dhe sa të kënaqur janë qytetarët shqiptarë nga qeverisja e PDsë dhe kryeministrit Sali Berisha, ka qenë një tjetër perceptim negativ i qytetarëve shqiptarë. Sipas sondazhit të SOROS, qytetarët kanë vlerësuar me notën 3,3 punën e qeverisë Berisha. Negative kanë qenë notat po ashtu dhe ndaj perceptimeve si; besueshmëria në polici, ndaj ligjit, politikës dhe parlamentit.
Kush e realizoi sondazhin
Realizimi i Sondazhit "Social Evropian" që koordinohet nga zyrat qendrore në ‘City University of London’ është bërë në bashkëpunim me fondacionin Soros. Gjatë muajit dhjetor 2012 – shkurt 2013 janë kryer në Shqipëri 1.208 intervista të vlefshme, ballë për ballë, shtëpi më shtëpi, në të 12 qarqet e Shqipërisë, në fshat dhe qytet. Teknika e intervistimit sjell risi në Shqipëri, pasi intervistat janë kryer nëpërmjet tabletave kompjuterike që mundësojnë hedhjen e të dhënave në kohë reale në kompjuter duke evituar kështu gabimin njerëzor në kalimin e tyre nga letra në kompjuter, por edhe problematikat e njohura me ndershmërinë në intervistim. Hulumtimi Social Evropian kryhet sot në mbi 30 vende të Evropës dhe më tej, për të kuptuar stofën sociale, politike dhe kulturore të shoqërive të ndryshme. Pyetësori mbulon përfshirjen sociale, besimin fetar, besimi tek institucionet dhe politika, këndvështrimet mbi demokracinë si dhe perceptimet e njerëzve për mënyrën se si po shkon jeta e tyre.
Papunësia, 37 % e shqiptarëve me 9,630 lekë në muaj
Rrëzohen pretendimet e qeverisë për papunësinë dhe varfërinë në vend. shifrat janë tronditëse. Afro 37 për qind e familjeve jetojnë me më pak se 10 mijë lekë në muaj. Gjysma e të pyeturve janë të papunë. Sondazhi i SOROS, zbulon se afro 37 për qind e familjeve shqiptare disponojnë të ardhura mujore prej më pak se 9,630 lekë, një shifër kjo poshtë minimumit jetik, duke sugjeruar se varfëria është rritur me hapa marramendës gjatë viteve të fundit. Sondazhi zbuloi gjithashtu se 20 për qind e Njësive Ekonomike Familjare kanë të ardhura mes 9,600 dhe 15,600 lekë në muaj, ndërkohë që vetëm 1.2 për qind e familjeve kanë të ardhura prej më shumë se 95 mijë lekë në muaj. Instituti i Statistikave kreu një vrojtim të ngjashëm në vitin 2007, ku zbuloi se familjet nën minimumin jetik qenë reduktuar ndjeshëm gjatë viteve të bumit, por nuk ka kryer asnjë studim të tillë që nga ajo kohë, kur Shqipëria është prekur nga kriza ekonomike botërore. Po sipas sondazhit, afërsisht gjysma e popullatës shqiptare, sipas vrojtimit, rezulton e papunë në kërkim aktiv për punë ose e papunë që dëshiron të punojë, por beson se nuk ka punë të disponueshme. Vrojtimi ka nxjerrë statistika shumë të ndryshme nga ato zyrtaret në Shqipëri, të cilat thonë se më pak se 13 për qind e shqiptarëve janë të papunë në kërkim të punës. Të pyetur për aspekte të punësimit dhe ekonomisë, rreth 84% e qytetarëve shprehen se nuk kanë bërë dhe nuk bëjnë pjesë në një sindikatë, dhe rreth 48% shprehen që janë duke punuar pa kontratë. Të pyetur për besimin fetar dhe praktikumin e tij, gjetjet paraprake sugjerojnë një shoqëri që e sheh veten si besimtare në masën 7.8 në një shkallë nga 0 në 10, ku 0 nënkupton jo besimtar dhe 10 tejet besimtar. Nga ana tjetër shumë pak prej tyre duket se e kanë të lidhur besimin e tyre me institucionet dhe ritet fetare të rregullta, me vetëm 12% të qytetarëve që pohojnë se ndjekin shërbesa fetare të paktën një herë në javë. Besimi dhe diversiteti seksual Të krahasuara me gjetjet përfundimtare
të të njëjtit sondazh në 27 vende të tjera në vitet 2010-2011, gjetjet paraprake për Shqipërinë sugjerojnë se shoqëria shqiptare është më homofobe se 27 të tjerat. Të pyetur nëse mendojnë se gej-t dhe lesbiket duhet të jenë të lirë të jetojnë si të dëshirojnë, 53% thonë “Jo”, përqindje më e lartë edhe se disa vende fqinje si Kroacia dhe Greqia. Një e dhënë interesante që bie në sy është se shqiptarët deklarohen besimtarët më të mëdhenj në Evropë. Shkalla e besimit në Shqipëri është 7.3 nga 10, duke lënë shumë prapa shoqëri ku feja ka një ndikim mjaft të madh si Irlanda apo Izraeli. Por ndërkohë, të pyetur se sa është numri i atyre që marrin pjesë në shërbime fetare njëherë në javë, këtu jemi ndër vendet e fundit në Evropë, pasi vetëm 12 për qind thonë se marrin pjesë në shërbime fetare. Një e dhënë interesante është se nga të gjithë shqiptarët që shohin televizor, rreth 13 për qind kalojnë më shumë se dy orë në ditë duke ndjekur lajme politike, që është niveli më i lartë në Evropë. Po sipas këtij sondazhi, Shqipëria është vendi më homofobik në Evropë. Kështu, 53 për qind e shqiptarëve besojnë se gej-t dhe lezbiket nuk duhet të lejohen të jetojnë jetën e tyre siç duan, që është përqindja më e madhe në Evropë. Në Holandë vetëm 3 për qind mendojnë kështu si shqiptarët. Shumica e shqiptarëve nuk përkrahin bashkëjetesën dhe 95 për qind thonë se nuk kanë jetuar kurrë me partnerin para martesës.
SHEKULLI
Add new comment