Sondazhi IPR: Rama personazhi më i besuar nga shqiptarët

Postuar në 30 Janar, 2014 15:56

Kryeministri Edi Rama është personazhi që shqiptarët i besojnë më shumë, me 48,1% përgjigje pozitive, dhe puna e qeverisë së tij është cilësuar si pozitive nga shumica e shqiptarëve. Ky ka qenë konkluzioni i sondazhit të bërë nga “Ora News” më bashkëpunim me kompaninë e sondazheve IPR, i cili u publikua sonte.

Sondazhi është zhvilluar gjatë datave 22 dhe 23 Janar ku janë pyetur 2000 persona me një marzh gabimi prej 3.2%. Qytetarët janë pyetur për një sërë çështjesh të fokusuara për qeverisjen e Edi Ramës në këto 4 muaj, për problemet kryesore të vendit tonë, për integrimin europian etj.

Qytetarët gjatë sondazhit janë pyetur se si jetohet sot në Shqipëri dhe përgjigja e tyre ka qenë tërësisht negative ku 54,4% i janë përgjigjur që jetohet më keq dhe 35,4% kanë thënë që jetohet më mirë. 10,2% e tjerë kanë qenë të pavendosur. E krahasuar me një vit më parë shqiptarët janë përgjigjur se jetohet më keq në një masë prej 42,8%, jetohet më mirë janë përgjigjur 22,5% ndërsa jetohet në të njëjtën mënyrë janë përgjigjur 33,6%.

Personazhet më të besuar nga shqiptarët

Edi Rama është personazhi që shqiptarët i besojnë më shumë me 48,1% përgjigje pozitive. Më pas vijnë kryetari i parlamentit, Ilir Meta me 44,9%, Presidenti i Republikës me 37,8%. Lulzim Basha duket se e ka mundur më në fund ish-kreun e PD-së, Sali Berishën, të paktën për sa i përket besimit të shqiptarëve. Basha ka marrë përgjigje pozitive nga 33,4% ndërsa Berisha 31,3%.

Qeveria Rama

Vijmë tek qeveria. Cili është gjykimi i shqiptarëve për punën e qeverisë Rama deri në këto muaj? Kanë gjykim shumë pozitiv 11,7% e shqiptarëve. Mendim pozitiv, 45,2%. Negativ kanë qenë 23,1% e qytetarëve ndërsa shumë negativ janë 12,2%. Pa përgjigje kanë qenë 7,8% e qytetarëve. Në vija të përgjithshme duke bashkuar mendimin pozitiv dhe negativ del se 56,9% kanë mendim pozitiv dhe 35,3% kanë mendim negativ.

Ndërsa puna e qeverisë del se krijon një mendim pozitiv, pritshmëritë e shqiptarëve për punën e Edi Ramës në këto muaj janë negative. Për 47,6% të shqiptarëve puna e kryeministrit është nën pritshmërinë e tyre. Për 15,8% është mbi pritshmëritë e tyre dhe 28% të tjerë mendojnë se është e njëjta punë si pritshmëria e tyre.

Lufta kundër krimit

Lufta kundër krimit dhe siguria është e balancuar sipas mendimit të qytetarëve për punën e qeverisë. 50,7% kanë mendim pozitiv për luftën kundër krimit ndërsa 45% kanë mendim negativ. Për sa i përket besueshmërisë së ndërkombëtarëve kundrejt qeverisë sonë, puna e qeverisë ka lënë mbresa.

Ministrat më të votuar

Ministri Tahiri me 47,1%, ministri Bushati me 46,4% dhe ministrja Kodheli me 45,4% të votave, janë tre ministrat më të kuotuar të qeverisë Rama për performancën e tyre. Një tjetër e dhënë interesante lidhet edhe me paketën fiskale që qeveria miratoi muajin e parë. 43,2% e shqiptarëve mendojnë se do paguajnë më shumë taksa se më parë, 25,2% mendojnë se do paguhen më pak taksa, 18,3% mendojnë se as më shumë e as më pak ndërsa ata që nuk e dinë janë 13,3%.

Shekulli

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.