Sondazhi: E majta thellon fitoren me 7 për qind

65.4 për qind e shqiptarëve duan taksën progresive që propozon PS-ja
Herion Mesi
Nëse shqiptarëve do t’u kërkohej që të votonin sot, koalicioni i majtë do t’i fitonte zgjedhjet me shtatë pikë para koalicionit të djathtë. Është ky rezultati i sondazhit të tretë, i realizuar nga kompania e njohur europiane e sondazheve “IPR Marketing”, që u publikua dje në mbrëmje në emisionin “Tonight Ilva Tare”. Sipas rezultatit të përllogaritjes së votës në rang kombëtar, koalicioni i majtë është ngritur me dy pikë nga sondazhi i dy javëve më parë, ku nga 48 për qind, arrin të sigurojë 50 për qind të votave të shqiptarëve. Kurse koalicioni i djathtë ka pësuar një rënie të lehtë me 0.5 për qind nga sondazhi i dytë ku nga 43.5 për qind të votave që ishte dy javë më parë, e djathta siguron vetëm 43 për qind. Sa u përket përqindjeve të partive kryesore, sipas “IPR Marketing” rezulton se, PS-ja ka pësuar rritje, ku nga 38 për qind ka arritur në 40 për qind. Ndërsa, PD-ja ka pësuar një rritje të lehtë prej 0.5 për qind, duke marrë 38.5 për qind të votave, nga 38 për qind që kishte dy javë më parë. Ndërsa LSI-ja ka ruajtur të njëjtat nivele që kishte dy javë më parë, me vetëm 6.5 për qind të votave në rang vendi brenda dy javësh. Nga ana tjetër, sipas ekspertëve zgjedhorë, dy partitë që garojnë si të pavarura, Fryma e Re Demokratike merr 3.7 për qind dhe Aleanca Kuqezi arrin të sigurojë vetëm 2 për qind, duke shënuar sërish rënie gjatë këtyre dy javëve të fundit.
Gara në Fier
Përveç sondazhit kombëtar dje në mbrëmje, kompania “IPR Marketing” publikoi edhe një sondazh të dytë rajonal, i zhvilluar vetëm në Qarkun e Fierit. Sipas sondazhit, ndarja e mandateve në Fier është 10 me 6 në favor të koalicionit të drejtuar nga Edi Rama. Konkretisht, koalicioni i majtë “Aleanca për Shqipërinë Europiane” kryeson me 56.7 për qind të votave, kurse koalicioni i djathtë “Aleanca për Punësim, Mirëqenie dhe Integrim” merr 39.3 për qind të votave. Ndërsa duke iu referuar përqindjeve të marra si parti, PS-ja merr 46 për qind të votave, LSI-ja merr 7 për qind, PD-ja merr 30 për qind dhe PDIU-ja merr 4.5 për qind. Sa u përket ndarjes së mandateve për secilën nga këto parti rezulton se 9 mandate i ka PS-ja dhe 1 mandat LSI-ja, ndërsa tek e djathta, 5 mandate shkojnë për PD-në dhe 1 mandat e merr PDIU-ja. Ndërsa FRD-ja dhe AK-ja nuk marrin asnjë mandat. Ajo që bie në sy nga zgjedhjet e kaluara, është rritja e votave për të majtën, ku nga 9 mandate që siguroi në zgjedhjet e 2009-s, ajo arrin të sigurojë 1 mandat më shumë.
Taksat
Të pyetur nga kompania italiane në lidhje me taksat në vend, 48 për qind preferojnë të paguajnë më pak taksa dhe të marrin më shumë përfitime nga shteti. Ndërsa, 40.3 për qind kërkojnë të paguajnë më shumë taksa e të marrin më shumë shërbime. 17 për qind thonë se nuk e dinë. Në katër muajt e fundit 47.4 për qind mendojnë se taksat janë shtuar, ndërsa 33.4 për qind e shqiptarëve mendojnë se taksat janë njësoj. Të pyetur nëse e dinë se çfarë është taksa e sheshtë apo taksë progresive “Po me saktësi” përgjigjen vetëm 23.3 për qind, por “Po në përgjithësi”, janë përgjigjur 31.1 për qind. 23.3 për qind thonë se e dinë me saktësi. Të pyetur për taksën progresive 65.4 për qind e mbështesin atë, ndërsa taksën e sheshtë e mbështesin 25.6 për qind të të anketuarve. Kurse 9 për qind thonë nuk e di.
Mediat
Të pyetur se kë mbështesin gazetat dhe televizionet në këtë fushatë, 35.3 për qind thonë se janë të ekuilibruar, 23.8 për qind thonë se mediat mbështesin qeverinë, 12.5 për qind thonë se mbështesin opozitën, kurse 27 për qind nuk e dinë.
Premtimet
Shqiptarët nuk besojnë te premtimet elektorale, pasi janë plot 72.8 për qind që thonë se premtimet janë të parealizueshme, pasi nuk ka fonde të mjaftueshme. Vetëm 21 për qind tonë se janë ekonomikisht të realizueshme. 6.2 për qind thonë se nuk e dinë.
SHQIP
Add new comment