SKANDALI/ Si mashtroi Patton Boggs për garancinë inekzistente të blerjes së Albpetrol

Qeveria shqiptare lajmëroi të premten se ka bërë të pavlefshme ofertën fituese të një konsorciumi të drejtuar nga një biznesmen shqiptar, në tenderin për kompaninë shtetërore të naftës, Albpetrol.
Vendimi për të anuluar rezultatin e një tenderi qartësisht me probleme, i jep fund asaj që po bëhej një turp kombëtar për qeverinë shqiptare, e cila është duke u përpjekur të bindë BE-në se po lufton korrupsionin dhe nepotizmin në një nga qoshet më të varfra në Europë, që ka nevojë dëshpëruese për investime të huaja. Megjithatë mbeten pyetje serioze në lidhje me sjelljen e fituesit të tenderit, një biznesmen vendas, Rezart Taçi, si dhe të qeverisë shqiptare dhe konsulentit të tenderit, firmës ligjore amerikane Patton Boggs.
Ministri i Energjisë, Edmond Haxhinasto, theu një heshtje dymujore mbi afatin e tenderit të tetorit 2012, kur tha në një televizion kombëtar se qeveria ka vendosur të cilësojë të pavlefshme ofertën e parë, pasi Vetro nuk pagoi dot 170 milion euro, e barabartë me 20 përqind të ofertës fituese.
Vetro, me bazë në Çikago, e bëri ofertën përmes konsorciumit Vetro Silk Road Equity, të regjistruar në Singapor. Oferta e tyre ishte gjigande, plot 850 milion euro për Albpetrolin, që ishte më shumë se dyfishi i ofertës së dytë të kinezëve të Win Business dhe trefishi i ofertës së tretë nga Bankers Petroleum të Kanadasë. “Ky vendim autorizon grupin e negociatorëve që të vazhdojë vlerësimin e ofertave të tjera,” tha Haxhinasto për Top Channel.
Deklarata e fundit publike nga Vetro ishte në dhjetor, kur konfirmoi se i ishte kërkuar nga qeveria shqiptare që të paraqiste garancinë prej 170 milion eurosh. Nëse do besohej Vetro, garancia nuk do ishte problem për shkak se Taçi, aksionari kryesor i Vetro-s, që ka lidhje të ngushta me kryeministrin Sali Berisha, tha në nëntor se nuk është problem pagesa.
Pritshmëritë ishin të larta, për shkak se zëvendësministri i Energjetikës, Sokol Dervishaj, tha para gazetarëve më 10 dhjetor se nëse Vetro nuk depoziton të ardhurat, qeveria do të marrë 10 përqind të ofertës, sipas rregullave të tenderit. Kjo ofertë ishte garantuar nga një institucion financiar me reputacion të lartë, në këtë rast American Chartered Bank me qendër në Çikago.
Por ne zbuluam se American Chartered nuk ka lëshuar një garanci të tillë prej 10 përqind. “American Chartered nuk mund të diskutojë ose të zbulojë detaje nga marrëdhëniet me klientët, por mund të konfirmoj se American Chartered Bank nuk është përfshirë në transaksionin në fjalë,” shkroi një këshilltar ligjor i kësaj banke në një e-mail që mban datën 13 dhjetor 2012.
Dyshimet në lidhje me ekzistencën e garancisë bankare janë mbështetur edhe nga Geri Kokalari, themelues i organizatës Shqiptarët për një Shqipëri Demokratike, që është angazhuar në luftë kundër praktikave korruptive në Shqipëri. Ai na tha se ka kontaktuar një zyrtar të Korporatës për Sigurimin e Depozitave, një institucion në SHBA që garanton sigurinë e depozitave, dhe ai i ka thënë se nuk ka një garanci për Vetro-n për të blerë Albpetrolin. Në fakt, American Chartered është një bankë lokale, me totalin e aseteve prej 2.3 miliard dollarë. Një garanci prej 85 milion dollarë do ishte 5 përqind e aseteve totale.
Postimi i garancive të tilla është i rëndësishëm për çdo privatizim të madh. Në rast dështimi, kompania skualifikohet automatikisht. Megjithatë, jo vetëm që Vetro nuk i skualifikua, por deklaratat e saj se ka një garanci në American Chartered u mbështetën pa asnjë mëdyshje nga komisioni qeveritar që ka për detyrë të mbikëqyrë tenderin si dhe nga këshilltari i tenderit, Patton Boggs, një firmë ligjore me bazë në Uashington, që bën avokatinë e punës së qeverisë amerikane në SHBA.
Në tetor të vitit 2012, buletini zyrtar i Republikës së Shqipërisë theksonte se Vetro ka paraqitur garancinë në shumën 85 milion euro. Buletini vazhdon duke thënë se komisioni ka kryer veprimet dhe i ka kërkuar Patton Boggs që të verifikojë këtë gjë tek American Chartered Bank. “Në një letër që mban datën 25 shtator 2012, një përfaqësues i Patton Boggs, David Farber, konfirmoi se ka kryer verifikimet në këtë bankë dhe informoi komisionin se garancia është e vlefshme dhe e mbuluar me kolateral të përshtatshëm,” thekson buletini. “Në këto kushte, ne vlerësojmë se garancia është e vlefshme dhe plotëson qëllimin e saj të besueshmërisë financiare”.
Vetro refuzoi që të na përgjigjej për këtë çështje. Megjithatë, një burim pranë Taçit, citohet nga Reuters të ketë thënë se ishte i habitur nga vendimi për shkak se po punohej për marrëveshjen finale.
Patton Boggs po ashtu nuk na u përgjigj.
TEMA
Add new comment