Skandali, Austria sjell mostrat e të dyshuarve

Pas lindjes së fëmijës së Florije Pecit, do të bëhet analiza e ADN-së. E aksidentuara e Himarës kthehet në Librazhd
Prokuroria e Austrisë, para disa ditësh, ka kthyer përgjigjet që grupi hetimor në Tiranë ka kërkuar në lidhje me çështjen e skandalit seksual, me pasojë shtatzëninë e Florije Pecit, të mbijetuarës të aksidentit të Himarës. Menjëherë pas marrjes së dosjes, autoritetet austriake nisën punën për të ndihmuar homologët shqiptarë, në zbardhjen e abuzimit seksual mbi pacienten 22-vjeçare. Veprimi i parë që ata kanë bërë ishte përpilimi i listës së personave që e mbijetuara ka pasur kontakt. Personat në fjalë, përfshi stafin mjekësor, emigrantët shqiptarë e të tjerë, janë marrë në pyetje. Pas kësaj, të dyshuarve u janë marrë mostra biologjike, për t’iu nënshtruar analizave. Në përfundim të hetimeve, autoritetet austriake e kanë sjellë dosjen në Shqipëri, në mënyrë që Prokuroria e Tiranës të vijojë punën për zbardhjen e skandalit seksual që i është bërë Florije Pecit. Pavarësisht kësaj, hetimet duket se do të zgjasin edhe për disa muaj. Grupi hetimor është në pritje të lindjes së 22-vjeçares, në mënyrë që foshnja t’u nënshtrohet analizave të ADN-së. Në bazë të kësaj do të bëhen krahasimet, për të gjetur përputhshmërinë qelizore, çka do të ndihmojë në gjetjen e autorit të krimit që ka abuzuar seksualisht mbi Florijen.
Florija kthehet në shtëpi
Që prej muajit janar të këtij viti, Florije Peci qëndronte e shtruar në maternitetin “Mbretëresha Geraldinë” në Tiranë. Mjekët janë kujdesur që shtatzënia të ecte normalisht dhe pasi janë bindur që ajo nuk ka asnjë shqetësim, i kanë dhënë leje të kthehet në shtëpi. Burimet thonë se e mbijetuara e Himarës është në gjendje të mirë shëndetësore. Ajo tashmë ka hyrë në muajin e shtatë të shtatzënisë dhe e gjithë familja është angazhuar në kujdesin ndaj foshnjës që ajo po pret. Vëllai i Florijes, Gazmend Peci, nuk dëshiron të komentojë situatën dhe është mjaft i rezervuar në ato që thotë. Gjithsesi, ai shprehet i sigurt se gjithçka do të zbardhet prej Prokurorisë së Tiranës. “Çdo gjë do të dalë në dritë. Është vetëm çështje kohe sepse nuk ka ku të shkojë. Prokuroria shqiptare është angazhuar maksimalisht me këtë punë”, shprehet Gazmendi, pa dhënë shumë detaje. I vëllai e ka ndjekur çështjen hap pas hapi për të kërkuar me ngulm autorin që abuzoi mbi trupin e Florijes, e cila nuk është në gjendje mendore dhe fizike që të kujdeset për veten.
Abuzimi seksual
Skandali u bë i njohur publikisht nga i vëllai i Florijes. Gazmend Peci, në janar të këtij viti, i kishte dërguar një letër Prokurorisë së Përgjithshme, ku parashtronte të gjitha pretendimet e tij, që e motra është dhunuar seksualisht në një kohë kur ajo ka qenë e pavetëdijshme për t’u mbrojtur. Përgjigjja nuk i erdhi për javë të tëra, duke e detyruar Pecin që ta bëjë skandalin publik. Pas kësaj, grupi hetimor nisi përpjekjet për t’u kërkuar autoriteteve austriake nisjen e hetimeve. Familja e 22-vjeçares pretendon se e mbijetuara e aksidentit të Himarës ka ngelur shtatzënë, gjatë kohës që ajo po kurohej në një qendër rehabilitimi në shtetin austriak. Shtatzëninë e së mbijetuarës, familjarët e kuptuan pas katër muajsh, gjatë një vizite rutinë në Spitalin e Librazhdit, më 16 janar të këtij viti. Pas kësaj, ata kanë nxituar në spital që të abortojnë fëmijën, por kërkesa u është mohuar nga mjekët e maternitetit të Tiranës. Specialistët e argumentuan ndërprerjen e shtatzënisë si një proces të rrezikshëm, e për më tepër kjo do të kishte të bënte me shkeljen e ligjit. E gjithë familja Peci pret me ankth zbardhjen e së vërtetës dhe dënimin e atij që abuzoi me trupin e 22-vjeçares. Florijes nuk i kujtohet asgjë nga koha e qëndrimit në qendrën e rehabilitimit.S.Muça
Veprimi i parë i drejtësisë austriake ka qenë përpilimi i listës së personave që e mbijetuara ka pasur kontakt
Mostra biologjike
Stafi mjekësor, emigrantët shqiptarë e persona të tjerë janë marrë në pyetje. Të dyshuarve u janë marrë mostra biologjike, për t’iu nënshtruar analizave
Bashkëpunimi
Në përfundim të hetimeve, autoritetet austriake e kanë sjellë dosjen në Shqipëri, në mënyrë që Prokuroria e Tiranës të vijojë punën për zbardhjen e skandalit seksual
Shtatzënia
Florije Peci ka hyrë në muajin e shtatë të shtatzënisë dhe e gjithë familja është angazhuar në kujdesin ndaj foshnjës që ajo po pret
SHQIP
Add new comment