Siria në listën e Kombeve të Bashkuara për krimet e luftës

Postuar në 17 Shtator, 2012 09:05

 

Komisioni hetimor i Kombeve të Bashkuara për rastet e abuzimit të të drejtave të njeriut në Siri ka përpiluar një listë të re sekrete të sirianëve dhe njësive ushtarake që dyshohen të kenë kryer krime lufte. Hetuesi kryesor i ekipit të OKB-së, thotë se është arritur të mblidhen prova të jashtëzakonshme dhe bindëse. Paulo Serxhio Pinheiro apeloi gjithashtu, Këshillin e Sigurimit të OKB-së ta adresojë situatën në Siri në Gjykatën Ndërkombëtare Penale. 
 Komisioni i Pavarur i Hetimit mbi Sirinë u ngrit nga Këshilli i të Drejtave të Njeriut të OKB-së vitin e kaluar, pasi dhuna në vend nisi të përshkallëzohej. Gushtin e këtij viti, komisioni raportoi për dhunime sistematike, ku përfshihen vrasje, tortura dhe dhunë seksuale, të autorizuara nga nivelet më të larta të Qeverisë së Damaskut. Edhe forcat opozitare gjenden me faj për krime lufte, por aspak të të njëjtës shkallë dhune si ato të kryera nga trupat qeveritare. Gjatë takimit në Gjenevë, në Këshillin e të Drejtave të Njeriut, hetuesit konfirmuan provat dhe dëshmitë e reja, pas një liste të ngjashme dorëzuar gjatë shkurtit. Hetuesi Pinheiro, vuri në dukje një aspekt alarmant, atë të pranisë së militantëve islamikë në Siri, një pjesë e të cilëve bashkëpunojnë Ushtrinë e Lirisë së opozitës, e të tjerë të pavarur.
 Ndërkaq, në terren vazhdojnë luftimet, ndërsa i dërguari special i OKB-së dhe Ligës Arabe, për ndërmjetësimin e paqes, Lakhdar Brahimi, pasi takoi presidentin Al Assad, tha se nuk ka asnjë rrugë të qartë sesi do të procedojë në misionin e tij. Albanian Screen 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.