Sindikata: Krimi nuk po kursen jetën e policëve. Të ardhurat nën minimumin e jetesës

Postuar në 16 Prill, 2013 13:55

 

TIRANE- Sindikata e Punonjësve të Policisë së Shtetit ka shprehur sot shqetësim lidhur me krimin, i cili sipas saj, nuk po kursen as jetët e punonjësve të policisë gjatë ushtrimit të detyrës.

Nëpërmjet një deklarate për shtyp, Sindikata sulmon ashpër qeverinë dhe punën që ka bërë ajo për të përmirësuar të ardhurat financiare dhe kushtet e punës së një punonjësi policie.

Në deklaratë theksohet se qeveria, asnjëherë nuk është ndalur seriozisht që të diskutojë me sindikatën problemet e policisë për masat drastike të ndërmarra ndaj saj, të cilat si rezultat i krizës ekonomike, e kanë rënduar situatën në aspektin social e profesional.

“Këto forca po punojnë në kushte pune mjaft të vështira materiale e financiare, në raport me krimin dhe kriminelët, të cilët posedojnë fuqi financiare, mjete, armatim e pajisje speciale edhe më të sofistikuara se ato të policisë. Punonjësit e Policisë, çdo ditë po rrezikojnë jetën e tyre, për zbatimin e detyrave të rendit e të sigurisë publike, pa kontrata të sigurimit të jetës.”- thuhet në deklaratën e Sindikatës.

Sipas Sindikatës, pagat e ulëta në Policinë e Shtetit dhe mungesa e burimeve financiare kanë bërë që 75% e punonjësve të kenë të ardhura mujore familjare për frymë nën minimumin e jetesës.

Sindikata thekson më tej se për shkak të këtyre kushteve të punës niveli i stresit në të cilin punojnë forcat e rendit është shumë i lartë për të pasur një përformancë dinjitoze në zbatimin e detyrës. Ajo ngre gjithashtu si shqetësim, presionin psikologjik që eprorët ushtrojnë ndaj punonjësve të policisë për të ruajtur vendin e punës.

“Punonjësi i policisë, përveç pasigurisë që ka për jetën, i shtohet dhe presioni psikologjik i eprorëve për të ruajtur vendet e punës nga ndonjë transferim i mundshëm apo lirim i padrejtë, të cilat janë bërë një sëmundje e keqe në radhët e policisë.”- thuhet në deklaratë.

 

 

 

PANORAMA

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.