Shtohen thashethemet për bashkimin PS-LSI. Rama nis konsultimet, nesër kryesia e PS

Thashethemet mbi një dalje të Lëvizjes Socialiste për Integrim nga koalicioni qeverisës dhe krijimit të një koalicioni parazgjedhor me Partinë Socialiste u shtuan më shumë sot. Burime jozyrtare nga Partia Socialiste bëjnë të ditur se brenda kësaj jave pritet që aleanca të bëhet publike, pasi palët të përgatisin mbështetësit e vet me një fushatë marketingu për nevojën e bashkimit.
Gjatë ditëve të mëparshme, disa udhëheqës socialistë Europianë bënë thirrje për bashkimin e LSI-së me PS-në si një masë e nevojshme për opozitën për të fituar zgjedhjet e ardhshme.
Burimet sqaruan se marrëveshja është e tillë që PS të ftojë LSI për aleancë nesër, më 2 prill, dhe LSI pritet ta miratojë marrëveshjen në fund të javës. LSI raportohet se do të tregojë para shqiptarëve se ka vendosur si kusht për aleancën, votimin e dy ligjeve dhe një rregulloreje, të cilat përbëjnë kusht për procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Sot, kryeministri Sali Berisha u takua me kreun e LSI Ilir Meta në Kryeministri, por nuk u bë e ditur se për çfarë u fol.
Berisha takon Metën në kryeministri, Koka: Nuk kemi ftesë zyrtare nga PS. Jemi të hapur për koalicion
Kryeministri Sali Berisha është takuar paraditen e sotme me kreun e LSI-së Ilir Meta, aleatin e tij më të madh qeverisës. Burime jozyrtare bëjnë të ditur se takimi ka zgjatur vetëm 30 minuta, dhe se nuk dihet ende tema e diskutimit mes dy liderëve. Mendohet se në qendër të bisedimeve kanë qenë pikërisht zgjedhjet e ardhshme dhe fati i koalicioneve.
Takimi Berisha-Meta vjen një ditë përpara se Partia Socialiste të zhvillojë mbledhjen e kryesisë ku pritet të diskutohet dhe koalicioni me LSI.
Ndërkohë deputeti Lefter Koka, njëherësh kreu i grupit kuvendor të LSI-së, në një prononcim për mediat ka deklaruar se LSI është e hapur për çdo bashkëpunim, pasi është forcë e majtë. Koka ka theksuar se LSI nuk ka marrë ende ftesë zyrtare nga Partia Socialiste, por ka shtuar se formimi i koalicioneve do të vendoset në Konventën që do të zhvillohet në Prill.
Rama nis konsultimet, nesër kryesia e PS
Vetëm pak orë pas lajmit për një ikje të mundshme të Ilir Metës dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim nga qeveria, Edi Rama ka mbledhur pasdite këshillin politik tek kompleksi Xibraku.
Ndërkohë që nesër paradite është lajmëruar edhe një mbledhje e kryesisë së Partisë Socialiste, ku priten zhvillime. Qëllimi i mbledhjes mendohet se është dhënia e dorës së fundit për mbledhjen e kryesisë.
Në të marrin pjesë Gramuz Ruçi, Taulant Balla, Ben Blushi, Ditmir Bushati, Pandeli Majko, Damian Gjiknuri, Saimir Tahiri dhe ish-kryeministri Bashkim Fino Fino.
Nuk është hera e parë që ky këshill mblidhet dhe pjesë e tij janë edhe kryebashkiakët Vangjush Dako nga Durrësi, Qazim Sejdini i Elbasanit dhe Niko Peleshi i Korçës.
Gjatë paradites së sotme deputetët socialistë janë shprehur të rezervuar në deklaratat për një koalicion të mundshëm me LSI-në. “Të presim deri nesër”, ka qenë përgjigjja standarde e tyre.
Gjithsesi, lajmi për largimin e mundshëm të LSI nga koalicioni qeveritar nuk bie si rrufe në qiell të hapur, pasi ka pesë ditë që flitet për të.
PS ngurron të japë detaje për rendin e ditës në mbledhjen e kryesisë, por tema kryesore dyshohet se do jetë pikërisht koalicioni eventual me LSI. Do ketë padyshim diskutime dhe besohet se nuk do të mungojnë zërat kundër.
Papandreu, thirrje Ilir Metës dhe Edi Ramës për bashkim
Në cilësinë e Presidentit të Internacionales Socialiste, George Papandreoui i ka drejtuar një thirrje Edi Ramës dhe Ilir Metës për të konsideruar në mënyrë serioze bashkëpunimin mes forcave të tyre, duke pasur parasysh zgjedhjet e qershorit 2013 që po afrojnë.
“Pavarësisht dallimeve, sot sfida e vërtetë është krijimi i një fronti të bashkuar progresist. Ky front i bashkuar progresist do t’i mundësojë vendit, – thotë Papandreu, – ndërmarrjen e reformave të nevojshme për të garantuar një shoqëri më të ndershme me institucione demokratike, transparencë dhe llogaridhënie’.
“Për të konsoliduar demokracinë në Shqipëri, – thekson Papandreu, – nevojiten zgjedhje të lira e të ndershme dhe një shumicë e re qeverisëse”.
Në fund të letrës drejtuar Ramës dhe Metës, Papandreu shprehet se Bashkimi mund të sjellë fitoren dhe fitorja mund të sjellë shpresë dhe ndryshim.’ Dëshira ime është që të dy ju, të dashur Edi dhe Ilir, ta shfrytëzoni këtë mundësi historike’.
SHQIP
Add new comment