Shtohen frikshëm rastet e helmimit, shteti asnjë kontroll mbi ushqimin

Postuar në 31 Gusht, 2013 09:30

Duhet te jete lodhur ndërsa gatoi për rreth 300 dasmorë. Por rrezikon burgun. Kuzhinieri B.M u shpall fajtori i helmimit të 250 personave në Gorishiovë të Fierit. Ai është bartës i virusit të Salmonelës. Ndaj tij ka nisur edhe procedimi penal. Rezultuan të sakta dyshimet e specialistëve të DSHP në Fier për shkakun e helmimit të dasmorëve në Gorishovë. Kuzhinieri i dasmës sipas analizave është bartës i virusit Salmonela . Sipas shefit të higjienës në Fier Laze Bregasi pas analizave të kryera në mostrat e ushqimit u vu re prani e lartë bakteriale ndërsa nga analizat shëndetësore të kryera mbi B. M, kuzhinierin e dasmës rezultoi se ky i fundit është bartës i salmonelës. ” Analizat e kryera mbi kuzhinierin e dasmës nxorën në dritë se ai është bartës i virusit Salmonela. Ne dyshonim për këtë gjë sepse nga hetimi paraprak kuptuam se mishi nuk ka pasur probleme përpara gatimit Ndaj dhe analizuam kuzhinierët e dasmës për ndonjë sëmundje të transmetueshme ” – thotë Laze Bregasi shef i departamentit të higjienës në DSHP Fier. Me herët Laze Bregasi kishte thënë se dy ishin pistat ku po zhvillohej hetimi. Mundësia që kuzhinierët të ishin bartës të ndonjë virusi dhe infektimi i ushqimit gjatë gatimit. DSHP bëri të ditur se ndaj B.M do të merret masë ndëshkimore me gjobë si dhe do të kërkohet kurimi i tij nga sëmundja që mbart.

 

Ngjarja

Helmimi masiv i dasmorëve ndodhi të dielën e kaluar në Gorishovë ku qindra dasmorë u shtruan në spital me probleme nga helmimi i ushqimit. Problemet shëndetësore të dasmorëve kanë vazhduar deri ditën e enjte ku dhjetë persona u shtruan sërish në spital. Dasma me 300 të ftuar u zhvillua në lokalin e I.Besho-s në Gorishiovë . I zoti i dasmës e kishte marrë lokalin me qira dhe kishte përgatitur gjithçka vetë, që nga dekori deri të gatimi. Për gatim u kontraktua B.M kuzhinier i njohur në zonë. Madje një ditë më parë thuhet se B M kishte gatuar për një ceremoni përkujtimore në fshatin Cakran por asnjë person nuk ka shfaqur probleme shëndetësore pas drekës mortore . Ndërsa pas gostisë së dasmës duke filluar nga mëngjesi i së hënës dasmorët kanë shfaqur shenjat e helmimit nga ushqimi , temperaturë e lartë, të vjella dhe diarre. 250 prej tyre shkuan në spital për ndihmë mjekësore . 50 qëndruan të shtruar për disa ditë ndërsa të tjerët i janë rikthyer spitalit deri ditën e enjte me të njëjtat simptoma. mes të helmuarve rezultuan edhe dhjetëra fëmijë.

 

Hetimi

DSHP urdhëroi bllokimin e lokalit ku u zhvillua gostia e dasmës dhe menjëherë nisën hetimet. Nga ana e saj policia e Fierit nisi një hetim më vete. Specialistët e DSHP morën mostra ushqimore nga mjedisi i kuzhinës. Paralelisht me analizat e mostrave ushqimore u kryen edhe analiza të dy bashkëshorteve që ishin pajtuar nga i zoti i dasmës si kuzhinierë nga ku doli edhe përgjigja për shkakun e helmimit. Pronari i lokalit ku u zhvillua dasma nuk është i përfshire në çështje sepse gjithçka ishte organizuar nga i zoti i dasmës. ky i fundit kishte marrë me qira mjediset e lokalit për një gosti me rreth 300 persona.

 

Në Kavalishencë

Raste të helmimit nga ushqimi janë shënuar dhe në mjediset e Kavalishencës në Durrës. Të paktën 5 persona të së njëjtës familje raportohen të helmuar pasi kanë konsumuar ushqim në mjediset e Kavalishencës në Durrës. Të afërm të tyre janë shprehur se helmimet kanë ardhur si pasojë e ushqimit të ndenjur dhe mungesës së kontrollit nga stafi. “Pilafi që shërbehej në drekë vinte dhe në darkë si ofertë. Ushqimi është tërësisht jashtë kontrollit”, – raportuan dje të afërmit e personave të helmuar.

 

Masat

Sipas udhëzimeve përkatëse për të tilla raste DSHP ndëshkon me gjobë personin që ka rrezikuar jetët e qindra personave. në rastin konkret kuzhinieri i dasmës do të gjobitet dhe do të urdhërohet kurimi I tij shëndetësor në spital. Nga ana policia e Fierit ka nisur procedim penal për kuzhinierin, si shkaktarë i ngjarjes.

 

Dukuria

Rasti i Gorishovës rihap debatin për pajisjen me libreza shëndetësore të subjekteve që punojnë në sektorin e prodhimit dhe përgatitjes së ushqimeve. Kuzhinieri i dasmës së Gorishovës ishte i pajisur me librezë shëndetësore por ky është një dokument fiktiv.. Për vite me radhë specialistët e DSHP kanë kërkuar që librezat shëndetësore të mos jenë fiktive por personat që i kërkojnë ato si dokumentacion të kryejnë analizat një për një . Librezat shëndetësore për kuzhinierët , prodhuesit dhe përpunuesit e ushqimeve , mësuesit dhe edukatorët lëshohen si një dokument formal një herë në vit . Kjo situatë ekspozon përpara një rrezik të lartë për publikun.

 

Paaftësia e AKU

Gjithashtu janë zbuluar një sërë shkeljesh që implikojnë edhe AKU- në në Fier. Laze Bregasi thotë se mishi i therur nuk ishte shoqëruar me certifikatë veterinare. Megjithëse shkaku i helmimit ishte virusi i transmetuar nga njeriu, mishi i pakontrolluar mund të ishte gjithashtu një burim infeksioni . ” I zoti i dasmës kishte marrë mish dele dhe viçi nga 3 subjekte që tregtojnë në zonë. Të tre këto pika ne i kontrolluam dhe u vërtetua se mishi ishte therur pa kaluar më parë në kontrollin veterinar. Kjo përgjegjësi i takon AKU-së e cila nuk donte të lejojë therjen e mishit jashtë thertoreve ‘.

 

Po me AKU-në do merret Prokuroria?

Opinion nga Eugen Vasili

Ndërkohë që rastet e helmimeve shtohen, publiku informohet në detaje për rrethana dhe hollësi, por shumë rrallë informohet për përgjegjësit konkretë të situatave të tilla që rrezikojnë deri edhe jetë fëmijësh. Në rastin e Fierit, Laze Bregasi thotë veç të tjerave mishi i therur nuk ishte shoqëruar me certifikatë veterinare. ”I zoti i dasmës kishte marrë mish dele dhe viçi nga 3 subjekte që tregtojnë në zonë. Të tre këto pika ne i kontrolluam dhe u vërtetua se mishi ishte therur pa kaluar më parë në kontrollin veterinar. Kjo përgjegjësi i takon AKU-së e cila nuk donte të lejojë therjen e mishit jashtë thertoreve ” – u shpreh ai.

Pak njerëz e dinë që në shtet ka një drejtori që merret me ushqimin dhe është përgjegjëse për atë që ne të gjithë fusim në stomak. Quhet Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) dhe drejtohet nga Artan Gjergji (PDIU). “Garantimi i sigurisë ushqimore është në rradhë të parë një detyrim ndaj konsumatorit shqiptar” – shkruan zoti Gjergji në faqen zyrtare të AKU-së online. Bukur. Pikërisht për këtë arsye, zotëria në fjalë duhej të ishte i pari që duhej të thirrej nga Prokuroria. Nëse duam vërtet që raste të tilla të mos përsëriten.

 

 

DITA

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.