SHTET DHE PAPUNËSI

Postuar në 18 Shkurt, 2013 03:52

 

Pas pesë vjetëve shtet, brenga kryesore e kosovarëve mbetet papunësia. Qytetarët shprehen të pakënaqur me punën e institucioneve në këtë drejtim. Nga rezultatet e regjistrimit të fundit për papunësi, rezulton se 44.9 për qind është shifra e papunësisë në vend.

Blerta Zeqiri nga Prishtina, edhe pse me fakultet të kryer, është e papunë. Ajo tregon se nuk ka lënë konkurs pa aplikuar, por përveç që është ftuar në ndonjë intervistë, nuk ka arritur të punësohet.

“Ka me dhjetëra, dhjetëra konkurse që janë shpallur në gazeta ditore, në portale të ndryshme elektronike. Kam aplikuar, ka pasur raste kur jam ftuar në intervista, mirëpo fatkeqësisht nuk më kanë pranuar askund”, thotë Blerta, e cila e ka të përfunduar Fakultetin ekonomik.

Sipas saj, po nuk pate dikë të njohur, është e pamundur për të gjetur punë.

“Sepse gjithkund pa pasur dikë të njohur, nuk mundesh të pranohesh, pra familjarizmi, padyshim është shumë i shprehur si në institucione private dhe ato qeveritare”, thotë Blerta.

Por sikur Blerta ka shumë të rinj në Kosovë. Dëshmi për këtë është edhe interesimi i madh i tyre për të aplikuar për një vend pune. Në këto konkurse aplikojnë dhjetëra të papunë për një vend të lirë të punës. Kjo ka ndodhur edhe në kompaninë e telekomit “KUJTESA”.

Arbër Arifi, drejtor ekzekutiv, në këtë kompani thotë se interesimi për punë është shumë më i madh se sa mundësitë e punësimit. Ai ndërkaq shprehet se mosha e të punësuarve në kompani, por edhe atyre të interesuar për punë është prej 25 deri në 30 vjeç.

“Numri i të interesuarve për punë është shumë i madh, apo enorm, më i lartë, se sa është mundësia e punësimit. Më kujtohet se në rastet e fundit janë dhjetëra konkurrime për një vend pune, mund të jenë 10-20-30 për një vend pune”, shprehet Arifi.

Ndryshe, nga rezultat e regjistrimit të fundit për papunësi, rezulton se 44.9 për qind është shifra papunësisë në vend, ndërsa sipas Agjencisë për Statistika të Kosovës, 28 për qind e popullatës është më e re se 15 vjeçare, ndërsa gati dy të tretat, apo 65 për qind, i përkasin grupmoshës 15 deri 64 vjeçare, grupmoshë kjo që njihet si ekonomikisht aktive.

Po, sipas të dhënave zyrtare, në sektorin publik janë të punësuar rreth 78 mijë punëtorë, ndërsa në sektorin privat numri i të punësuarave arrin shifrën 123.233.

Në anën tjetër, zyrtarë të qeverisë theksojnë se gjatë periudhës pas pavarësisë janë angazhuar në konsolidimin e çështjeve ligjore, kanë modernizuar qendra për aftësime profesionale, duke ofruar 38 profesione të ndryshme, në mënyrë që qytetarët e regjistruar në qendrat komunale për punësim trajnimet për këto fusha t’i ndjekin falas.

Behxhet Gaxhiqi, këshilltar politik në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, si rezultat gjatë kësaj periudhe përmend miratimin e Strategjisë për Punësim,

dokument ky nga i cili janë punësuar rreth 12 mijë persona.

“Përmes kësaj strategjie, MPMS tre vjet radhazi ka përfituar projektet të cilat kanë qenë të financuara nga Banka Botërore, projektet këto që janë implementuar në bashkëpunim mes komunave dhe MPMS”, thotë ai.

Ndërsa, nga projektet e tjera, Gaxhiqi, thotë se për pesë vjet radhazi, kjo ministri për çdo vit ka arritur të punësojë mbi 8000 persona. Sidoqoftë, 256 mijë punëkërkues janë të regjistruar në zyrat e punësimit në gjithë Kosovën, thotë Gaxhiqi, shifër kjo që, sipas tij, ndahet në dy kategori.

“Mes atyre që janë pasivë dhe atyre që janë aktivë. Ata që janë aktivë janë mbi 101,000, të cilët në aspektin kohor shkojnë lajmërohen në zyrat e punësimit, si persona të papunë dhe që kërkojnë punë”, ka thënë ai.

“Ndërsa pjesa tjetër janë pasivë, të cilët janë regjistruar për një kohë dhe nuk janë shkuar të lajmërohen në zyrat e punësimit, dhe kjo rezulton se këta kalojnë në aspektin e pasivitetit. Kjo nënkupton se një numër prej tyre janë punësuar”.

Sidoqoftë, pesë vjet më parë, para shpalljes së pavarësisë, pritjet e kosovarëve ishin se me formimin e shtetit të ri do të përmirësohej edhe gjendja sociale, duke u rritur në këtë mënyrë shkalla e punësimit. Por, një gjë e tillë, sipas tyre dhe njohësve të çështjeve ekonomike, nuk ndodhi, pasi në tregun e punës në Kosovë hyjnë deri në 35 mijë të rinj, ndërkaq ky treg absorbon nga 4 deri në 6 mijë punëtorë në vit.

 

 

EXPRESS

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.