Shtetësia, Berisha: Është pritur me tërbim nga albanofobët

Postuar në 08 Korrik, 2013 15:16

Kryeministri në ikje, Sali Berisha i është përgjigjur gjatë një qytetari i interesuar për marrjen e shtetësisë shqiptare. Por ai nuk është ndalur vetëm kaq. Berisha ka akuzuar kundërshtarët politikë, të cilët sipas tij kanë frikë çdo ndjenjë që i afron shqiptarët me njeri-tjetrin. 

“Vendimi i qeverisë shqiptare për dhënien apo fitimin e shtetësisë shqiptare dhe të gjitha vendimet e kësaj qeverie janë plotësisht kushtetuese përveçse për ata të cilët revanshi i bën qesharak, madje i çon larg e më larg deri në Bangladesh dhe besojnë se nuk janë zgjedhur për një mandat 4-vjeçar, siç sanksionon Kushtetuta e Shqipërisë, por 4 vjet dhe tre muaj?! Kjo është pune e tyre.

Vendimi për dhënien dhe fitimin e shtetësisë është vlerësuar lart nga shqiptarët kudo në botë por dhe siç dihet ai është pritur me tërbim te vërtetë nga albanofobët jo shqiptare dhe shqiptare.

Këta te fundit të denatyruar nga çdo ndjenje kombëtare kanë tmerr ndaj çdo hapi që i afron e bashkon shqiptarët njeri me tjetrin.

Ata në çdo rast janë të gatshëm të bëjnë kauze të përbashkët me albanofobet jo shqiptare ne mbështetje të këtyre të fundit”, shkruan Berisha në Facebook.

“Kështu, në rastin e rrugës së “Kombit”, albanofobët jo shqiptarë përdorën të gjitha mekanizmat kombëtare dhe ndërkombëtare që kontrollonin për të mos lejuar ndërtimin e saj, e cila sipas tyre do të dëmtonte thellë gjeopeshën e porteve të vendeve të rajonit. 

Në mbështetje të tyre, shqiptarët apatridë, bënin çdo gjë për ta bllokuar rrugën dhe e shpallën atë si rruga e asgjëkundit. 

Por rruga u ndërtua, albanofobia dhe albanofobët nuk kanë të ardhme. Vendimi i fundit i qeverisë shqiptare për dhënien ose fitimin e shtetësisë është aq kushtetues sa edhe Kushtetuta e Shqipërisë, e cila përcakton qartë detyrimet e shtetit shqiptar ndaj shqiptarëve kudo në botë.

Mirëpo albanofobët njohin vetëm një kushtetutë, atë të fobisë dhe urrejtjes ndaj shqiptarëve dhe midis tyre, si për të rikujtuar një proverb latine, që thotë se çobani i bagëtive të egra është më i egër se vetë më të egrit, me zelltarët janë shqiptarët apatridë. 

Vendimi i fundit i qeverisë shqiptare për dhënien apo fitimin e shtetësisë, fatkeqësisht është tejet i vonuar, Një vendim të këtij lloji, pakicat dhe bashkëkombësit e tyre e kanë marrë prej vitesh pa përjashtim, të gjitha vendet e rajonit dhe më gjerë, si: Greqia, Hungaria, Maqedonia, Rumania, Bullgaria, Kroacia, Sllovenia, Mali i Zi etj.

Madje Greqia, ndoshta ndonjë vend tjetër, paguan pensione ndaj të moshuarve me origjinë greke në Shqipëri. Mirëpo këto vende nuk ka ose ka fare pak njerëz me fobira ndaj kombit të tyre si tek ne. 

Prandaj edhe askush nuk ka protestuar, në të kundërt kanë mbështetur unanimisht brenda dhe jashtë vendit, vendime të tilla. 

Ju rikujtoj këtu me dekretin e 17 korrikut të vitit 1992, unë si President Republike, dekretova njohjen e shtetësisë shqiptare për të gjithë qytetarët me origjinë shqiptare kudo që jetonin, përfshirë këtu edhe qytetarët e Kosovës, e cila asokohe ishte e pushtuar nga serbët. 

Presidenti i ndjerë, Ibrahim Rugova, ishte plotësisht dakord me atë dekret. Sot ky vendim nuk mund të shtrijë efektin në Kosovë, jo sepse jugosllavët albanafobë vazhdojnë t’i bien fyellit të tyre të vjetër të padronëve të tyre të kombit kosovar, pra të dy kombeve shqiptare. 

Këtë tezë në Kosovë, por as në rajon dhe më gjerë nuk e beson njeri. Por vendimi i qeverisë shqiptare në kushtet e sotme kur Kosova është vend i pavarur në mbi 94% të popullsisë së saj shqiptare, nuk mund të shtrijë kurrsesi veprimin e saj në Republikën e Kosovës në qytetarët e saj me banim në Kosovë. 

Kjo detyrimisht kërkon një marrëveshje të veçantë midis qeverisë së Shqipërisë dhe qeverisë së Kosovës për këtë çështje. 

Si përfundim, vendimi për dhënien e shtetësisë shqiptare është një vendim i bazuar plotësisht në Kushtetutën e Shqipërisë dhe në standardet rajonale ndërkombëtare. Zbatimi i këtij vendimi do të fillojë gjatë dhjetëditëshit të fundit të muajit korrik. Me respekt, sb”, shkruan Berisha.

 

 

SHEKULLI

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.