SHQUP, Meta: Çështje që s’na preokupon

Postuar në 25 Shtator, 2013 04:09

SHQUP, Meta: Çështje që s’na preokupon
0
Flash, Lajmi i Fundit, Politikee Mërkurë, 25 Shtator, 2013 | 09:20 am
Kreu i Kuvendit, ndryshe nga Kryeministri Rama për godinën ku është vendosur sot selia e PD-së. “Maxhoranca, e orientuar për të përmbushur axhendën europiane”.

Kryetari i Parlamentit Ilir Meta, aleati kryesor i Partisë Socialiste, zbeh debatin për anulimin e vendimit të SHQUP. Kryetar i Kuvendit i dha dje përgjigje deklaratës së Kryeministrit Edi Rama, i cili disa ditë më parë pohoi se për vendimin e SHQUP-it që u bë selia e re e PD-së do të konsultohet me aleatin e tij kryesor, LSI-në. Por, për Metën, kjo nuk është çështje e rëndësishme që shqetëson maxhorancën dhe Kryeministrin Rama. Kreu i Parlamentit pohoi se, edhe pse vendimi i marrë nga qeveria Berisha disa jave para largimit është problematik, shumica e re është e orientuar të përmbushë axhendën europiane.

“Mendoj se nuk është kjo çështja më e rëndësishme që preokupon as Kryeministrin Rama, as maxhorancën, pavarësisht nga problemet e kontestimet për vendimin në fjalë, që është marrë. Unë jam i bindur se kjo qeveri dhe kjo maxhorancë janë të orientuara qartë te përmbushja e axhendës europiane. Të tjerat janë çështje të tjera”, theksoi dje Meta. Nga ana tjetër, zëvendëskryeministri Niko Peleshi, gjatë një interviste televizive ka deklaruar se Qeveria e re do të zhbëjë të gjitha vendimet që miratoi Kryeministri Berisha gjatë periudhës së rotacionit të pushtetit.

“Interesat e qytetarëve u prekën keqas në mënyrë të paprinciptë pas 23 qershorit. Ne do të marrim vendime etike; do prekim çdo vendim pas 23 qershorit. Mund të jenë marrë vendime që nuk bien ndesh me interesa madhore. Por, për etikë do t’i zhbëjmë të gjitha. Ky është qëndrimi ynë, në të cilin do qëndrojmë edhe pasi të jemi përpara zgjedhësve pas 4 vjetësh”, deklaroi disa javë më parë zëvendëskryeministri Niko Peleshi.

PROJEKTLIGJET E PD
Kryeparlamentari Ilir Meta iu përgjigj dje interesit të medias lidhur me projektligjet e mbartura nga qeverisja Berisha dhe nëse ato do të shqyrtohen nga maxhoranca e re. Meta për këtë çështje tha se do të veprohet në përputhje me Rregulloren dhe se do të konsultohet me Kryeministrin Rama, duke mos i dhënë një përgjigje përfundimtare se cili do të jetë fati i drafteve të mbartura nga legjislatura e shkuar. “Do të veprohet në përputhje me Rregulloren e Kuvendit dhe me kompetencat që na jep kjo Rregullore, me transparencë të plotë; natyrisht edhe në bashkëpunim me Këshillin e Ministrave, për sa i takon rendit të ditës të Parlamentit”, u shpreh Meta, i cili theksoi se ditën e enjte do të përfundojë konstituimi 100% i organeve të Kuvendit.

Panorama

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.