Shqiptarët, katër herë më të varfër se evropianët

Shqipëria vazhdon të jetë një ndër vendet më të varfra të Europës, pavarësisht deklarimeve për rritje të lartë ekonomike përgjatë viteve të fundit. Të dhënat e publikuara rishtazi nga Instituti Europian i Statistikave (Eurostat) mbi fuqinë blerëse të qytetarëve të vendeve të europës për vitin 2010, konfirmojnë se shqiptarët janë mesatarisht katër herë më të varfër se një qytetar i Bashkimit Europian, madje më të varfër edhe se ballkanasit, si malazezët, boshnjakët, serbët, maqedonasit, etj. Pagat mesatare më të ulta krahasuar me të gjitha vendet e mësipërme si dhe çmimet e larta që karakterizojnë Shqipërinë, bëjnë që një shtetas i BE-së apo i një vendi të Ballkanit të mund të blejë më shumë të mira dhe shërbime krahasuar me një shqiptar.
Për të nxjerrë këto tregues, Eurostat ka marrë në studim 37 vende të Europës, nga të cilat 27 vende janë anëtare të BE-së dhe 10 vende të tjera, jashtë saj, ku bën pjesë edhe Shqipëria. Treguesi i bazohet në Produktin e Brendshëm Bruto të një vendi, i matur me fuqinë e tij blerëse. Me anë të këtij treguesi maten të ardhurat për frymë të çdo qytetari të 37 vendeve të marrë në studim, duke i krahasuar ato me të ardhurat mesatare të Shteteve të BE-së. Për çdo vend, është nxjerrë se sa peshë zenë të ardhurat për banor matur me fuqinë blerëse, në raport me të ardhurat mesatare të një qytetari të BE-së. E thënë ndryshe, Eurostat ka matur se sa të mira dhe shërbime mund të blejnë qytetarët e vendeve të marra në studim në raport me të mirat dhe shërbimet mesatare që mund të blejë një qytetar i BE-së.
Nisur nga fakti që edhe brenda BE-së ka një nivel të ndryshëm mirëqenie, Eurostat ka marrë si indeks mesatar shifrën prej 100 pikësh, nëpërmjet të cilës bën edhe renditjen e vendeve për nga fuqia blerëse. Në vend të parë për vitin 2010 renditet Luksemburgu me një indeks maksimal prej 271 pikësh. Më pas vjen Holanda me 133 pikë si dhe të gjithë vende nordike me një mesatare shumë më të lartë së vendet e tjera të Bashkimit Europian. Mbi mesatare gjithashtu renditet edhe Mbretëria e Bashkuar me një indeks 112.
Shqipëria ndërkohë renditet në vendin e fundit me një indeks 28 pikë, ndërkohë direkt para nesh renditen Bosnje-Hercegovina dhe Serbia me një indeks respektivisht 31 dhe 35. E përkthyer në përqindje, del se shqiptarët kanë 28 për qind të të ardhurave të një shtetasi shifra vlejnë për mesataret e Bashkimit Evropian, pasi krahasuar me vende të tilla si Suedia dhe Norvegjia, apo Holanda, diferenca nuk është më një me tre, por një me pesë. Edhe këtë vit, vlerësimit i mungon Kosova, ç’ka do të bënte që vendi ynë të ishte i parafundit ndër vendet e europës për nga fuqia blerëse.
72 euro më pak se një evropian !
Eurostat tregon se një shtetas shqiptar ka 28 për qind të të ardhurave të një shtetasi të Bashkimit Evropian, por si përkthehet kjo në shifra? Për çdo 1 000 euro pasuri të një shtetasi të BE-së, përllogaritet që një shqiptar të ketë 280 euro, kurse një serb ka 350 euro dhe një boshnjak 310 euro. Por nëse një shqiptar ka 280 euro në raport me të ardhurat mesatare të një evropiani, një holandez ka 133 euro (33 euro mbi mesataren e BE-së), një danez ka 127 euro dhe një anglez ka 112 euro.
Kudo në Ballkan jetohet më mirë se në Shqipëri
Bosnja, një vend që përjetoi një nga luftrat më të përgjakshme pas luftës së dytë Botërore, e cila përjeton ende probleme, është një vend që mund të jetohet më mirë se në Shqipëri. Kjo është ajo që nxjerrë në pah studimi i Institutit Europian të Statistikave. Madje, më mirë se shqiptarët jetojnë edhe maqedonasit dhe malazezët.
Shqipëria renditët shumë poshtë nga të ardhurat krahasuar me vendet e Bashkimit Europian, por edhe më keq se të gjitha vendet e tjera të Ballkanit. Këtu mund të bëjë përjashtim Kosova, e cila edhe këtë vit nuk është bërë pjesë e studimit. Sipas të dhënave të Eurostat, shqiptarët janë 10 herë më të varfër se qytetarët e Luksemburgut, 4.75 herë më të varfër dhe holandezët, danezët dhe irlandezët, 4 herë më të varfër se finlandezët dhe anglezët dhe rreth tre herë më të varfër se italianët. Nëse i afrohemi më tepër, Eurostat deklaron se një boshnjak ka 3 për qind më shumë të ardhura të matura me fuqinë blerëse se një shqiptar, një serb ka 7 për qind, kurse një malazez ka 13 për qind më shumë. Madje, shqiptarët janë më të varfër edhe se maqedonasit. Maqedonasit kanë mesatarisht 8 për qind më shumë të ardhura krahasuar me shqiptarët. Turqit ndërkohë, ekonomia e të cilëve është renditur sëfundmi e dyta në botë për nga rritja, pas Kinës, kanë rreth 18 për qind më shumë të ardhura krahasuar me shqiptarët. Krahasuar me qytetarët e BE-së, një serb ka 35 për qind të të ardhurave të një evropiani, një boshnjak ka 31 për qind, një malazez, 41 për qind, kurse një turk ka 49 për qind.
Emirjon Senja
Shekulli
Add new comment