Shqipëria në BE, Athina: Të respektojë pakicat fetare

Konflikti për kishën në Përmet është futur në axhendën e marrëdhënieve “delikate” mes Shqipërisë dhe Greqisë. Zëvendësministri i Jashtëm grek,Dimitris Kurkula , i ka kujtuar Shqipërisë, se respekti për pakicat fetare është një ndër kushtet e integrimit në BE, duke e cilësuar ngjarjen në Përmet si të papranueshme. Në një intervistë për gazetën “Elefterotipia”, zëvendësministri Kurkulas, duke folur për rrugën e Shqipërisë drejt BE-së, tha: “Hyrja në familjen europiane kërkon respekt për pakicat fetare, etnike dhe kulturore, si dhe mbrojtjen e pronës së tyre”. Megjithatë, ai ka shtuar se Greqia mbështet perspektivën europiane të Ballkanit Perëndimor, qëndrim ky që do të reflektohet në politikën e Presidencës së BE-së, që do të drejtohet nga Greqia në 6 muajt e parë të vitit 2014. “Greqia tradicionalisht mbështet perspektivën europiane të Ballkanit Perëndimor. Po zhvillohet një proces i vazhdueshëm për harmonizimin gradual të politikave dhe institucioneve të Ballkanit Perëndimor, me kërkesat europiane”, – tha zëvendësshefi i diplomacisë greke. Një çështje e nxehtë mes Greqisë dhe Shqipërisë ka qenë, së fundmi, ngjarja e ndodhur në Përmet, ku Përmbarimi zhvendosi kishën ortodokse nga ambientet e Pallatit të Kulturës, pas një konflikti të gjatë për pronësinë. I pyetur se si do të ndikojnë incidentet e fundit të dhunshme në Përmet në kursin europian të Shqipërisë, diplomati grek deklaron: “Çfarë është e vërtetë për vendet e tjera, vlen edhe për Shqipërinë. Hyrja në familjen europiane kërkon harmonizim me frymën e normave europiane. Kjo përfshin respektin për pakicat fetare, etnike dhe kulturore, si dhe mbrojtjen e pronës së tyre. Respekti për parimet e kulturës europiane është parakusht ligjor i nënkuptuar. Ai thekson se ngjarje të tilla, si incidentet e fundit në Përmet, janë të papranueshme. “Ne duam të thellojmë bashkëpunimin tonë me Shqipërinë dhe besoj se kjo është edhe dëshira e palës shqiptare”, deklaron zyrtari, duke shprehur shpresën se “pala shqiptare do të jetë në gjendje për të izoluar ata që minojë marrëdhëniet dypalëshe”. Kurkulas shtoi më tej, se në janar të vitit 2014, në fillimin e Presidencës greke, do të fillojnë negociatat për pranimin e Serbisë, por shton se “shpresa është që në të ardhmen edhe vendet e tjera të rajonit, nën kushtin e rreptë të përputhshmërisë me kriteret e anëtarësimit, do të kenë mundësi të bëhen anëtare të barabarta në familjen europiane”.
Reagimi i zv.ministrit
Kreshnik Çollaku, zëvendësministër i Punëve të Jashtme, reagoi në “Facebook” mbi intervistën e zëvendësministrit të Jashtëm grek, Dimitris Kurkulas. “I pabazë pretendimi i zëvendësministrit të Jashtëm grek, për respektimin e komuniteteve fetare në Shqipëri. Në çdo plan historik apo aktual, individual apo shtetëror, shqiptarët dhe Shqipëria kanë qenë e janë model i harmonisë e tolerancës ndërfetare… Në këtë plan, Shqipëria mund t’u japë leksione harmonie e bashkëjetese fetare shumë vendeve të BE-së dhe ndër të parës, Greqësë…”, shkruan Çollaku në rrjetin social “Facebook”.
MAPO
Add new comment