Shpërthim eksplozivi në makinë, gjymtohet shoferi i dënuar për vrasje

Postuar në 08 Shtator, 2013 14:47

(Përditësim) Një automjet ka shpërthyer në dalje të Laprakës teksa ka qenë në ecje e sipër. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 18:30 të së dielës, ndërkohë që paraprakisht dyshohet se automjeti ka qenë objekt i një atentati me eksploziv. Drejtuesi i automjetit, i identifikuar si Petrit Marku, 40 vjeç, ka mbetur i plagosur rëndë dhe mësohet se ka humbur këmbën e djathtë.

Ai është transportuar me urgjencë për në spitalin Ushtarak dhe sipas mjekëve gjendja e tij mbetet tepër e rëndë. Në momentin e ngjarjes, në automjetin tip “Benz” kabriolet me targa AA 787DK ndodhej edhe e dashura e tij, e motra dhe nipi i tij. Sipas policisë, e dashura, një shtetase holandeze, ka pësuar dëmtime në fytyrë, por ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Ndërsa motra dhe djali i saj fatmirësisht nuk kanë pësuar asnjë lëndim.

Nga të dhënat e para dyshohet se lënda eksplozive është vendosur në krahun e shoferit, çka është bërë shkak që ai të pësojë lëndimet më të mëdha. Sipas dëshmitarëve në vendngjarje, makina ka shpërthyer në vendin e njohur si rrethrrotullimi i doganës, dhe është ndalur rreth 200-300 metra më tutje.

Forca të shumta të policisë kanë shkuar në vendin e ngjarjes dhe kanë nisur hetimet e rastit. Nga të dhënat e para mësohet se Marku, me origjinë nga Mirdita, jetonte prej disa vitesh në Belgjikë dhe kishte ardhur me pushime në atdhe. Policia po punon për zbardhjen e motiveve të atentatit, por paraprakisht dyshohet se pista kryesore e hetimeve është ajo e hakmarrjes.   Marku njihet si person me precedent penalë. Ai është akuzuar në vitin 2002 për vrasjen e shtetasit Manil Gjika, ngjarje kjo e ndodhur në rrugën “Mine Peza” në kryeqytet. Ai u arrestua në Belgjikë, nga ku u ekstradua në vitin 2005. Një vit më pas ai dënohet nga gjykata e Shkallës së Parë, por dënimi i tij ndryshon në vitin 2007 nga Gjykata e Apelit. Në vitin 2010 ai u amnistua nga Presidenti dhe iu falën 2 vjet nga dënimi i mbetur. Pas lirimit nga burgu i Shën Kollit ku vuajti dënimin, Marku u largua për në Belgjikë, nga ku ishte kthyer pak ditë më parë.

 

 

 

SHQIP

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.