Shpërthen Topalli: Arvizu, njeri i vockël dhe ekstremist i majtë

Postuar në 22 Gusht, 2013 03:51

Reagon PS, Bushati-Braçe: Topalli, një arrogante provinciale 

Nuk e kupton dot që Arvizu flet në emër të SHBA-së

“Për polit-gratë (domethënë, gratë e politikës) në këtë moshë, sharja është çlirimi i vetëm”

“Një vend të madh nuk e përfaqëson dot një njeri i vockël! Për të mos i thënë falsifikator i historisë!”

Herion Mesi

Kryetarja në largim e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli, ka sulmuar dje ambasadorin e SHBA-së në vendin tonë, Aleksandër Arvizu, lidhur me deklaratën e tij të djeshme ku theksoi se zgjedhjet e 23 qershorit ishin të njëjta me ato të vitit 1992. një deklaratë kjo përmes së cilës, Arvizu ka nënkuptuar se shqiptarët votuan për të larguar diktaturën nga pushteti dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë, duke vënë shenjën e barazisë mes pushtetit të Sali Berishës dhe pushtetit të Ramiz Alisë. Me një ton tejet agresiv, Topalli e ka cilësuar Arvizun si manipulator të historisë, duke shtuar se një deklaratë e tillë nuk është bërë as edhe nga ekstremistët më të mëdhenj të së majtës.“Të dashur miq! Një vend të madh nuk e përfaqëson dot një njeri i vockël! Për më tepër me miopi të theksuar historike e politike! Për të mos i thënë falsifikator i historisë! Të krahasosh Shqipërinë e 1992, që këputi vargonjtë e “evil empire”, me Shqipërinë anëtare të NATO-s, është njësoj si të vësh shenjën e barazimit midis Brezhnjevit dhe Presidentit Reagan! i denjë për të punuar me Reis Malilën, jo me Hillary Clinton e John Kerry. As ekstremistët më të mëdhenj të së majtës nuk kanë guxuar kurrë një gjë të tillë”, deklaroi pasditen e djeshme Jozefina Topalli në faqen e saj zyrtare në rrjetin social “Facebook”.

Reagon PS-ja

Deklarata e ashpër ndaj ambasadorit Arvizu nga kryeparlamentarja në detyrë Jozefina Topalli, ka shkaktuar reagimin e menjëherësh të socialistëve. I pari që ka reaguar ishte ministri i ardhshëm i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati, i cili duke e cilësuar qëndrimin e Topallit si arrogancë provinciale, të cilën sovrani e refuzoi me votë në 23 qershor, thekson se PD-ja nuk arrin të kuptojë që Arvizu flet në emër të SHBA-ve dhe jo individualisht. “Nuk duan të kuptojnë që ambasadori është përfaqësues i Presidentit dhe flet në emër të SHBA-së?! Arrogancë provinciale që sovrani e refuzoi!”, deklaroi Bushati. Nuk ka munguar në këtë debat edhe deputeti tjetër socialist, Erjon Braçe, i cili në reagimin e tij, sharjen e saj, Braçe, e cilëson si çlirimin e kënaqësisë së vetme të Topallit. “Ka sha Jozi ambasadorin Arvizu?! Auuuu!! Pse ka lan kend pa sha aaa?! Prisni se do qisë edhe Arancën që ta shaj! Të bëhemi seriozë. Për polit-gratë (domethënë, gratë e politikës) në këtë moshë, sharja është çlirimi i vetëm!”- shkruan deputeti i PS-së, Erjon Braçe në “Facebook”.

Qeveria “Berisha”

Një reagim i ngjashëm u publikua dy ditë më parë edhe nga zëvendësministri i Jashtëm, Kreshnik Çollaku, i cili e ka cilësuar deklaratën e ambasadorit amerikan, Arvizu, si provokative. “Të krahasosh dy ngjarjet është naive dhe provokuese ndaj historisë së vendit. Asgjë e pazakontë nuk ka ndodhur në 2013 përveçse një proces normal alternimi politik.”, theksoi Çollaku. Por pasi reagoi ndaj deklaratës së ambasadorit Arvizu, Çollaku  komentoi dje dhe reagimin e ministrit të ardhshëm të Jashtëm, Ditmir Bushati, i cili reagoi ndaj qëndrimit të kryeparlamentares në detyrë, Jozefina Topalli. “Një kandidat ministër i Jashtëm që nuk dëshiron e dallon dot qëndrimin zyrtar USA nga deklaratat e një diplomati në plazh dhe në mbyllje të karrierës… problem i madh do jetë për politikën e jashtme!”- shkruan zëvendësministri në ikje i Jashtëm, Kreshnik Çollaku.

Radhës së sulmeve të anëtarëve të Partisë Demokratike, të cilët duket se kanë nisur një “sulm frontal” ndaj ambasadorit Arvizu, mbrëmjen e djeshme i është shtuar edhe ministri në largim i TIK-ut, Genc Pollo. Edhe Pollo shpreh çudinë e tij nga deklaratat e diplomatit amerikan dhe i kujton atij se dhe të mësuarit duhet të mësojnë ndryshimin mes sistemit totalitar dhe atij demokratik. “Lexova sot në gazetë se një personazh publik i Tiranës kishte deklaruar dje në plazh që zgjedhjet parlamentare, të cilat sapo lamë pas janë njëlloj për nga rëndësia me ato të vitit 1992. Shpresova që citati të ishte i pasaktë, apo që atribuimi i deklaratës të ishte i rremë. Por më duhet të them se personazhit dikush duhet t’i sqarojë se kalimi nga një regjim totalitar në një sistem demokratik nuk është i krahasueshëm me një ndryshim të pushtetit që në demokraci ndodh (rëndom) përmes kutisë së votimit. Edhe për të mësuarit vlen shprehja: “më mirë vonë, se kurrë”, thotë Genc Pollo.

 

 

Deklarata e ambasadorit

 

Deklaratën e tij, ambasadori i SHBA-së në Tiranë e bëri dy ditë më parë gjatë një aktiviteti me të rinjtë e LSI-së në plazhin e Jalës, ku ai u ndal gjerësisht në aktualitetin politik në vend. Ai vlerësoi punën e PS-së në zgjedhje dhe vendosmërinë e qytetarëve për të bërë ndryshimin. “Zgjedhjet e 23 qershorit 2013 ishin historike dhe po ashtu si ato të vitit 1992, ishin shumë të rëndësishme për Shqipërinë, pasi sollën ndryshimin. Këtë radhë, PS-ja punoi më fort e mori 90 mijë vota më shumë. I rëndësishëm për SHBA-në është konsolidimi i demokracisë”, theksoi ai. Madje, Arvizu, për herë të parë, theksoi se gjatë fushatës elektorale në Shqipëri nuk munguan as përpjekjet për të krijuar ndarje fetare dhe krahinore, por ata nuk triumfuan dot. “Gjatë saj pati përpjekje që feja të kthehej në çështje elektorale, përpjekje për të krijuar ndarje Veri-Jug, por që të dyja këto përpjekje dështuan”, theksoi ai përpara të rinjve të LRI-së.

 

 

Mbledhja

Qeveria në ikje vijon të marrë vendime

Berisha ironi me qeverinë “Rama”: Do humbasim fondet e BE-së, për shkak të injorancës

Në një mbledhje të shkurtër qeverie, Kryeministri në ikje, Sali

Berisha, dha dje “alarmin” që Shqipëria mund të marrë statusin, por s’mund të përfitojë nga fondet e BE, duke iu referuar deklaratave të së majtës për ristrukturim të administratës. Sipas tij me fshesën ne administratë, do të ulen persona që nuk kanë dëgjuar më parë për këtë projekt. Berisha akuzoi dje kryesocialistin Edi Rama se me qëndrimet e tij në opozitë ka bllokuar marrjen e statusit të vendit kandidat për në BE. “Rama  bllokoi ndihmat e BE-së me bllokimin e statusit. Ai është fajtor i rëndimit të problemeve ekonomike të qytetarëve shqiptarë”, tha Berisha. Në fund të fjalës së tij, Berisha lëshoi dhe një batutë për gazetarët e pranishëm, ku duke iu referuar mbledhjes paralele të qeverisë së re që u mbajt dje në Vlorë. “Ju këshilloj të niseni për në Vlorë, por mos harroni të merrni dhe rrobat e banjës me vete”- iu drejtua Berisha gazetarëve. Qeveria në ikje miratoi dhe decentralizimin e përdorimit të fondeve të Bashkimit Europian në kuadër të projektit të IPA-s për zhvillimin rural të vendit. “Shqipëria është vendi i parë i Rajonit që kualifikoi administratën e vet për të marrë përsipër prokurimet e fondeve të BE-së në përputhje me standardet e komisionit”- nënvizoi Berisha duke falënderuar ministritë për punën e bërë në këtë drejtim. Gjithashtu, në mbledhjen e djeshme u morën vendime për truallin e ndërtimit të xhamisë së Namazgjasë, infrastrukturën ujore dhe shkollat.

 

 

Statusi

 

“Pas ligjeve që votuam shpresojmë që statusi të merret në dhjetor. Shqipëria e meriton dhe i ka shumë të nevojshme fondet për t’u bërë një vend i zhvilluar”

 

 

Rotacioni

Digjen dokumentet zyrtare të Kuvendit

Fillimisht u lajmërua për rënien e një zjarri në periferi të Tiranës, por në vendngjarje u konstatua se bëhej fjalë për mijëra dokumente zyrtare të Kuvendit të Shqipërisë që kishin nisur të digjeshin në orët e mesditës së djeshme në zonën e Farkës në periferi të Tiranës. Mes dokumenteve që mundën të shpëtonim nga zjarri u gjetën dhe dokumente nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive. Sakaq, dokumentet e Kuvendit që digjeshin ishin nga viti 2002 deri në vitin 2012. Mes dokumenteve kishte buletine, korrespondenca mes institucioneve, por edhe vendime gjatë seancave plenare, si dhe emra deputetësh.

 

 

SHQIP

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.