Shoqata e Transportit Urban këmbëngul: Bileta të bëhet 70 lekë, ndryshe prishim kontratën

Shoqata e Transportit Urban këmbëngul që bileta e autobusëve urbanë të bëhet 70 lekë.
Në një konferencë për shtyp, kryetari i kësaj shoqate, Ferdinand Ibrahimi, ka kërkuar rritjen urgjente të çmimit të biletës si pasojë rritjes së çmimit të karburantit.
“Gjendja e krijuar ma detyron të zvogëlojmë numrin e mjeteve të punës dhe reduktimi i mjeteve do të sjellë çrregullime dhe pakënaqësi tek qytetarët. Duam rritje të biletës në 70 lekë të reja, pasi është rritur dhe çmimi i karburantit. Duam indeksim për biletat e pajtimit mujor pasi është shtuar numri i aboneve false. Duam kartonin shoqërues që të përdoret vetëm nga një person”, ka theksuar Ibrahimi.
Nëse Bashkia e Tiranës refuzon të takohet me ta dhe nuk pajtohet me kërkesën për rritjen e çmimit, ata kërcënojnë të shkojnë në gjykatë për zgjidhjen e kontratës. Sipas kreut të shoqatës, Ferdinand Ibrahimi, 7 kompanitë që operojnë në kryeqytet janë në gjendje të vështirë financiare, pasi kanë kryer investime dhe bashkia nuk i ka rimbursuar.
“Kërkesa kryesore është çmimi i biletës. Ne na janë rritur shumë kostot, shpenzimet po ashtu dhe detyrimet bankare. Ne kërkojmë urgjentisht që çmimi i biletës të shkojë 70 lekë. Abonetë false janë në sasi shumë të mëdha dhe problemi më i madh është që këtë abone e përdorin shumë njerëz. Nëse është e nevojshme ne do të hapim një gjyq si shoqatë për të gjithë kompanitë private me bashkinë për shkeljet që kanë ndodhur në këtë aspekt,” deklaroi Ibrahimi.
TEMA
Add new comment