Shoqata Çamëria: Miratimi i rezolutës çame po zvarritet, të enjten në protestë

Shoqata Çamëria ka paralajmëruar mbajtjen e një proteste ditën e enjte përpara Parlamentit në shenjë proteste për mosmiratimin ende të rezolutës për çështjen çame. Sipas përfaqësuesve të kësaj shoqate, është shqetësues fakti që komisioni i jashtëm nuk po mblidhet sot dhe njëri prej relatorëve është duke bërë fushatë.
“Miratimi i kësaj rezolute, sot, duhet të jetë në plan të parë, pas 70 vjetësh nëpërkëmbjeje dhe heshtjeje ndaj çështjes çame, një padrejtësie të madhe të ushtruar ndaj kombit tonë. Kjo zvarritje e pajustifikuar nuk mund të pranohet nga asnjë shqiptar. Për këtë arsye, Shoqata Çamëria dhe Partia Drejtësi Integrim dhe Unitet ftojnë të gjithë shqiptarët ditën e enjte në orën 11 përpara parlamentit për të protestuar në mbështetje të miratimit të rezolutës.
Ftojmë në këtë tubim paqësor të gjithë shqiptarët e Çamërisë, prindërit e të cilëve kanë humbur jetën apo janë dëbuar në një spastrim të egër etnik. Por mbi të gjitha, ftojmë çdo shqiptar, pavarësisht prejardhjes dhe bindjeve politike, që të shpreh vullnetin e kombit tonë për të çuar drejt zgjidhjes këtë çështje kombëtare. Ditën e enjte, në orën 11 përpara parlamentit, ne do të tregojmë se rezoluta për zgjidhjen e çështjes çame ka mbështetjen e të gjithë kombit, e si pasojë zvarritja taktike e saj, nuk i shërben askujt”, ka thënë Ardian Tana, kryetar i Shoqatës Çamëria.
SHQIP
Add new comment