Shkolla e Ministrisë së Brendshme kthehet në Universitet islamik

Postuar në 22 Gusht, 2013 03:53

-Pas Namazgjasë, qeveria në ikje, i ka dhënë të tjera prona Komunitetit Mysliman Shqiptar. Qendra e Formimit Policor dhe ish- Reparti ushtarak i Saukut i kaluan në pronësi myslimanëve. Bëhet fjalë për një sipërfaqe prej 96 mijë m2, e cila do t’i kalojë këtij komuniteti pa shpërblim. Kjo sipërfaqe toke do të përdoret për ndertimin e një universiteti dhe kushti i vetëm i qeverisë është mostjetërsimi për qëllime të tjera.

Vendimi Këshilli i Ministrave vendosi dje kalimin në pronësi të Komunitetit Mysliman të Shqipërisëgodinën e Batalioni të Vëzhgimit Ajror ose siç njihet ndryshe ish- Reparti Ushtarak i Saukut, më një sipërfaqe prej 7300 m2, pa shpërblim. Destinacioni i pronës, sipas vendimit, është ndërtimi i një institucionit të arsimit të lartë. Një tjetër pronë që do të shkojë për llogari të Komunitetit Mysliman Shqiptar është edhe “Qendra e Formimit Policor Sauk” me një sipërfaqe prej 2300 m2. Në vendim përcaktohet se Komunitetit Mysliman i Shqipërisë i ndalohet ndryshimi i destinacionit dhe tjetërsimi i pronësisë.

Ndërkohë procedurat për kalimin e pronësisë do të kryhen nga Ministria e Arsimit dhe e Shkencës, Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, Agjencia e Inventarizimit dhe Transferimit të Pronave të Paluajtshme si dhe Kryeregjistruesi i Pasurive të Paluajtshme. Vendimi do të hyjë në fuqi pas botimit të tij në Fletoren Zyrtare. Pak kohë më parë qeveria i ktheu Komunitetit Mysliman 2570.5 metra katrorë tokë në qendër të Tiranës, në pjesën që njihet si zona e “Namazgjasë”. Truallit të Namazgjasë i është marrë një sipërfaqe e konsiderueshme nga zgjerimi i rrugëve të Unazës dhe asaj “George Bush”, e cila mbeti pa u kompensuar nga Bashkia. Në kompensim të kësaj sipërfaqeje Këshilli i Ministrave me dt. 06.04.2011, i ka dhënë Komunitetit Mysliman të Shqipërisë një sipërfaqe prej 2570.5 metrash katrorë, duke e çuar sipërfaqen e përgjithshme në rreth 5.300 metra katrorë.

KMSH ka një drejtori të veçantë, drejtoria e Vakf-Investime, e cila ka përgjegjësinë për ruajtjen dhe mirëadministrimin e pronave të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë në shkallë vendi. Në bazë të akteve ligjore dhe nënligjore në fuqi, kjo drejtori përgatit dokumentacionin e nevojshëm dhe i paraqet në Komisionet e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave pranë Qarqeve me objektiv kthimin dhe kompensimin e pronave të KMSH-së në të gjithë vendin. Kjo drejtori administron pronat e kthyera duke u interesuar për shtimin e të ardhurave si dhe ndjek kryerjen e investimeve në vakëfe që janë pronë e KMSH-së. Gjithashtu, përgatit udhëzime për procedurat që duhen ndjekur nga myftinitë në shkallë vendi, për mënyrat dhe rrugët që duhen ndjekur për sigurimin dhe tërheqjen e akteve zyrtare nga organet kompetente dhe përpunimin e paraqitjen e tyre në KKKP pranë qarqeve dhe ndjek regjistrimin e të gjitha pasurive të paluajtshme në Zyrat e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në shkallë vendi.

 

 

 

SHEKULLI

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.