Shkatërrohet një grup kriminal në Vlorë, vidhnin me anë të mashtrimit

Tetë persona kanë rënë në prangat e policisë mbrëmjen e sotme në qytetin e Vlorës, pasi akuzohen për vjedhje me anë të mashtrimit. Pas disa muajsh hetime është mundur të shkatërrohet grupi kriminal, në saj të operacionit të koduar “Western Union”. Në prangat e policisë janë vendosur Shuaip Nuredini, 28 vjeç, Detjon Rrapo, 22 vjeç, Taulant Elezi, 26 vjeç, Xhuliano Muçaj, 18 vjeç, Sherif Nuredini, 54 vjeç, Fatiko Çoçaj, 26 vjeç, Fatmir Dashallav, 33 vjeç, të gjithë nga Vlora, dhe Margarita Jonizi, 52 vjeç, nga Tirana. Jonizi siguronte dokumentat zyrtare per terheqjen e parave.
Sipas policisë së Vlorës këta persona kishin krijuar një skemë duke mashtruar 30 persona. Ata prezantoheshin si të afërm të disa familjeve dhe kërkonin para. Më pas i tërhiqnin paratë te “Western Union” me dokumente false.
Shumat e parave që kanë vjedhur varionin nga 10.000 - 50.000 lekë.
Gjatë operacionit, policia ka sekuestruar 7 aparate telefonike dhe disa dokumente, ndërsa i bëjnë thirrje personave të mashtruar të bëjnë kallëzim penal.
Gjithashtu vijojnë hetimet në bashkëpunim me Prokurorinë për zbardhjen e plotë të kësaj skeme mashtrimi si dhe identifikimin edhe të personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal.
Add new comment