Shkarkohet drejtori i SHKB-së, emërohet Arben Skëndo

Bashkim Shehu lë postin pas më shumë se një vit në detyrë. Tahiri pezullon lëvizjet e Burgajt
Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, ka prezantuar dje drejtorin e ri të SHKB-së, pas shkarkimit të Bashkim Shehut, i cili u emërua më shumë se një vit më parë nga ish-ministri Noka, ndërsa më parë kishte qenë truprojë i familjes së një deputeteje të PD-së. Reforma e pritshme ka filluar nga “policia” që ka për detyrë të hetojë shkeljet e kolegëve të saj, një strukturë që varet drejtpërsëdrejti nga ministri i Brendshëm. Por, duke parë mungesën e hetimeve për policët që abuzojnë me detyrën, apo propozimet për masa paraprake, Tahiri e ka parë të arsyeshme të lëvizë drejtorin e SHKB-së, duke emëruar Arben Skëndon, ish-drejtor i Policisë së Fierit, i cili njihet si një “dorë e fortë”.
Burime nga Ministria e Brendshme thanë për gazetën “Shqip” se kjo drejtori do të ristrukturohet dhe pas kësaj lëvizje do të ketë të tjera transferime të zyrave në drejtoritë e rretheve. Mësohet se ka qenë një analizë e hollësishme e punës së SHKB-së, ajo që solli këtë reformë, ndërsa drejtori i ri duhet të përgatisë një tjetër strukturë për SHKB-në, pasi ekzistuesja lë shumë për të dëshiruar. Gjatë viteve të fundit, ndëshkimet e punonjësve të Policisë së Shtetit janë shumë të pakta, madje edhe zyrtarët e policisë që janë kapur duke marrë ryshfet nga mediat, janë rikthyer sërish në punë. Tashmë, mësohet se drejtori i ri ka marrë urdhër që të gjithë punonjësit e policisë të “proceduar” më parë të rishikohen dhe, nëse kanë vijuar të kryejnë shkelje, të propozohet shkarkimi i tyre.
Ministria e Brendshme pohon se Arben Skëndo e njeh mjaft mirë policisë dhe sektorët e saj të korruptuar, pasi më parë ka punuar si në krimin e organizuar ashtu edhe në atë të qarkullimit rrugor, e cila është një nga strukturat më të përfolura në polici. Jo më larg se disa javë më parë, “Fiks Fare” publikoi pamjet sesi zyrtarët e qarkullimit rrugor marrin ryshfet. Këta punonjës u pezulluan dhe u desh ndërhyrja e ministrit të ri të Brendshëm që ata të shkarkohen nga detyra. Ndaj tyre, prokuroria ka filluar edhe procedim penal.
Ndërkohë, krahas kësaj lëvizje, ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, ka pezulluar një urdhër të kreut të Policisë së Shtetit, për të sjellë nëndrejtor në Tiranë Arben Hysenin. Disa ditë më parë, një urdhër i papritur doli nga zyra e Burgajt, ku Erzen Breçani transferohej në Drejtorinë e Policisë së Dibrës, pasi më parë kishte pasur përplasje të forta me ministrin Tahiri, kur ky i fundit ishte në opozitë. Madje, gjatë një takimi me krerët e policisë, Breçani nuk është ftuar dhe një ditë më vonë, u transferua në Dibër. Në vend të tij, Burgaj vendosi që të sjellë Hysenin, por kandidatura e tij duket se nuk është pëlqyer nga ministri i ri, duke e pezulluar këtë urdhër. Burime nga policia bëjnë të ditur se pritet emërimi i një tjetër drejtuesi policie në këtë pozicion. Ndërkohë mësohet se Erzen Breçani ka nisur dje punën në detyrën e re në Dibër, ku do të shërbejë si zv/drejtor i Rendit dhe Sigurisë. Ai theksoi se do të shërbejë në radhët e policisë kudo që do të emërohet, megjithëse lëvizja e tij ishte shumë e pritshme.
SHQIP
Add new comment