Shifrat e OKB-së, vrasjet në Shqipëri pësuan rritje pas vitit 2009

Statistikat në vite dhe krahasimi me vendet e rajonit
Olldashi
Në kohën e drejtimit të Ministrisë së Brendshme nga Sokol Olldashi, numri i vrasjeve në Shqipëri ka pasur ulje të ndjeshme, duke arritur në rekordin më të mirë në vite
Nishani
Pas largimit të Olldashit dhe ardhjes së Bujar Nishanit në krye të Ministrisë së Brendshme (2007) vihet re rritje e vogël e krimit të vrasjeve, që më pas arrin nivele të ulëta
Basha
Në kohën e drejtimit të Ministrisë së Brendshme nga Lulzim Basha, pra vitet 2010 dhe 2011, kemi shifrat më të larta të krimit të vrasjeve në rang republike, krahasuar edhe me vitet para 2005-s
Ylli Pata
Shqipëria ka pasur numrin më të madh të vrasjeve krahasuar me vendet e rajonit, ndërkohë që nga viti 2009 e deri në vitin 2011, krimi i vrasjes është rritur progresivisht. Ndërkohë që vendi ynë ka numër gati të njëjtë të policëve të shpërndarë në territor, krahasuar me vende të rajonit. Këto janë të dhëna zyrtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, konkretisht i Zyrës së OKB-së për Drogën dhe Krimin.
Vrasjet
Sipas statistikave të OKB-së, krimi i vrasjes në Shqipëri ka pësuar një amplitudë jo të rregullt dhe ndërkohë që me kalimin e vitit do të duhej të ulet, nuk ka ndodhur një gjë e tillë. Kështu pas një periudhe apokaliptike të nivelit të vrasjeve në vend, në vitet 1997-1999, si pasojë e shkërmoqjes së shtetit dhe shpërndarjes të të gjitha llojeve të armëve te njerëzit e thjeshtë, shifrat vijnë duke u stabilizuar në vitet 2001, 2002 dhe 2003, ku kurba e vrasjeve nis marrë një formë që shpreson drejt stabilizimit. Në vitin 2003, numri i krimeve në Shqipëri është 144 dhe llogaritet 4.6 të vrarë për 100 mijë banorë. Në vitin 2004, sipas statistikave të OKB-së, llogaritet që janë vrarë 199 persona në Shqipëri, ose 3.8 për 100 mijë banorë. Në vitin e fundit të qeverisjes së Fatos Nanos, ose më mirë ta llogarisim gjysmë nga qeveria ikje e Nanos dhe gjysmë nga qeveria në ardhje e Sali Berishës, që fitoi zgjedhjet në vitin 2005, numri i vrasjeve në rang vendi ka qenë 131 që llogaritet 4.2 për 100 mijë banorë. Kjo shifër duhet konsideruar e ulët, pasi duhet llogaritur dhe brishtësia e administratës në kohë zgjedhjesh. Në fakt, në atë periudhë, Policia e Shtetit e drejtuar nga Bajram Ibro mori vlerësim të lartë si për luftën ndaj krimit ashtu edhe për qëndrimin neutral në zgjedhjet parlamentare të 3 korrikut të 2005-s. Viti i parë i qeverisjes së Sali Berishës, viti 2006, vjen me një trend pozitiv për çështjen e krimit të vrasjeve, duke u ulur konsiderueshëm numri i tyre. Sipas statistikave të OKB-së, ky numër arrin në shifrën e 87 vrasjeve në këtë vit, që llogaritet në kursin e 2.8 në 100 mijë banorë. Në këtë periudhë Ministrinë e Brendshme e ka drejtuar Sokol Olldashi. Viti i mëpasmë, pra 2007-a, pëson rritje, e cila shkon në 105 vrasje ose 3.3 në 100 mijë banorë. Në Ministrinë e Brendshme, gjatë këtij viti, është emëruar Bujar Nishani, aktualisht President i Republikës. Dy vitet e tjera, pra 2008-a dhe 2009-a kanë ulje të vrasjeve, kështu në të parin kemi kursin 2.9 ose 93 vrasje në vit, për të dytin kemi 2.7 apo 85 krime të vrasjes. Një shifër e mirë po të kemi parasysh edhe periudhën zgjedhore të 2009-s. Por me marrjen e mandatit të dytë nga Partia Demokratike, niveli i krimit të vrasjes në vend pëson rritje progresive. Në dy vitet pasardhëse, pra më 2010 dhe 2011, kur në krye të poltronit të ministrit të Brendshëm ishte Lulzim Basha, kryetar aktual i Partisë Demokratike, niveli i vrasjeve arrin në 127 në 2010-n dhe 142 për vitin 2011 ose 4.4 vrasje për 100 mijë banorë, që përbën nivelin më të lartë të këtij krimi në rang republike.
Rajoni
Po të krahasohen statistikat e OBK-së, me vendet e ngjashme të rajonit, mund të thuhet se sërish edhe në këtë element, Shqipëria renditet në vend të parë, por për keq. Kështu në vitin 2011, Bosnja dhe Hercegovina ka pasur vetëm 49 vrasje, me një kurs 1.3 për 100 mijë banorë, Mali i Zi ka pasur 23 vrasje me kursin 2.3. Ndërkaq, në vitin 2011, Serbia ka pasur një numër prej 126 vrasjesh, pra 1.3 të tilla për 100 mijë banorë. Maqedonia është në një nivel më të mirë. Për 2011-n ka kursin 1.5 dhe ka pasur gjithsej 30 vrasje.
Policia
Sipas statistikave të OKB-së, për numrin e policëve dhe shpërndarjen në territor, Shqipëria nuk ka një deficencë të madhe krahasuar me vendet e rajonit. Ndërkaq, duke e krahasuar në vite, numri i policëve ka pasur një ulje progresive. Kështu ndërsa në vitin 2003, në Shqipëri kishte 12,454 punonjës policie ose 401 për 100 mijë banorë, në vitin 2011 kishte 9,723 punonjës policie ose 302 për 100 mijë banorë. Në vitin 2005, Policia e Shtetit zhvilloi reformën më të madhe, ku reduktoi numrin nga 12.394 punonjës policie në 10.500 punonjës policie, ose 333 policë për 100 mijë banorë. Bosnjë-Hercegovina, sipas statistikave të OKB-së, ka një raport të 408 punonjësve policie për 100 mijë banorë, pra gati 100 më shumë se Shqipëria. Mali i Zi këtë raport e ka 448 policë për 100 mijë banorë, Serbia ka 144 policë për 100 mijë banorë, ndërkohë edhe Maqedonia është në të njëjtin nivel.
Gjykatësit
Shqipëria, sipas raportit të OKB-së për krimin, ka një numër më të ulët të gjyqtarëve sesa vendet e rajonit apo të mesatares europiane. Në vitin 2004, kemi pasur gjithsej 286 gjyqtarë, në 2005-n, 293, 2006-n, 282, 2007-n 262 gjyqtarë, në vitin 2008 ka pasur gjithsej 280 gjyqtarë ose 9.4 për 100 mijë banorë. Në 2009-n, ky numër rritet në 299, më 2010-n kemi 344 gjyqtarë dhe në vitin 2011 ulet sërish numri, duke pasur gjithsej 310 gjyqtarë ose 9.6 për 100 mijë banorë. Sipas mesatareve të vendeve europiane është arritur një standard prej 15 ose 20 gjyqtarësh për 100 mijë banorë.
Në vitin 2011 kemi 142 të vrarë ose 4.4 vrasje për 100 mijë banorë, që përbën nivelin më të lartë të këtij krimi në rang republike
Krahasimi
Mali i Zi
Vendi ynë fqinj i veriut, sipas statistikave të OKB-së, ka një nivel më të ulët vrasjesh se Shqipëria. Kështu në 2011-n, pati 23 vrasje ose 3.6 për 100 mijë banorë
Serbia
Ka pasur shifrat më të mira krahasuar në të gjithë rajonin. Vetëm për vitin 2011, në Serbi janë vrarë 125 persona, por kemi të bëjmë me një kurs prej 1.5 të vrarësh për 100 mijë banorë
Maqedonia
Në fqinjin tonë juglindor, gjatë vitit 2011, sipas statistikave të OKB-së, ka pasur gjithsej 30 vrasje që llogaritur sipas kursit kemi të bëjmë me 1.5 vrasje për 100 mijë banorë
Ministri i ri
Tahiri: Qytetarët të ndihen sa më afër Policisë së Shtetit
Ministri i ri i Brendshëm, Saimir Tahiri, në një postim të dy ditëve më parë të rrjetet sociale ka ftuar qytetarët që të japin ide se si e duan ata Policinë e Shtetit. “Dua që përgjegjësinë time ta ndaj me çdonjërin prej jush për aq sa është e mundur! Me cilindo që qoftë dhe një herë të vetme ka menduar çfarë nuk shkon sot në Policinë e Shtetit e si duhet ndrequr. Duke filluar nga komunikimi, etika dhe sjellja, uniforma, siguria në komunitetin/ qytetin/ fshatin që banoni, vendin e punës apo çfarëdolloj çështje që keni hasur ose ndjeni se duhet trajtuar. Policia e Shtetit duhet të jetë Policia Juaj! Ndaj nisni që sot e ndjehuni të lirë të më shkruani çdo sugjerim, çdo mendim, çdo eksperiencë tuajën personale prej së cilës mund të mësojmë diçka më shumë nga ç’dimë sot, çdo iniciative që në vlerësimin tuaj Policia e Shtetit duhet ta ketë në axhendën prioritare. Pra, gjithçka e vlerësoni të nevojshme për ta implementuar bashkë nga shtatori e tutje!
Shqip
Add new comment