Sherret e palestinezit Anuar Rizik, një tjetër i pafajshëm nga fisi Zalla

Zëvendësdrejtori i fabrikës së çimentos denoncoi Darvin Zallën për prishjen e një muri rrethues
Ndërsa ka kaluar më shumë se një vit nga vrasja pa autor e palestinezit Anuar Rizik, zëvendësdrejtor i fabrikës së çimentos në Fushë-Krujë, një vendim gjykate ka zbardhur një tjetër konflikt që ai ka pasur me fisin Zalla para ekzekutimit makabër të tij me eksploziv në derën e shtëpisë pranë ambasadës së SHBA-së në Tiranë. Bëhet fjalë për një kallëzim që ka bërë Rizik për shembjen e një muri rrethues të fabrikës së çimentos, ndërkohë që për të denoncuarin prej tij, gjykata ka vendosur se është i pafajshëm. I kallëzuari ka qenë Darvin Zalla, i cili është shpallur këtë vit i pafajshëm nga Gjykata e Apelit në Tiranë, ndërkohë që gjykohej për “shkatërrim prone me përmbytje”, “vetëgjyqësi” dhe “përdorim me keqdashje të thirrjeve telefonike”.
Historia
Nga aktet e fashikullit rezulton se procedimi penal ndaj të pandehurit Darvin Zalla ka nisur pas kallëzimit të Anuar Rizik, me detyrë zëvendësdrejtor i Fabrikës së Çimentos në Fushë-Krujë, i cili ka konstatuar rrëzimin e njërit prej mureve rrethues të kësaj fabrike. Anuar Rizik kishte pretenduar se me datë 11 tetor të vitit 2010 është telefonuar nga Darvin Zalla, i cili i ka kërkuar ta takojë, lidhur me shqetësimin e tij për dëmtimin e tokës, që sipas tij ishte shkaktuar prej urave të fabrikës së çimentos. Kallëzuesi Anuar Rizik ka refuzuar ta takojë, për shkak të impenjimeve të punës dhe i ka thënë që mos ta shqetësojë më për këtë problem. Sipas organit të akuzës, me datën 11 tetor 2010, është shembur një pjesë e murit rrethues të Fabrikës së Çimentos Fushë-Krujë, me gjatësi rreth 27.2 metër dhe me lartësi 2 metër, me blloqe betoni, si dhe themel betoni. Sipas organit të Prokurorisë, gjithashtu, shkak i shembjes së këtij muri ka qenë uji i grumbulluar rrëzë tij, për shkak të bllokimit të njërit prej kanaleve kullues të Fabrikës së Çimentos, i cili ishte zënë nga Darvin Zalla. Ky i fundit dhe mbrojtja nuk e kanë pranuar fajësinë. Ata kanë pretenduar se pranë Fabrikës së Çimentos në Fushë-Krujë nuk ekziston ndonjë kanal kullues dhe se një gjë e tillë nuk rezulton as nga hartat respektive. Darvin Zalla ka pretenduar se tokën pranë Fabrikës së Çimentos e ka pronë të tij, që e posedon që nga viti 1990, të trashëguar nga familja dhe se nuk ka dijeni të ekzistencës të ndonjë kanali kullues pranë saj. Në këto kushte, duke mos ekzistuar asnjë kanal në hartat përkatëse, gjykata e ka shpallur të pafajshëm Zallën.
Ndërkaq, mësohet se çështja mes tyre ka nisur gjykimin para se Anuar Rizik të ekzekutohej, ndërkohë që ka më shumë se një vit që vrasja e tij nuk është zbardhur nga policia. Anuar Rizik, 43 vjeç, mbeti i vrarë mëngjesin e së martës së 8 majit të vitit 2012, kur pranë derës së jashtme të oborrit të shtëpisë së tij shpërtheu një sasi eksplozivi e ngjashme me një bombë artizanale. Shpërthimi ndodhi rreth orës 07:00, kur Rizik sapo kishte dalë për të hapur portën e shtëpisë së tij, kur shpërtheu bomba e prodhuar artizanalisht, e cila ishte vendosur në anën e jashtme të portës së hekurit. Rizik kishte dalë nga shtëpia, bashkë me të shoqen dhe djalin dyvjeçar, por ata ishin kthyer. E shoqja mësohet se ishte kthyer për të marrë një çantë që kombinohej me rrobat që kishte veshur, ndërsa i biri ishte kthyer për të marrë një kamion lodër me të cilin luante. Pikërisht ndërsa e shoqja dhe i biri ishin kthyer në shtëpi, Rizik tentoi të hapte portën e hekurt, të vendosur në anën veriore të oborrit të shtëpisë. Në këtë kohë bomba shpërtheu, duke e plagosur rëndë palestinezin. Ai ndërroi jetë afërsisht gjysmë ore më vonë nga shpërthimi. Deri më sot nuk ka asnjë të arrestuar për vrasjen e tij.
SHQIP
Add new comment