Shehi: Opozita e djathtë të luajë rol kyç për reformat

Postuar në 26 Gusht, 2013 11:48

Kryetari i LZHK-së, Dashamir Shehi, bën apel për një ringritje të së djathtës shqiptare. Gjatë një interviste në “ABC News”, ai ia atribuon këtë rol kryetarit të ri të PD-së, Lulzim Basha. Duke pranuar se politika e qendrës së djathtë ka konsumim, më së shumti nga qeverisja 8-vjeçare, Shehi e sheh të ardhmen e këtij poli drejt një politike të re. “Kryetari i ri i PD-së ka nevojë të agregohet përqark personazheve të reja, por edhe ideve”, – thotë Shehi në intervistën e tij, ndërsa bën apel për një largim nga butaforia politike rurale. Megjithatë, Shehi shton më tej, se Lulzim Basha i ka të gjitha mundësitë, mjetet dhe kapacitetin e nevojshëm për të ringritur të djathtën. Dashamir Shehi vlerëson se opozita e djathtë duhet të luajë rolin kryesor në reformat thelbësore të funksionimit të shtetit. Janë pikërisht këto reforma, për të cilat Shehi kërkon një angazhim dhe një qëndrim unik të opozitës së djathtë, gjatë legjislaturës së re që nis më 9 shtator. “Opozita mund të luajë një rol unik në çështjet e administrimit të shtetit, por edhe në çështjet elektorale. Administrimi i territorit, i cili me thënë të drejtën ka qenë një nga gabimet më të mëdha, është një tjetër reformë ku mund të angazhohet qendra e djathtë”, – bën apel kryetari i LZHK-së, i cili do të jetë në parlamentin e ri falë përfshirjes në listën e deputetëve të Partisë Demokratike. Shehi është një nga eksponentët e vjetër të së djathtës së qendrës, i cili nuk i ka kursyer kritikat edhe për qeverisjen e Berishës. Pas dorëheqjes së këtij të fundit nga drejtimi i Partisë Demokratike, Shehi ka mbrojtur idenë se Lulzim Basha ka mundësinë për ringritjen e polit të djathtë, duke përfshirë në të aktorët që, për shkaqe historike, kanë mbetur jashtë aleancave të Partisë Demokratike.

 

MAPO

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.