SHBA: Numërimi proces kritik

Postuar në 18 Qershor, 2013 16:06

Zëvendësndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit, Philip Reeker, në një intervistë për “Zërin e Amerikës”  tha se u takon të gjitha palëve të përfshira ne zgjedhjet parlamentare të së dielës në Shqipëri që të respektojnë rezultatin përfundimtar. 

Reeker thëksoi  rëndësinë e madhe që Shqipërinë të veprojë në përputhje me statusin e saj si vend anëtar i NATO-s duke mbajtur zgjedhje të rregullta. 

”Zëri Amerikës” e pyeti fillimisht zotin Reeker se kur kanë mbetur vetëm pak ditë nga zgjedhjet, Shqipëria ka shans që këtë herë t’i përmbushë standartet ndërkombëtare? 

”Dua të theksoj se Uashingtoni dhe Brukseli, miq të Shqipërisë, po i ndjekin me shumë vëmendje zgjedhjet, procesin deri në ditën e votimeve, mënyrën e zhvillimit të zgjedhjeve dhe reagimin për rezultatin e zgjedhjeve”, tha Reeker. 

Sipas tij, “duhet të merren të gjitha masat që populli shqiptar t’i besojë procesit elektoral dhe që zgjedhjet të plotësojnë standardet ndërkombëtare dhe ato europiane. Kjo do të krijonte bazën për fazën e ardhshme të integrimit të plotë të Shqipërisë në komunitetin euro-atlantik”. 

Ndërsa për ngërçin e  Komisionin Qëndror të zgjedhjeve dhe nëse kjo situatë i rrezikon zgjedhjet në këndvështrimin e Reeker, moskonstituimi i plotë i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, paraqet sfida për administrimin me efektivitet të zgjedhjeve, veçanërisht përsa i përket certifikimit të zgjedhjeve dhe trajtimit të apelimeve. 

Një tjetër pyetje e “Zërit të Amerikës” lidhej me pranimin e rezultatit të zgjedhjeve prej palëve dhe nëse kjo përbënte shqetësim për Uashingtonin. 

”U takon të gjitha palëve të përfshira që të respektojnë rezultatin përfundimtar” thotë Reeker, “Pasi ky do të jetë një  sinjal i rëndësishëm që Shqipëria të veprojë në përputhje me statusin e saj si vend anëtar i NATO-s, duke zhvilluar zgjedhje të rregullta, që të njihen si të tilla”. 

Reeker mendon se numërimi i votave do të jetë një element kritik. “Një pjesë e rëndësishme e procesit, është një nga elementët që nuk gëzon nivelin më të lartë të besimit të publikut, bazuar në historikun e parregullsive elektorale në të kaluarën”, thotë zyrtari amerikan, i cili u bën thirrje të gjitha partive politike të kenë përfaqësuesit e tyre në aparatin lokal elektoral dhe në grupet e numërimit të votave, që të jenë pjesë e këtij procesi dhe të respektojnë deri në fund, në gërmë dhe në frymë, ligjet.

 

 

 Top Channel

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.