SHBA kundër gjendjes së jashtëzakonshme në Egjipt, Kerry: Vendi përballë një momenti kritik

Postuar në 15 Gusht, 2013 03:36

Shtetet e Bashkuara kanë dënuar me forcë dhunën në Egjipt. Sekretari i Shtetit John Kerry është shprehur se Egjipti është përballë një momenti kritik dhe se dhuna dhe polarizimi i mëtejshëm politik nuk do të sjellin zgjidhje për problemet e Egjiptit:
“Ngjarjet e së mërkurës janë të dënueshme dhe bien ndesh me aspiratat e egjiptianëve për paqe, gjithëpërfshirje dhe demokraci të vërtetë. Egjiptianët brenda dhe jashtë qeverisë duhet të tërhiqen pak, të lejojnë qetësimin e situatës dhe të shmangin humbje të mëtejshme jete”, u shpreh zyrtari i lartë amerikan.
Zoti Kerry dhe më parë Shtëpia e Bardhë thanë se Shtetet e Bashkuara janë kundër vendosjes së gjendjes së jashtëzakonshme, duke thënë se ky status duhet hequr sa më parë që të jetë e mundur. Shtetet e Bashkuara i kanë bërë thirrje qeverisë së përkohëshme të respektojë të drejtat e njeriut, përfshirë lirinë e grumbullimit dhe procesit të rregullt gjyqësor.
“Ky është një moment kritik për egjiptianët. Rruga e dhunës çon vetëm drejt destabilitetit më të thellë, shkatërrimit ekonomik dhe vuajtjeve të mëtejshme. E vetmja rrugë e përshtatshme për secilën palë është rruga drejt zgjidhjes politike”, u shpreh ai.
Presidenti Obama ballafaqohet tani me dilema të reja në përgjigje të situatës në Egjipt dhe ndaj rrëzimit në korrik të ish-presidentit Mohamed Morsi.
Deri tani administrata nuk ka dalë me një përfundim ligjor nëse rrëzimi i Morsit ishte grusht shteti, gjë që do të rezultonte në pezullimin e ndihmave ekonomike dhe ushtarake me vlerë 1.5 miliardë dollarë.
Presidenti Obama po informohet rregullisht lidhur me gjendjen në Egjipt nga Këshilltarja për Sigurinë Kombëtare Susan Rice dhe ekipi i tij i sigurisë kombëtare, ndërkohë që vazhdon pushimet me familjen në ishullin Martha’s Vineyard pranë Bostonit.

Rritet numri i viktimave

Të paktën 278 persona janë vrarë gjatë dhunës së djeshme, përfshi 235 civilë, raporton televizioni shtetëror, duke cituar zyrtarë të emergjencave në Egjipt. Por një zëdhënës për Vëllazërinë Myslimane, e cila kërkon rikthimin në post të ish-presidentit Mohamed Morsi, ka theksuar se 2600 persona kanë vdekur pasi policia qëlloi me armë mbi turmën e demonstruesve.
Dëshmitarët dhe gazetarët njoftojnë se trupat e të vrarëve janë dërguar në mjedise të shndërruara në morg të përkohëshme dhe në spitale. Ministri i Brendshëm, Gjeneral Mohammed Ibrahim, tha se 43 të tjerët mes viktimave janë oficerë policie. Ai fajëson Vëllazërinë Myslimane për atë që e cilësoi si status kaosi në të gjithë vendin. Ai akuzoi anëtarët e kësaj organizate se kishte qëlluar në drejtim të policisë, kishte sulmuar ndërtesat qeveritare dhe kishte djegur kisha.

Shqip

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.