SHBA: Jemi të shqetësuar për KQZ-në. Nëse preket vota, s’do bëjmë sehir

Komisioni për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Europë, i njohur ndryshe edhe si Komisioni amerikan i Helsinkit, ka zhvilluar një seancë dëgjimore për Shqipërinë.
Fillimisht përpara dy kongresmenëve, Robert Aderholt dhe Eliot Engel ka folur Filip Riker, zëvendësndihmës Sekretari për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike.
Ai tha se SHBA janë të shqetësuara për pavarësinë e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
“KQZ nuk ka anëtarë për të administruar zgjedhjet në mënyrë korrekte,” tha Riker.
Ai deklaroi se politikanët në Shqipëri duhet të plotësojnë vendet vakante në KQZ.
“Politikanët kanë detyrë të përzgjedhin anëtarë të rinj për të zëvendësuar ato vende. Ne u kërkojmë të përmbushin këto detyrime dhe të sjellin emra,” tha Riker.
“Institucionet në Shqipëri janë të reja dhe nuk kanë qenë gjithmonë në gjendje të organizojnë zgjedhje që plotësojnë pritshmëritë,” vijoi zyrtari amerikan.
Ai tha se KQZ e ka kapacitetin për të bërë zgjedhje të lira dhe të ndershme.
“Palët duhet të garantojnë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Duhen bërë zgjedhje që të reflektojnë standardet e një vendi të NATO-s,” theksoi Riker.
Ai u shpreh disa herë se ata nuk përkrahin asnjë palë, por janë në krah të popullit shqiptar, që kërkon zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Riker tha se nëse zgjedhjet do kenë manipulime, SHBA nuk do bëjë sehir.
“Njerëzit do jenë tepër të zhgënjyer nëse do ketë manipulime. Nëse kjo ndodh, ne nuk do bëjmë sehir”./ep
TEMA
Add new comment